Google e bën të detyrueshëm autentifikimin e dyfishtë

17.06.2021. / 13:15
Share
2FA Google
Google 2FA
2FA Google

Ndryshimi i ri që vjen nga Google do t'i detyrojë të gjithë përdoruesit të përdorin autentifikim të dyfishtë në llogaritë e tyre. Google pranon se ata duhet ta kishin bërë këtë shumë kohë më parë sepse është mbrojtje e rëndësishme për përdoruesit e tyre.
"Ju mund të mos e kuptoni, por fjalëkalimet janë kërcënimi më i madh për sigurinë e rrjetit tuaj. Ato vidhen lehtë, mbahen mend vështirë, e menaxhimi i tyre është i ndërlikuar", shkruan Mark Risher, drejtor i menaxhimit të produkteve, Identity dhe User Security, në një blog që njofton për ndryshimin e ardhshëm.
Në vitin 2020 kërkimet e llojit "sa i fortë është fjalëkalimi im" u rritën për 300%. Fatkeqësisht, edhe fjalëkalimet më të forta sulmuesi mund t'i komprometojë dhe t'i shfrytëzojë.
Kompanitë e mëdha humbin shuma të konsiderueshme parash për shkak të lëshimeve të sigurisë që shpesh kanë të bëjnë me vjedhjen e fjalëkalimeve. E për shkak të mundësisë së hapur për të aktivizuar ose çaktivizuar autentifikimin e dyfishtë, ju lini mundësinë për cenueshmëri më të madhe të të dhënave tuaja.
Shumë kompani softuerësh shpesh zgjedhin me vetëdije të minimizojnë masat e paracaktuara të sigurisë, edhe pse e dinë që kjo ata i bën më të prekshëm ndaj sulmeve kibernetike dhe humbjeve katastrofale financiare.
Edhe pse disa mund të thonë se nuk është e lehtë të ndjekësh çdoherë vërtetimin e dyfishtë dhe se kjo u krijon probleme, Google thotë se ata besojnë se përdoruesit me autentifikim të detyrueshëm shpejt do të mësohen ta përdorin atë sa herë që hyjnë përsëri në llogaritë e tyre.

Një nga shembujt më të qartë të këtij problemi janë sulmet digjitale që përfshijnë rregullat e përcjelljes së emailëve dhe phishingu. Kriminelët kibernetikë shpesh përdorin rregullat e përcjelljes së emailëve brenda shërbimit të postës për të përcjellë automatikisht emailët në një adresë të jashtme që ata kontrollojnë. Taktika tërhoqi vëmendjen e FBI-së për shkak të përhapjes së saj të madhe. At-Bay vlerëson se bizneset amerikane humbën 220 milionë dollarë në incidente digjitale që lidheshin me dërgimin e emailëve në vitin 2020 shkruan Fastcompany.
Google tashmë posedon kontrolle të integruar të sigurisë ndaj sulmeve digjitale, si autentifikimi i dyfishtë kundër vjedhjes së llogarive dhe abuzimit të kredencialeve, kontrolle mbi filtrimin e bashkëngjitjeve kundër malwareve të fshehura në dokumente, prezantime ose fletëllogaritëse, kontroll mbi filtrimin e linkëve drejt lidhjeve të faqeve malicioze që infektojnë shfletuesin tuaj.
Shumica e këtyre opsioneve u lihet përdoruesve të vendosin nëse do t'i aktivizojnë, gjë që u lehtëson shpesh kompanive të programeve kompjuterikë kur komprometohen llogaritë e tyre. Prandaj, vendimi i Google për të bërë së paku autentifikimin e dyfishtë të detyrueshëm është hap i madh drejt mbrojtjes më të mirë të llogarisë. Sigurisht, Google nuk është e vetmja kompani që duhet të rishikojë parametrat e saj të sigurisë dhe të bëjë ndryshime të caktuara.
Tashmë kemi shkruar se sa i rëndësishëm është secili lloj i mbrojtjes shtesë për llogaritë tuaja, dhe në këtë link mund të lexoni më shumë se si të aktivizoni autentifikimin e dyfishtë në llogaritë e Googleit dhe në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
Për mbrojtjen e gazetarëve, është e rëndësishme të aktivizoni autentifikimin e dyfishtë, të përdorni fjalëkalime komplekse dhe unike dhe të përditësoni rregullisht softuerin.
Do të ishte e këshillueshme që gazetarët të kishin pajisje të posaçme për kryerjen e detyrave të ndjeshme. Nëpër redaksi do të ishte e domosdoshme të ekzistojë një sektor i veçantë të angazhuar për përmirësimin dhe mbrojtjen nga sulmet digjitale.

 

 

Ocijenite kvalitet članka