Fotogazetaria dhe sfidat etike të mbulimit të pandemisë

08.12.2020. / 12:26

Raportimi për çfarëdo situate ekstreme gazetarët i vë përpara një testi tjetër etik të profesionit. Po jetojmë në një kohë të vërshuar me portale online parimet e të cilave shpesh bazohen në atë se ai që publikon i pari është më i miri. Klikimet janë bërë më të rëndësishme sesa verifikimi i fakteve dhe vërtetësisë së asaj që transmetojnë.

Savannah Dodd, themeluese e Photography Ethics Centre, së fundmi ka publikuar artikullin për Thomson Foundation që shtjellon sfidat etike të mbulimit të pandemisë përmes fotogazetarisë. Teksti mbështetet në kurset e saj online Gazetaria sot: Veglat etike për fotografë/e.

Në artikull, ajo përmend shembujt që i ka regjistruar sivjet dhe të cilat pasqyrojnë (jo)eticitetin e fotogazetarisë, duke vënë në pah rëndësinë e dhembshurisë, autonomisë, integritetit personal të personave që i fotografoni, vetëdijen, autenticitetin dhe saktësinë e asaj që transmetoni.

"Si fotografë/e, ne duhet t'i përmbahemi përgjegjësisë për të siguruar se po vazhdojmë të kujdesemi për individë në fotografitë tona, dhe të mos fotografojnë vetëm sepse kemi pëlqimin e të tjerëve, por sepse kjo është e drejtë" – thotë ajo.

Një nga shembujt që ajo përmend u publikua në prill në portalin online të televizionit danez TV2, qëllimi i të cilit ishte të edukonte lexuesit e vet se ç'do të thotë këndi tjetër i fotografimit, dhe në ç'masë fotografia mund të thellojë mosdurimin dhe keqkuptimin. 

Artikulli krahason dy fotografi nga i njëjti vend, të shkrepura njëkohësisht. Në njërin kënd duket se njerëzit po i shpërfillin masat e distancimit fizik. Nga ana tjetër, shihen njerëz të shpërndarë sipas rekomandimeve aktuale të shëndetit publik.

e

"Ekzistojnë shumë pengesa potenciale drejt vërtetësisë: njëra është estetika. Zgjedhjet estetike që ne sjellim – siç është distanca fokale, perspektiva dhe kuadri – nuk janë pa ndikim. Ato ndikojnë në mënyrën se si shikuesit/et i lexojnë fotografitë dhe e kuptojnë realitetin. Në shembullin e lartpërmendur nga lajmet daneze, zgjedhja mes zoom-it dhe këndit të gjerë nuk është vetëm preferencë estetike; ajo ndryshon domethënien e fotografisë” – thotë Savannah Dodd në këtë artikull.

Ky artikull, si mësim për lexuesit/et që të jenë skeptikë karshi fotografive që i shohin, duket se është më i rëndësishëm për fotografët/et në kontekstin e përgjegjësive se cilat fotografi vendosin t'u japin redaksive të tyre, të bëhen më të vetëdijshëm për fuqinë e tyre reprezentative dhe të kenë parasysh pajtueshmërinë me parimet etike të fotografimit.

Qoftë nëse flasim për fotogazetarinë gjatë pandemisë apo përtej saj, fotografët/et duhet t'u përmbahen parimeve themelore etike të fotogazetarisë. Fotografët pa kufij (Journalists without borders) në faqen e tyre përmendin standardet e profesionit dhe 8 parimet themelore të kodit etik. Ato janë:

  1. Njerëzit kanë zëra, ne i amplifikojmë

  2. Përpiqu të jesh aleat/e i/e mirë

  3. Mos shkakto dëm

  4. Paraqiti njerëzit dhe komunitetet me saktësi

  5. Merr pëlqim direkt për fotografim

  6. Ruaje integritetin

  7. Mos prano kompensim

  8. Mos bëj selfi

Fotogazetaria, ashtu sikurse gazetaria, pavarësisht udhëzimeve të ndryshme dhe parimeve etike megjithatë ka të bëjë shumë me ndjesinë personale të asaj që është e drejtë. Në këtë aspekt, Photography Ethics Centre shpjegon mënyrën e të mësuarit të etikës së punës së fotogazetarisë: "Kur flasim për etikën fotografike, po flasim për aplikimin e koncepteve siç është përgjegjësia, fuqia dhe dinjiteti i mënyrës se si fotografojmë dhe shpërndajmë fotografi. Secili do t'u përgjigjet pyetjeve etike në mënyrën e vet, në bazë të përvojës personale jetësore, në bazë të bindjeve personale e vizionit fotografik. Etika është fluide, kontekstuale dhe subjektive. Për këtë arsye, fotografëve/eve nuk u japim listën e udhëzimeve etike. Në vend të kësaj, mësojmë njohuri etike. Njohuritë etike nënkuptojnë shkathtësi të marrjes së vendimeve të shëndosha etike. Aty hyjnë gjërat si mendimi kritik, vetëdija për situatën dhe ndjeshmëria kulturore. Fotografëve/eve u ndihmojnë të zhvillojnë shkathtëistë e të menduarit kritik mbi etikën e punës së tyre dhe gjuhën që ata/o ta definojnë praktikën e tyre etike".

 

Ocijenite kvalitet članka