

Ilustruesi, karikaturisti dhe piktori anglez Frederik R. Barnard njëqind vjet më parë e tha një fjali e cila përsëritet edhe sot e kësaj dite: "Fotografia flet më shumë se një mijë fjalë".
Truri ynë vlerëson të dhënat vizuale kundrejt çdo lloj informatash të tjera. Më se 90% e informatave të cilat përcillen në tru janë vizuale, ndërsa truri i njeriut mund të përpunojë imazhin për vetëm 13 milisekonda.
Këtë fjali paraprake po e shpalosim edhe vizualisht si shembull se si do të mund të shpalosej vizualisht e që ky paragraf të mos shkruhej fare në tekst. Edhe ky imazh në masë të madhe do të ndikojë që publiku ta mbajë mend.
Një studim i fundit i cili ka hulumtuar ndikimin e vizualizimit interaktiv të të dhënave shkencore në lajmet për koronavirusin te ngacmimi i publikut, rreziku i perceptuar dhe hapat parandalues, ka treguar se "vizualizimet interaktive shkaktojnë frikë më të madhe, gjë që ka prodhuar nivele më të larta rreziku të perceptuar nga koronavirusi dhe hapa preventivë kundër virusit". Kjo do të thotë se përmbajtjet e paraqitura vizualisht, siç janë masat që duhen ndjekur për parandalimin e infektimit me virus, kanë pasur efekt më të madh te publiku që t'i zbatojnë ato masa.
Ky është vetëm një tregues tjetër se përmbajtja vizuale duhet të luajë rol kyç në shpalosjen e përmbajtjes mediale. Por, me një mënyrë të kujdesshme të përdorimit të vizualizimeve, të cilat gjithsesi mund të kenë efekte të llojllojshme, duke marrë parasysh përhapjen e madhe të informatave të rreme. Autori Uroš Krchadinac pati shkruar për Balkansmedia.org rreth vizualizimeve dhe subjektivitetit si shprehje e autorit. Ajo që gjithashtu duhet pasur parasysh është anshmëria që mund të shkaktohet, si në përmbajtjen tekstuale ashtu edhe në atë audiovizuale.
Infografikat janë metodë e shkëlqyer për vizualizimin e të dhënave.
Infografika janë bërë element i shpeshtë në gazetari, sidomos në sferën online. Me theks gjithnjë e më të madh te komponenti vizual në shpalosjen e lajmeve, infografika përkufizohet lirshëm si një varg teknologjish të cilat paraqesin informata komplekse të qasshme lehtësisht.
Sipas Cambridge English Dictionary, përkufizimi zyrtar i infografikave është: figurë ose diagram ose grup imazhesh ose diagramesh që shpalosin ose shpjegojnë informatat.
Infografika tregon storien duke përdorur një kombinim të përshtatshëm grafikash vizuale, të dhënash, tipografish dhe ngjyrash të qëlluara. Ekzistojnë shumë formate dhe stile unike të infografikës të cilat mund të jenë shumë efikase te publiku. Kreativiteti i punimit të infografikës është i hatashëm, ndërsa sillet nga krahasimet e thjeshta të hartave dhe grafikëve, e deri te diagramet, rrjetet dhe shpjegimet e tjera vizuale.
Ajo ofron mundësi të shkëlqyer për paraqitjen e rezultateve, ideve dhe informatave në mënyrë tërheqëse.
Infografika mund t'i kursejë shumë kohë publikut që në mënyrë të thjeshtë e vizualisht tërheqëse të lexojnë sasi të më të madhe informatash.
Infografikat ende nuk po përdoren sa duhet
Studimi i cili u realizua në vitin 2015 me emrin "Vizualizimi i lajmeve: Analiza vjetore e lajmeve interaktive në The New York Times dhe The Washington Post", ka shikuar se si këto dy media integrojnë parimet e dizajnit dhe vizualizimit të të dhënave për t'u paraqitur lexuesve të tyre informata komplekse. Rezultatet e analizën sasiore kanë treguar se The New York Times publikun infografika si pjesë e storieve më të mëdha në vend se t'i shpalosë ato si lajme të ndara. Shumica e infografikave (63%) ishin të lidhura me storien, çka do të thotë se vizualizimi i të dhënave përdoret për të pasuruar storiet.
Dy vitet e fundit kanë sjellë përhapjen e përdorimit të infografikave që përmes tyre të përcillen informatat mbi pandeminë në mënyrë sa më të thjeshtë e të kuptueshme. Me qëllim të ofrimit të ndihmës sa më të mirë në epokën e pandemisë, USAID BMAP kishte angazhuar një ekip i cili kishte krijuar elemente vizuale që mund t'i shfrytëzonin mediat në licenën Creative Commons.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përdorur (dhe vazhdon të përdorë) infografika për të shpalosur statistika lidhur me virusin, por edhe për të paraqitur sa më thjeshtë masat e nevojshme për luftën kundër virusit.
Edhe ky është vetëm një nga shembujt i cili tregon se si infografikat janë të rëndësishme për arritjen e efektit më të madh në përcjelljen e informatave.
Sot, në një botë me shumë të dhëna, mënyra se si mediat vendosin të shpalosin informata mund të ndikojë në atë se sa shpejt publiku mund t'i interpretojë informatat dhe cilat konkluzione mund të nxjerrë prej tyre.
Si të bëni infografika
Infografikat shpërndahen lehtë, janë atraktive në rrjetet sociale, dhe gjasat janë më të mëdha që përdoruesit të klikojnë në to, janë të mira për strategjinë tuaj SEO dhe definitivisht mund t'ju sjellin shumë benefite. Nga ana tjetër sot, sidomos me paraqitjen e pandemisë, infografikat mund të jenë vegël e shkëlqyer në duart e gazetarëve me rastin e përcjelljes së informatave të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve. Përdorini që sot dhe përfshijini në informimin e publikut tuaj.