

Në fillim gazetaria objektive, pastaj neutrale, më pas transparente, e tash edhe gazetaria solidare.
Ndoshta po e pyesni veten: "Kur do të punojmë, nëse vazhdimisht i ndjekim njohuritë dhe trendet e reja?"
Gazetaria solidare nuk është as risi as thelb.
Ajo ekziston në media për një kohë të gjatë, por prania e saj është më shumë "incident" se praktikë e përditshme nëpër redaksi.
Gazetarinë solidare nga sensacionalizmi shpesh e ndan një fije e hollë, e nuk do të duhej të ishte kështu.
Ç'është gazetaria solidare?
Solidariteti në gazetari do të thotë se gazetarët janë për dinjitet themelor njerëzor dhe kundër vuajtjes, ndërsa praktikohet përmes vlerësimit të vlerës së lajmit, gjetjes së burimeve dhe përshkrimit të përvojave të përjetuara të njerëzve që jetojnë në kushte të padrejta.
Kjo do të mund të ishte përgjigjja e shkurtë për pyetjen: ç'është gazetaria solidare, të cilën e ka definuar dr. Anita Varma, asistente e gazetarisë në Universitetin Texas në Austin.
Sipas fjalëve të saj, solidariteti në gazetari është harmonizimi me raportimin e saktë ndryshe nga "dyanshmëria" apo mbështetja e dyshimtë në neutralitetin përpara vuajtjes njerëzore."
Gazetaria solidare i kundërvihet raportimit neutral, "të barazpesbuar", dhe favorizon objektivitetin sepse konsiderohet se nuk bën të prishen narrativat e vuajtjes njerëzore duke u thirrur në mendimet e atyre njerëzve të cilët nuk e kanë përjetuar vuajtjen për të cilën raporton gazetari.
Si mund të jetë gazetari/ja solidar/e nëse nuk di se për çka duhet të ketë dhembshuri?
Në mediat tona çdo ditë kemi shembuj të gazetarisë josolidare në të cilat i dëgjojmë politikanët teksa u thonë njerëzve që i kanë humbur shtëpitë, familjet, punën, të drejtën për trajtim mjekësor, të jenë të durueshëm sepse, ja, po punohet në atë "projekt."
Vetë fakti se beteja jetësore e një njeriu (apo komuniteti) është vetëm projekt për tjetrin, tregon se në raportim ka përzgjedhje të këqija të bashkëbiseduesve dhe burimeve.
Si mund të jetë gazetari/ja solidar/e nëse as vetë nuk e di se për çka raporton?
Sipas konceptit të dr. Varmas, gazetaria kryesisht merret me solidaritetin e gazetarëve – temën për të cilën raportohet ngase gazetari/ja e pranon qëllimin e të margjinalizuarve në betejën për drejtësinë sociale. Ekzistojnë edhe mënyrat e tjera:
- Solidariteti gazetaroro-medial
- Solidariteti socialo-medial
Të tri llojet e solidaritetit duhet të veprojnë në harmoni.
Solidariteti i gazetarëve dhe temave mbështetet nga drejtësia sociale, humaniteti. Siç thekson dr. Varma, "qëllimisht shkohet një hap më tutje se përsëritja e deklaratave të zyrtarëve apo ekspertëve të jashtëm për komunitetin e margjinalizuar për të qendërzuar të vërtetën e njerëzve njohuritë e të cilëve bazohen në përvojën e jetuar."
Nganjëherë gazetarët u japin më shumë forcë zërave të caktuar në raport me të tjerët, duke krijuar garë mes banorëve të komunitetit të cilët janë nën llupë të mediave lokale e nacionale. Gazetarët shpesh bisedojnë me më të zëshmit, me ata që shihen si udhëheqës apo me ata që mund të japin citat të shpejtë e bindës. Atëherë lajmet mund të kenë pasoja të padëshiruara siç është dyshimi, mosbesimi dhe krijimi i konflikteve mes banorëve.
Cristina Mislán, profesoreshë e jashtëzakonshme e studimeve të gazetarisë në Missouri School of Journalism në tekstin “Solidarity journalism: An alternative practice”, ka ndarë përvojën e saj nga mbulimi i temës së katastrofës natyrore përmes gazetarisë solidare.
"Realizimi i hulumtimit pasi gazetarët jolokalë janë paketuar dhe kanë shkuar nuk ishte detyrë e lehtë. Shumë gazetarë tashmë praktikojnë forma të drejta rrëfimtarie. Por, në raportimin e katastrofave shpesh mbështeten në metoda të grumbullimit të lajmeve që mund të kenë pasoja të dëmshme për komunitetin e prekur pasi ne të largohemi."
Në lajmet për ndryshimet klimatike dhe katastrofat mjedisore, zakonisht i shohim më të zëshmit, negativët, protagonistët, storiet apokaliptike dhe kaosin. Katastrofa bëhet objektiv nëpër të cilin ne e shohim komunitetin.
Mislán ka theksuar se "në rrethanat e këtilla ua theksoj bashkëbiseduesve se unë dua të tregoj storien e cila pasqyron atë se si ata e shohin veten. Në intervista, unë i pyes ç'është ajo që ata e konsiderojnë relevante, çka dëshirojnë që bota të dijë për komunitetin e tyre dhe si e shoin të ardhmen e tyre."
Unë i kam intervistuar gazetarët lokalë për klimën dhe mjedisin. Mary, gazetare lokale e cila merret me drejtësinë mjedisore, ka theksuar disa qasje ndaj grumbullimit të lajmeve të cilat ajo i ka përvetësuar për t'iu kthyer komunitetin të cilin e mbulon:
"Është me rëndësi të filloni ta ndryshoni dinamikën dhe mënyrën se si bisedoni me banorët dhe si i ndani storiet e tyre. Ajo që unë përpiqem të bëj kur e mbuloj komunitetin është t'i kujtoj dhe të bisedoj me ta më shpesh sesa që realisht i mbuloj. Nuk është çdo bisedë për media. Po ashtu, përpiqem që në bisedat tona t'i pyes se ç'është e rëndësishme për t'u ndarë me të tjerët dhe ç'bëjnë ata për ta zgjidhur problemin. Shpesh gazetarët vetëm fokusohen në atë se si kjo zonë e ka një problem të madh. Por shumë shpesh, udhëheqësit e komunitetit në fakt i kanë shumë të qarta qëllimet, mënyrat për zgjidhjen e këtyre problemeve të cilat nuk po zgjidhen, apo gjërat që ata tashmë po i bëjnë. Andaj, unë përpiqem t'i përfshij ato nisma në raportimin tim për të treguar se ç'vlerë ka komuniteti."
Gazetarja Mary thotë se ajo përpiqet të jetë më e hapur me njerëzit dhe t'i pyesë nëse ka diçka që nuk u pëlqen, ndërsa atë e kanë përmendur më parë. Njerëzit nuk janë mësuar që mediat të flasin me ta – dhe prandaj mundësia që t'u jepet ai shans gjithashtu ndihmon në ndërtimin e besimit.
"Këtë e konsideroj si kompetencë të reporterit/es. Shpesh zyrtarët shtetërorë ju japin më shumë informata se që i japin komunitetit. Andaj unë përpiqem, së paku në storiet e mia, të gjej ndonjë copëz të cilën komuniteti ndoshta nuk ka arritur ta zbulojë vetë, dhe kështu raportimi im bëhet i dobishëm për komunitetin, e jo vetëm për njerëzit jashtë komunitetit të cilët lexojnë për problemin", ka treguar gazetarja Mary.
Këtë storie e kam përmendur sepse në të i kemi të gjitha elementet e solidaritetit të cilin do të duhej ta kishte gazetaria: solidaritetin me kolegët, me njerëzit, me mjedisin, me komunitetin në të cilin jetoni dhe punoni.
Si të zbatohet gazetaria solidare në praktikë?
Solidarity Journalism Initiative u ofron gazetarëve resurse të ndryshme si ndihmë për futjen e gazetarisë solidare në praktikën e përditshme.
Sipas kësaj nisme, aspektet kryesore të solidaritetit në raportim janë:
- Marrja e vendimeve për lajmet në bazë të vlerësimit nëse "nëpërkëmbet dinjiteti i komunitetit."
- Qendrërzimi i perspektivave të burimeve të cilat dijnë më së shumti për problemin a ngjarjen. Kur i mbulojmë komunitetet e margjinalizuara, kjo do të thotë se duhet të fillojmë me qëndrimet e pjesëtarëve të komuniteteve të margjinalizuara – në vend se raportimi të përqendrohet tek "ekspertët" e jashtëm apo zyrtarët.
- Përfshirja e këndvështrimeve të të gjithë atyre që ndikohoen nga problemi.
- Vendosja e standardeve për të vërtetën në bazë të përvojave të jetuara të njerëzve. Nëse komuniteti vuan nga uria, e qeveria e mohon këtë, përvojat e jetuara të njerëzve me urinë merren si të vërteta, ndërsa pretendimi i qeverisë se askush nuk vuan urie trajtohet si gënjeshtër.
- Paraqitja e konsensusit të të gjithë të prekurve: për shembull, përkundër papajtueshmërisë së madhe lidhur me rolin e policisë në komunitetet amerikanë, bisedat të cilat bazohen në idenë se njerëzit duan të jenë të sigurtë është pika ku mund të shohim se ka konsensus. Mbetet pikëpyetja se si duket siguria dhe si mund të arrihet ajo, por solidariteti në gazetari do të thotë se gazetarët nuk i paraqesin vetëm ndasitë, por edhe zbulojnë dhe artikulojnë pajtueshmërinë, e cila shkon në linjë me informimin e lexuesve, e jo të polarizohen edhe më shumë.
Gazetaria solidare është ajo të cilën gazetaria gjithmonë e ka bërë më së miri:
- këmbëngulin të paraqesin narrativa të vërteta,
- u japin zë burimeve të cilat e njohin më së miri problemin,
- përdorin vegla publike të komunikimit në shërbim të përcjelljes së shkeljes së dinjitetit njerëzor.
Solidariteti nuk është rrugë njëkahëshe. Nuk është as dykahëshe. Solidariteti është rrugë shumëkahëshe në të cilën të gjithë aktorët e tij punojnë bashkë për përmirësim, ndërsa gazetaria solidare vepron vetëm si medium mes të gjithëve.