

Që para 10 vitesh, podcasti ishte formë e cila i hapi dyert e veta në botë përmes audio formatit dhe u dha njerëzve një pasqyrë të formatit të ri, interesant por që nuk është radio. Në Ballkan, podcasti u bë i popullarizuar fillimisht për shkak të video formatit, e me paraqitjen e rrjeteve sociale si TikToku, ai u bë edhe më i popullarizuar te publiku më i ri.
Edhe pse viteve të fundit në Ballkan ka një grumbull podcastësh, sa cilësorë aq edhe jocilësorë me instant mysafirë dhe instant tema, në krejt këtë vorbull disi depërtoi podcasti Agelast i Galeb Nikacevicit i cili me cilësinë dhe emisionet e tij interesante arriti popullaritet të theksuar në këto hapësira.
Në përshkrimin e podcastit të tij ai thotë se "rrëfimi më i lashtë në botë është miti i kërkimit. Që nga ekzistenca e tij, njeriu kërkon".
Kërkimi mund të jetë hapësinor por, siç shton ai, kërkimi mund të jetë edhe i brendshëm. Në Agelast kërkojnë lumturinë, kërkojnë identitetin, kërkojnë duke u përpjekur t’u përgjigjen shumë pyetjeve.
Me biseda e udhëtime, ky është kërkimi i Galebit dhe përpjekja e tij për të ikur nga pakuptimësia.
Podcasti Agelast aktualisht doli mbi 150 herë me bashkëbisedues të ndryshëm nga mbarë rajoni dhe realizoi një numër të madh dëgjimesh dhe shikimesh.
Në një vorbull podcastësh cilësorë, megjithatë spikaten edhe ata që e kanë kuptuar se sa popullaritet sjellin rrjetet e reja sociale, dhe në linjë me këtë lindën edhe podcastët të cilët flasin për tema të llojllojshme, e ata kryesisht janë kopje e bashkëbiseduesve nga jashtë, e shembulli më i mirë për këtë është edhe Andrew Tate, i cili për një kohë shumë të shkurtër u bë i popullarizuar për shkak të qëndrimeve të tij mizogjene. Përndryshe, Andrew Tate është ish-boksier, e sot influenceri i cili ka bërë miliona në mënyra të ndryshme.
Për fat të keq, disa në Ballkan kanë parë se edhe ata mund të bëjnë diçka të ngjashme, dhe kështu në periudhën e shkuar u publikuan mbi 500 video të cilat faktikisht e imitojnë Andrew Tatein, dhe përpiqen të bëhen sikur ai. Në të folur dhe në sjellje. Në gjithçka.
Podcasti natyrisht nuk bën dhe nuk mund të klasifikohet në atë kategori – në promovimin e qëndrimeve të cilat dëmtojnë tjetrin. Podcasti është formë të cilën dikush e përdor në mënyrë të duhur apo të gabuar. Nëse duam instant famë dhe instant popullaritet, për një kohë shumë të shkurtër, do të bëjmë siç bëjnë ata që vrapojnë pas bashkëbiseduesve të cilët po ashtu duan popullaritet.
Me fjalë të tjera, podcasti nuk është dukuri negative në shoqëri por individët nga podcasti kanë krijuar spektakël, sikurse programet e reality show.
Megjithatë, ka edhe prej atyre të cilët e dijnë se ç'është qëllimi i podcastit, e ata janë ekipi i Nezavisne novine i cili lansoi podcastin e ri me emrin "Vështrimet" që me bashkëbiseduesit të flasin për shumë tema të rëndësishme e aktuale, për të ardhmen, bashkëjetesën, ndërtimin dhe ruajtjen e paqes.
Zëvendësredaktorja në Nezavisne novine dhe një nga nismëtaret e idesë për lansimin e podcastit, Minja Surkovic, tha se podcasti në BeH po bëhet formë gjithnjë e më e rëndësishme me një publik në rritje e sipër.
"Dikur thoshim se letra duron gjithçka, e sot është fakt real se interneti duron gjithçka, dhe se në këtë vorbull gjërash secili mund të gjejë diçka për vete, dhe kjo është bukuria e internetit. Natyrisht, në vorbull cilësia gjithmonë do të spikatet – dhe kjo është e pashmangshme. Po ashtu, unë jam avokuese e fuqishme e audio përmbajtjes sepse si konsumatore e një numri të madh informatash dhe përgjithësisht një jete të përshpejtuar e cila na është imponuar të gjithëve, audioja na vjen si shtojcë për gjithçka që dua të mësoj, e nuk kam kohë. Podcastët i dëgjoj përditë, rrugës për në punë, kur bëj pazar, kur përgatis drekën, kur pi kafe... dhe gjithmonë më duhet më shumë përmbajtje, dhe kurrë nuk është tepër, e digjitalja është realiteti ynë i ri dhe ky është fakt", tha Surkovic.
Ajo shton se mund të themi që podcasti ka shkelur në atë anën e keqe apo se propagon gjëra të këqija.
Një gazetar a një medium i keq nuk do të thotë, siç konsideron ajo, se krejt gazetaria ka dështuar. Po kështu, nëse një youtouber është diskutabil kjo nuk do të thotë se të gjithë janë problematikë.
"Njëjtë mendoj edhe në lidhje me Andrew Tatein. Mendoj se ka aq shumë podcasterë të mirë saqë nuk kemi pse flasim për përjashtimet, siç edhe thashë më parë – secili në internet zgjedh përmbajtjen që dëshiron të konsumojë. Podcastët janë për t'u klikuar, dhe janë në dispozicion kur ne ndjejmë nevojën t'i dëgjojmë apo t'i shohim. BeH është prapa në të gjitha fushat duke përfshirë edhe këtë sferë. Prandaj konsideroj se e ardhmja e podcastit në BeH do të jetë përplot rrëfimesh fantastike", theksoi Surkovic.
Ajo që ata kanë vërejtur në Nezavisne novine, thotë Minja, është se bashkëbiseduesit u janë përgjigjur me shumë gatishmëri ndërsa, me të përfunduar bisedat, ata kanë marrë komente të llojit: 'kjo formë është e shkëlqyer'.
"Podcasti duron gjithçka, nga argëtimi, temat e lehta e deri te format serioze. Këtu qëndron bukuria e tij, secili mund të gjejë qëllimin e vet dhe atë që i përshtatet. Sipas meje, bashkëbiseduesi mund të jetë kushdo. Jam dëshmitare se përgjatë viteve të punës në media shumë shpesh "njerëzit e rëndomtë" kanë shumë më shumë për të thënë dhe se tregimet e tyre janë më interesante se ato të njerëzve të cilët çdo ditë i shtyjmë përpara dhe i shikojmë", tha Surkovic.
Viteve të fundit, podcastët përjetuan bum të vërtetë. Faktorët të cilët ndikuan që podcastët të popullarizohen aq shumë para së gjithash janë: ngopja e përdoruesve me mediat masintream, llojllojshmëria që ofrojnë podcastët, avancimi i internetit, kostoja relativisht e ulët dhe lehtësia e prodhimit të podcastëve, pavarësia në çështjet redaktoriale, konsumimi i thjeshtë dhe pa pagesë i podcastëve.
Natyrisht, këtu nuk duhet harruar as ndryshimin e mënyrës së jetesës së njerëzve sot, në kuptimin e kohës në dispozicion dhe shprehive ditore.