Gjashtë muaj luftë në Ukrainë: Për çka kemi shkruar, dhe çka mund të jetë e dobishme për mediat për të raportuar mbi luftën

29.08.2022. / 08:33
Autor/ica
Share
w
w

Lufta në Ukrainë ka ritheksuar rëndësinë e raportimit nga zonat e luftës. Megjithëse kjo nuk është lufta e vetme që po zhvillohet në botë, për ne ajo ka qenë shkas shtesë për të shkruar një varg tekstesh të cilët kanë pasur për qëllim t'u ndihmojnë gazetarëve për një qasje më profesionale karshi raportimit nga lufta, t'i kontribojnë mbrojtjes më të madhe fizike, digjitale, e mendore të gazetarëve, si dhe të ofrojnë resurse dhe vegla të cilat mund të lehtësojnë hulumtimin dhe raportimin mbi luftën.

Në gjashtë muajt e mëparshëm që kur nisi lufta e përgjakshme në Ukrainë, jemi përpjekur të mbulojmë këndvështrime të ndryshme të raportimit të mediave, të marrim sa më shumë informata relevante që mund të jenë të dobishme për gazetarët në Ballkanin Perëndimor.

Gjysmë viti luftimesh ka lënë dhe ende lë pasoja të mëdha mbi popullsinë ukrainase dhe miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Dhe ndërsa nuk shohim fundin e pushtimit rus të Ukrainës, ne u kujtojmë gazetarëve të gjitha informatat, resurset dhe veglat që kemi mbledhur dhe përpunuar në gjysmën e vitit të mëparshëm.

Mbrojtja e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga zonat e luftës

Teksti i parë që kemi shkruar në mars kishte të bënte me raportimin e drejtpërdrejtë nga zonat e luftës. Kemi ofruar udhëzime se çka është e rëndësishme të merret parasysh kur mbulohen konfliktet e luftës dhe tërhoqëm vëmendjen ndaj rëndësisë së sigurisë dhe traumave të gazetarëve.

Në një nga tekstet, i kushtuam vëmendje të veçantë sigurisë digjitale. Çdo situatë ekstreme, të cilën më së miri kemi mundur ta shohim nëpërmjet pandemisë COVID-19, rrit sulmet digjitale ndaj tërë popullsisë, veçanërisht ndaj disa profesioneve, siç është gazetaria. Shumë gazetarë që hulumtojnë dhe raportojnë mbi tema me interes të madh publik përballen me sulme të rënda digjitale që shpesh rrezikojnë sigurinë e tyre, komprometojnë informatat me rëndësi dhe i dëmtojnë burimet e informatave. Prandaj e kishim me rëndësi t'u ofronim këshilla gazetarëve për mbrojtje më të mirë digjitale.

Global Investigative Journalism Network ka krijuar listën e hapave të domosdoshme që gazetarët duhet t'i kenë parasysh me rastin e raportimit nga situatat e jashtëzakonshme. Kjo listë përmend të gjitha dokumentet e nevojshme të cilat gazetarët duhet t'i kenë me vete, masat parandaluese që duhet të ndërmarrin, si dhe kontaktet e organizatave mediale dhe të tjera të cilat në raste të këtilla mund t'u ndihmojnë gazetarëve. Të gjitha këto informata i kemi përkthyer për të qenë të dobishme dhe në dispozicion në gjuhët e mediave të Ballkanit Perëndimor.

I kemi kushtuar vëmendje edhe mënyrës se si ruhen dhe shpërndahen informatat, sepse për disa komunitete, siç janë gazetarët, kodifikimi i të dhënave është tejet i rëndësishëm për mbrojtjen e informatave, burimeve si dhe për ruajtjen e lirisë së mediave. Lexoni më shumë se si mund t'i kodifikoni të dhënat me veglën BitLocker. Në tekstin Enkriptimi i pajisjeve mobile, lexoni në detaje se si të kodifikoni të dhënat në telefonat tuaj, qoftë në pajisjet iOS apo Android.

Veglat për luftën kundër dezinformatave dhe resurset tjera

Në një botë ku rrjetet sociale luajnë rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të njerëzve, duke ofruar shumë mundësi për lidhje dhe komunikim, por edhe për krijim dhe plasim të informatave, rëndësia e verifikimit të fakteve bëhet qenësore. Sot, secili me telefonin e tij celular mund të fotografojë a të xhirojë ndonjë ngjarje, dhe kështu përmes rrjeteve sociale të bëhet prodhues i lajmeve. Nga ana tjetër, miliona njerëz u ekspozohen informatave mashtruese, të manipuluara dhe të rreme në rrjetet sociale, si Facebook, Twitter, Instagram apo TikTok.

Përmes tekstit Në luftë, rrjetet sociale janë terren edhe më i rrezikshëm për përhapjen e dezinformatave, kemi shpalosur teknikat më të shpeshta të falsifikimit dhe çfarë mund të bëjnë gazetarët dhe mediat për të vërtetuar faktet. Sot ekzistojnë një sërë veglash të cilat janë krijuar për t'u ndihmuar gazetarëve të kontrollojnë nëse informatat që i kanë marrë janë të rreme, dhe nëse videot apo fotografitë janë autentike. Sot ekzistojnë edhe teknologji tejet të zhvilluara të njohjes së fytyrës, që gjithsesi mund të jenë të dobishme me rastin e hulumtimit dhe verfikimit të identitetit të aktorëve të caktuar.

Interneti na ka mundësuar qasjen ndaj një grumbulli të madh informatash. Si i tillë, ai rrit ndjeshëm rëndësinë e rolit të mediave në vlerësimin dhe përzgjedhjen e burimeve të informatave që ne përdorim. Me një vlerësim të kujdesshëm çdo medium siguron cilësi, por edhe besueshmëri të informatave që ata plasojnë. Në tekstin Cilat burime i kanë përdorur mediat në Ballkanin Perëndimor për të raportuar për Ukrainën para fillimit të luftës, ju japim një pasqyrë të hulumtimit të cilin e ka realizuar kompania Pikasa Analytics me një mostër prej 2000 lajmesh për të dhënë një pasqyrë më të qartë të burimeve që përdorin mediat në Ballkanin Perëndimor.

Një tjetër artikull tejet i dobishëm plot me linkë dhe resurse shtesë për të kuptuar dhe hulumtuar më mirë pushtimin rus të Ukrainës është teksti i cili fillimisht është publikuar në Global Investigative Journalist Network, e të cilin ne në bashkëpunim me ta e kemi përkthyer dhe e kemi bërë plotësisht të qasshëm në shqip, maqedonisht dhe BHS. Në këtë tekst, përmes perspektivës së hulumtimit të Rusisë në mbarë botën, mund të gjeni informata të rëndësishme mbi aspekte të ndryshme të ndikimit politik, financave, dezinformimit dhe kontrollit të fakteve, gjurmimit të spiunëve rusë dhe shumë linkë të tjerë të dobishëm.

Çdo luftë me vete sjell edhe një spektër të ndryshëm krimesh lufte. Me këtë rast, para disa ditësh kemi shkruar për rëndësinë e hulumtimit të krimeve të luftës dhe përmes tekstit kemi ofruar vegla dhe burime që mund të jenë të dobishme për mediat kur hulumtojnë këtë temë shumë të rëndësishme.

Përdorimi i hartave për paraqitjen e konflikteve të luftës

Vizualizimi i të dhënave dhe prezentimi vizual i përmbajtjes në media është gjithnjë e më i zakonshëm dhe mundëson paraqitjen e të dhënave komplekse te publiku në mënyrë shumë të thjeshtë dhe tërheqëse. Vizualizimi i të dhënave përmes hartave është mënyrë e mirë për të shtuar kontekstin duke u bazuar në paraqitjen gjeografike. Ekziston një varg veglash të dobishme që mund t'ju ndihmojnë të paraqitni të dhënat e luftës, meqë hartat janë vegël e fuqishme për paraqitjen e konflikteve të luftës. Për to kemi shkruar edhe më parë, ndërsa po i ndajmë edhe disa këto të cilat mund t'i provoni vetë dhe të shihni se si mund t'i përdorni në raportimin tuaj.

Ato janë Arc Online, Carto, Mapbox, My Maps Google, BatchGeo, TilegramsStoryMapJS dhe natyrisht Flourish.

Intervistat

Në këtë periudhë kemi realizuar edhe një intervistë me Olena Shevchenkon, aktiviste për të drejtat e njeriut, veçanërisht për të drejtat e personave LGBTIQ në Ukrainë, e cila na tregoi se sa i rëndësishëm është raportimi për minoritetet në luftë, sepse më së shpeshti janë minoritetet ato që janë dy herë më të prekur nga situata ekstreme. Nëse gazetarët e Ballkanit Perëndimor janë të interesuar të mësojnë diçka më shumë rreth jetës së personave LGBTQ në Ukrainë, mund t'u drejtohen organizatave që i ka përmendur ajo.

Për të ofruar përvojë nga terreni që mund të jetë e dobishme për gazetarët nëse përgatiten për të raportuar nga zona të pasigurta dhe të prekura nga lufta, kemi folur me gazetaren Vanja Stokic. Ajo sivjet ka raportuar nga kufiri ukrainaso-polak dhe në bisedë ka ofruar edhe këshilla se si të mbulohen të gjitha sfidat që kanë të bëjnë me logjistikën, akomodimin dhe gjetjen e bashkëbiseduesve.

Ju kujtojmë se heroina jonë Marijana Bojanic ka shkruar tekstin e këngës së parë kundër luftës kushtuar fëmijëve të Ukrainës. Me të kemi biseduar për angazhimin e saj humanitar dhe për shfrytëzimin e pozicionit të mediave dhe të saj si gazetare për ndihmë humanitare dhe mbledhje të mjeteve për fëmijët nga Ukraina.

Shpresojmë që të gjitha resurset dhe veglat e ofruara të jenë të dobishme për ata për të cilët shkruajmë, përkatësisht për gazetarët në Ballkanin Perëndimor. Nëse ka ndonjë temë për të cilën dëshironi të dini më shumë, mos ngurroni të na kontaktoni me sugjerime.

 
Ocijenite kvalitet članka