Gazetaria qytetare: Si mediat dhe profesionistët e tjerë mund të nxjerrin informatat më të vlefshme

22.01.2021. / 09:47

Gazetaria qytetare (amatore) ekziston me shekuj, por ndryshimi dhe përhapja e madhe ka ndodhur me shfaqjen e rrjeteve sociale dhe pajisjeve mobile.

Një nga përkufizimet më të thjeshta të gazetarisë qytetare ka dhënë Tony Rogers i cili thotë se gazetaria qytetare është kur "personat privatë, që rëndom janë konsumues të gazetarisë, prodhojnë lajme vetanake".

Këto lajme krijohen si podcaste, raporte, blogë, si tekste, fotografi, audio, video dhe zakonisht janë të natyrës digjitale.

Gazetaria qytetare ka shumë emra ku hyn "gazetaria participative", "raportimi me burime të hapura", "gazetaria guerrile", "gazetaria bazike", dhe "gazetaria rrugore". Metodat e veprimtarisë së qytetarëve/eve gazetarë/e janë të llojllojshme siç janë edhe emrat e këtij lloji të gazetarisë.

Deri më tani kemi parë gjithçka – nga raportimet direkte (live), e deri te raportimi në Twitter, statuse në Facebook e shkrim të blogëve.

Përparësitë dhe mangësitë e gazetarisë qytetare

Dallimi thelbësor mes gazetarëve/eve dhe qytetarëve-gazetarë është arsimi dhe shkathtësitë.

Ata të cilët historikisht kanë konsumuar përmbajtje, por nuk e kanë krijuar atë, sot janë në vendin e ngjarjes para mediave.

Ndryshe nga gazetarët profesionistë, qytetarët-gazetarë ndoshta nuk kanë realizuar hulumtime dhe vërtetime të burimeve, dhe kjo mund t'i bëjë më pak të besueshëm.

Gracka e quajtur "të jesh i pari që do të publikojë informatën" mund të shkaktojë përhapjen e dezinformatave dhe të lajmeve të rreme. Andaj, qytetaret konsiderohen reporterë të rastësishëm: ata shpërndajnë xhirime, por nuk japin kontekst.

Në media tashmë kemi pasur rastin të shohim si anën e mirë ashtu edhe atë të keqe të gazetarisë së këtillë. Qytetarët/et që jetojnë dhe punojnë në komunitete shpërndajnë informata duke u bazuar në ndjenjat e tyre dhe në situatat e përjetuara në mënyrë subjektive.

Mediat të cilat nuk janë pjesë e atyre komuniteteve nganjëherë me lehtësi e marrin informatën pa vërtetim dhe analizë paraprake të informatës e cila gjendet në publikim.

ss 

"Përparësia e qytetarëve-gazetarë është se ata janë kudo", thotë Mark Glaser themelues i MediaShiftit, uebfaqes e cila përcjell lajmet në epokën digjitale. "Ta zëmë se ka ndodhur një shpërthim dhe njerëzit duan të dijnë se çka ka ndodhur. Ekipi i televizionit apo reporteri i gazetës do të duhet të shkojë atje, derisa në vendin e ngjarjes sigurisht ka njerëz me vegla në xhepat e tyre".

Cilat janë mangësitë e gazetarisë qytetare? Kësaj pyetjeje, Glaser i përgjigjet kështu:

"Mendoj se gjithmonë do të ketë dilema të besueshmërisë kur e publikoni materialin e qytetarëve-gazetarë. Kalimtari i rastit me telefon ndoshta nuk do të dijë çka të regjistrojë dhe cilat pyetje të parashtrojë siç bën një gazetar i përgatitur". Ajo që funksionon më së miri kur flasim për materialin e qytetarëve-gazetarë është kur atë e merr një organizatë mediale profesionale e cila mund ta vërtetojë materialin dhe t'i japë kontekst".

Kujt duhet t'i kushtohet kujdes te bashkëpunimi me qytetarët-gazetarë

Sipas mendimit të shumë konsulentëve të mediave, sikur informatat që krijojnë qytetarët-gazetarë të liheshin të pashfrytëzuara, kjo do të ishte marrëzi. Vlerë shumë të madhe si për mediat ashtu edhe për publikun sjellin informatat nga njerëz të cilët në vendin e ngjarjes kanë ardhur para mediav,e të cilët kanë qasje në disa komunitete e struktura, derisa mediat nuk e kanë këtë.

Si të "menaxhohet" pra me këto materiale?

Kontekstualizimi i informatave

Gazetaria qytetare sjell storie të fragmentuara, elemente autentike të storis që nuk kanë kontekst Redaksitë profesionale e dijnë se vlera e tyre gjendet te kontekstualizimi i informatave, e jo te publikimi i materialeve të papërpunuara. Pikërisht kjo është mundësi për realizimin e bashkëpunimit mes gazetarëve profesionistë dhe atyre amatorë (qytetarëve-gazetarë).

Burimi dhe vërtetimi i informatave

Të marrësh informatën pa e verifikuar atë përveç që është joserioze, është gjithashtu e rrezikshme. Roli i redaktorit kurrë nuk ka qenë më i rëndësishëm, e këtë e shohim në situata krize (luftëra, sulme terroriste, tragjedi, katastrofa natyrore). I takon redaktorit/es të vendos se kur, si dhe cilën informatë do ta marrë nga qytetari-gazetar, ta nxjerrë nga konteksti lokal dhe përmes mediumit të vet ta plasojë te miliona njerëz.

Etika e gazetarisë

Shkelja e etikës së gazetarisë në gazetarinë qytetare shpesh është pasojë e mungesës së arsimimit. Prioritet gjatë raportimit është transmetimi i informatës, që shpesh nënkupton zbulim të identitetit të personit, fotografim dhe xhirim të fshehtë – krejt kjo me synim të transmetimit sa më autentik të ngjarjes.  Detyra e gazetarëve/eve dhe redaktorëve/eve profesionistë është ta mbrojnë profesionin, mediumin dhe veten, dhe që informatat të vazhdojnë të jenë të besueshme.

Gazetaria qytetare është veç një mjet tjetër për gjetjen e këndeve të reja dhe burimeve të informatave apo është vetvetiu burim. Ajo ka ndikim të madh te gazetaria profesionale, por nuk duhet shpërfillur kufizimet. Nga njëra anë, gazetaria qytetare mund të anojë nga sensacionalizmi, e nga ana tjetër shpesh nuk është objektive.

Me gjasë, e ardhmja e gazetarisë profesionale është bashkëpunimi mes gazetarëve profesionistë dhe atyre qytetare ku do të punohet bashkërisht për krijimin e besimit, transparencës dhe njohjes së komuniteteve dhe njerëzve brenda tyre.

Ocijenite kvalitet članka