Gazetaria e udhëhequr nga publiku: Përdorimi i komuniteteve për gazetari hulumtuese

03.11.2023. / 08:55
Autori
investigative journalism and audience.png
investigative journalism and audience.png

Disa nga projektet më të mira të gazetarisë hulumtuese nuk do të kishin ekzistuar pa mbështetjen e komuniteteve lokale.

Nuk kishin ekzistuar pa atë mbështetje aktiviste apo dhënie të informatave kur gazetarët nuk mund të shkojnë në terren ku dëshiron publiku.

konferencën e 13 globale të gazetarisë hulumtuese janë paraqitur katër shembuj të jashtëzakonshëm se si gazetaria hulumtuese mund të jetë e planifikuar dhe e realizuar me sukses bashkë me publikun.

Secili prej këtyre projekteve ka vite që funksionon me sukses falë financimit publik nga njëra anë, dhe ekzistimit të transparencës dhe respektit nga ana e mediave.

Pse nevoja për publikun në gazetarinë hulumtuese?

Mund të mendohet se edhe në këtë rast, gazetaria qytetare është praktikë ku pjesëtarët e komunitetit angazhohen në mbledhjen dhe ofrimin e informatave sepse janë në vendin e ngjarjes.

Por përfshirja e publikut në gazetari nuk përfundon me marrjen nga komuniteti vetëm kur mediumi ka nevojë për të.

Mazin Sidahmed, bashkëthemelues dhe redaktor i portalit Documented, faqe jofitimprurëse që mbulon imigrimin në zonën e Nju Jorkut, shpjegoi në një artikull për Fondacionin Ford, "Në Documented, ne krijojmë një model të gazetarisë hulumtuese në komunitet. Kjo do të thotë se ne fillojmë projekte hulumtuese në përgjigje të asaj që dëgjojmë nga komuniteti. Gjatë vitit të fundit, kemi udhëhequr një shërbim lajmesh në WhatsApp për spanjishtfolësit që janë pa dokumente në qytetin e Nju Jorkut. Njerëzit na dërgojnë vazhdimisht pyetje në lidhje me imigrimin. Në një moment, me dhjetëra abonentë na pyetën se si mund të kenë qasje në fondin prej 20 milionë dollarësh për imigrantët pa dokumente, të menaxhuar nga qyteti i Nju Jorkut. Kur qyteti nuk na jepte përgjigje të qarta, ne u kërkuam gazetarëve të kuptonin arsyen. Gazetarët zbuluan se paratë ishin ndarë brenda një liste të panjohur organizatash që u jepnin fonde vetëm anëtarëve të tyre, diçka që qyteti nuk përmendi me rastin e promovimit të fondit. Storia jonë, e publikuar në spanjisht, bëri jehonë dhe e shtyu qytetin e Nju Jorkut të publikojë më shumë detaje rreth fondit".

Sidahmed shpjegoi se ka ende një numër institucionesh që kanë fonde për të financuar projekte kërkimore shumëmujore. Problemi është se këto burime shpesh rezervohen për storie të prodhuara me qasjen nga lart-poshtë. Gazetarët mbledhin burime ose marrin këshilla nga njerëz në pozita të fuqishme që nuk preken drejtpërdrejt, ose redaktori vjen me një ide të bazuar në leximin e storieve të tjera.

Procesi rëndom përfundon me një përpjekje për të gjetur personat e prekur nga problemi.

Çfarë ndodh nëse e rrotullojmë procesin? 

Ky proces i anasjelltë, në të cilin publiku është redaktor dhe është i përfshirë në planifikimin e përmbajtjes mediale, është pranuar nga shumë media. Publiku i financon ato duke paguar abonime, të cilat u mundësojnë pavarësinë që pak media mund ta arrijnë.

Për mediat e tilla u fol në konferencën e 13 globale të gazetarisë hulumtuese.

Parimet nga katër projekte hulumtuese të udhëhequra nga angazhimi publik

 

Përfshirja e lexuesve në procesin redaktorial krijon gazetari më të mirë

 

Një grup i vogël vullnetarësh vendosën të krijojnë një alternativë ndaj mediave lokale në pronësi të korporatave në Bristol. Ata nisën një fushatë crowdfunding dhe krijuan media lokale, hulumtuese, të pavarura, të financuara plotësisht nga publiku.

 

Ky model anëtarësie u ka mundësuar gazetarëve të përqendrohen në hulumtime afatgjata, disa prej të cilave kanë fituar çmime të rëndësishme. Fokusi i veçantë i redaksisë është përfshirja e lexuesve në procesin redaktorial. Ky proces funksionon asisoji që para zgjedhjeve, redaksia i pyeti lexuesit se cilat janë çështjet më të rëndësishme për komunitetin. Më pas u hartua një listë, e kandidatëve u janë drejtuar me tema që i kanë përcaktuar lexuesit.

 

"Kjo vërtet sjell ndryshim", ka treguar gazetarja Priyanka Raval, sepse mediat mund të përqendrohen në pyetje të cilat janë të rëndësishme për komunitetin e tyre, e pastaj t'i ftojnë politikanët të marrin përgjegjësi.

 

Kur Google ofroi financim të madh të projekteve mediale në mbarë botën, Bristol Cable i pyeti lexuesit e vet se a duhet të aplikojnë për këtë donacion. Komuniteti tha jo, dhe të njëjtën e tha edhe redaksia. "Ata janë arsyeja e ekzistencës sonë", tha Raval, "dhe prandaj mund të na kërkojnë përgjegjësi".

 

Nëse lexuesit ju financojnë, kjo krijon përgjegjësi të posaçme

 

Malaysiakini është bërë projekti medial më me ndikim i udhëhequr nga publiku në Malajzi. Projekti u krijua në vitin 1999, që për një kohë të gjatë ishte medium me model abonimi. "Askush tjetër nuk arriti të ishte aq i pavarur", theksoi gazetarja Aidila Razak.

 

Kur ju financon publiku, kjo krijon përgjegjësi të posaçme ndaj publikut.

 

Ky model financimi nxit angazhim të madh në komente në webfaqe. Përveç që i shohin komentet, gazetarët kanë shumë dobi prej tyre. Duke i dëgjuar komentet, mendimet dhe interesat e lexuesve, Malaysiakini mund t'u përshtatet temave të cilat komuniteti do të donte t'i shtjellonte.

 

Kjo bëhet vegël e rëndësishme për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet.

 

Diversiteti në redaksi tërheq diversitetin në publik

 

Një nga shembujt që u shpalos në konferencën e 13 globale të gazetarisë hulumtuese është projekti i podcastit Periodismo de lo posible ("Gazetaria e së mundshmes"), një seri historike prej 12 pjesësh mbi rezistencën e eksploatimit të mjedisit në Meksikë, për të cilën raportojnë gazetarët hulumtues nga ato komunitete.

 

Me krijimin e ekipeve që përbëhen nga reporterë dhe gazetarë lokalë të zonës mbi të cilën duan të hedhin dritë, u bë përpjekje për të ofruar mbështetje redaktoriale dhe këshilla dhe për të ndarë resurse me gazetarët të cilët mbase nuk kanë qasje në të njëjtat struktura apo fonde.

 

Projekti u nis me mbështetjen e gazetarive të Quinto Elementit, dhe pastaj u prezentua në kuvendin e bashkësisë lokale ku pjesëtarët mund të votonin se çka do të publikohej, e çka jo.

 

"Kështu storia i kthehet komunitetit nga i cili rrjedh", ka shpjeguar gazetarja Marcela Turuti. 

 

Veçantia e këtij projekti: Të gjitha ekipet e tyre përpiqet të kenë barazi gjinore dhe kanë së paku një grua në ekip. Kështu ata duan ta kundërshtojnë maçizmin i cili është i shpeshtë në shoqërinë meksikane, tha Turuti.

 

 

 

Duke dëgjuar publikun, zbulohet se disa pyetje nuk kanë përgjigje të sakta apo ekzistojnë disa shërbime të cilat nuk i kryejnë funksionet e përmendura.

 

Mu në këto boshllëqe në informata mund të aplikohet gazetaria hulumtuese. Hedhja dritë mbi këto pyetje prodhon ndikim të drejtpërdrejtë, të prekshëm në jetët e njerëzve.

 

 

 

Vlerësoni cilësinë e artikullit