Good Tape: Vegla online për transkriptimin e audiove apo videove

20.09.2023. / 08:14

Besoj se çdo gazetar e di shumë mirë rëndësinë e transkriptimit të shpejtë të deklaratave dhe intervistave audio ose video. Ndonjëherë gazetarët kalojnë orë të tëra, madje edhe ditë, për t'i shkruar deklaratat e bashkëbiseduesve. Shkrimi me dorë është i ngadaltë dhe nuk është në përputhje me shpejtësinë që gazetaria dhe audienca kërkojnë sot. 

Në këtë drejtim, veglat që do ta lehtësojnë këtë proces janë qenësore. Gjithnjë e më shumë po shohim se po krijohen vegla të reja që i kthejnë bisedat audio ose video në tekst. Vegla të këtilla me ndihmën e inteligjencës artificiale janë bërë gjithnjë e më të mira. Por, shpesh përballemi me faktin se veglat i përkthejnë shumë dobët bisedat audio në tekst në gjuhët e Ballkanit Perëndimor. Ky problem ende nuk është zgjidhur plotësisht, siç është rasti me anglishten ku transkriptimi është i përsosur.

Megjithatë, ka përparime dhe veglat që ofrohen sot po bëhen më të sakta.

Sot po ju paraqesim një vegël që ka potencial t'ua lehtësojë transkriptimin edhe gazetarëve në Ballkanin Perëndimor.

Vegla Good Tape

Good Tape është vegël për transkriptim automatik e bazuar në inteligjencën artificiale, e krijuar për gazetarët dhe të tjerët për të krijuar transkriptime të tekstit nga audio ose video, pavarësisht gjuhës ose cilësisë së tyre.

Ajo ofron një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për t'i kthyer intervistat, bisedat dhe përmbajtjet e tjera të folura në formate të shkruara duke përdorur teknologjinë e njohjes së të folurit.

Platforma mbështet mbi 90 gjuhë, duke përfshirë gjuhën boshnjake/serbe/kroate, maqedone dhe shqipe. Funksioni i saj Autodetect zbulon automatikisht gjuhën e folur në fajl dhe e transkripton atë në përputhje me rrethanat.

Good Tape mund t'u kursejë kohë dhe mund gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të cilëve u duhen shpejt transkriptime të sakta dhe të besueshme. Platforma ofron një shërbim të sigurtë transkriptimi që kodon të gjitha të dhënat dhe fajlët, duke siguruar standardet më të larta të privatësisë dhe sigurisë. Të dhënat mbrohen me enkriptimin end-to-end. Ato janë gjithashtu plotësisht në përputhje me GDPR-në. Good Tape është krijuar nga Zetland, gazetë digjitale e vlerësuar me çmime në Danimarkë.

Fajlët tuaj të transkriptuar i merrni në tre formate: një fajl .txt me dhe pa kode kohore dhe një fajl .srt për ata që punojnë me titra.

Planet falas dhe me pagesë

Përdoruesit i kanë në dispozicion tri plane të shfrytëzimit të kësaj vegle.

Llogaria falas Casual përfshin 3 incizime të transkriptuara me saktësi brenda një muaji, deri në 90 minuta për incizim. Transkriptimet janë në dispozicion në mbi 90 gjuhë dhe përfshijnë edhe gjuhë nga Ballkani Perëndimor. Në versionin falas për transkriptim do të prisni nga disa minuta deri në disa orë.

Paketa me pagesë Professional kushton 15 euro në muaj, dhe mund ta testoni për 9 euro. Kjo paketë ofron kohëzgjatje të pakufizuara incizimi, pa kohë pritjeje për transkriptim, arkiv të pakufizuar transkriptimi, siguri edhe më të madhe, pajtueshmëri me GDPR-në, qasje me përparësi në veçoritë e reja, mbështetje me përparësi dhe ndërprerje të paketës në çdo kohë.

Ekziston edhe paketa Teams, e cila përfshin gjithçka që përmban paketa Professional plus më shumë përdorues (5+), rritje të kapacitetit të transkriptimit, llogari të centralizuar. Plani përshtatet në bazë të nevojave të përdoruesve.

Si ta përdorni veglën Good Tape

Good Tape ofron një interface të thjeshtë ku përdoruesit mund të shtojnë fajlë dhe t'i konvertojnë ato në tekst të shkruar.

Para se të filloni të shtoni incizimet tuaja, duhet të krijoni llogari. Për këtë nuk do t'ju nevojitet më shumë se një minutë, e për krijimin e llogarisë nevojitet vetëm adresa elektronike.

Pasi ta keni krijuar llogarinë, në ekran do t'ju shfaqet kjo dritare.

good tape transcription

Krejt çka duhet të bëni është të klikoni në plus (+) ku shkruan Upload file, të shtoni incizimin, ta emërtoni dhe të zgjidhni gjuhën.

Pasi të shtoni dhe të klikoni në Transcribe, do të nevojitet pak kohë për të pritur që incizimi të transkriptohet. Nëse dëshironi, mund ta shenjoni ikonën për të ju dërguar email kur transkriptimi të jetë gati, për të mos pasur nevojë të prisni.

Pasi transkriptohet incizimi, do të ju renditet në faqe, dhe më pas do të mund ta ruani si tekst pa dhe me kode kohore, dhe si fajl .srt.

transkripcija good tape tool

Paketa me pagesë gjithashtu njeh folës të ndryshëm në incizim dhe i ndan ata, gjë që është mundësi e shkëlqyer për transkriptimin e intervistave ose diskutimeve.

Dy audio incizime të cilat i kemi përdorur për testim nga gjuhët BHS kanë pasur rezultate të ndryshme. I pari, më i shkurti dhe më i thjeshti, është transkriptuar përsosmërisht, derisa tjetri që ishte më i gjatë është transkriptuar pak më keq. Se a bëhet fjalë për kohëzgjatjen e videos apo për versionin falas – përgjigje nuk kemi gjetur në faqen e tyre. Ndodh që versioni falas nuk mjafton për transkriptimin e audiove më komplekse. Mbase ia vlen të paguhen 9 dollarë për testimin njëmujor të kësaj vegle.

Nëse e testoni veglën, na shkruani dhe na tregoni përvojën tuaj.

Vlerësoni cilësinë e artikullit