A janë HR menaxherët në redaksi recetë për përballjen më të sukseshme të të punësuarve me sfidat?

11.12.2020. / 12:45

"Jam i bindur se më shumë se kurrë do të duhej të bisedonim për vendosjen e ekspertëve për burime njerëzore në pozita udhëheqëse në redaksi.

Nëse nuk mund t'i ndryshojmë njerëzit, nëse nuk mund të rekrutojmë me efikasitet, nëse nuk mund të bëjmë që edukimi dhe të mësuarit të bëhen pjesë e kulturës dhe nëse nuk kemi menaxherë dhe fuqi punëtore e cila do të mund të ndryshonte vazhdimisht, duhet t'i përkushtohemi menaxhimit të kapitalit njerëzor i cili është i orientuar drejt gazetarisë dhe sfidave me të cilat sot përballen gazetarët".

Kështu që në vitin 2014 në tekstin për Niemanlab.org shkruante Mat DeRienzo, këshilltar i industrisë mediale.

Ishte kjo para pandemisë COVID-19, para presioneve të mëdha financiare mbi mediat dhe para se të përshkallëzohej pasiguria e punës së gazetarëve/eve në mbarë botën.

Pse gazetaria është një nga profesionet më stresuese në botë

Sipas Fondacionit Psikiatrik Amerikan, shkaqet më të shpeshta të stresit, zemërimit dhe ankthit në vendin e punës janë:

  • Kërkesat e mëdha në punë

  • Resurset e pamjaftueshme

  • Çekuilibër me të cilin shpërblehet mundi, ku punëtorët konsiderojnë se përpjekjet e tyre hasin kompensim të vogël dhe mirënjohje të dobët

  • Synimet që lidhen me punën konsiderohen tejet të vështira, por jo edhe sfida të realizueshme

Të gjitha këto arsyet janë veçori të zanatit së gazetarisë tash e disa dekada pavarësisht rrethanave që dominojnë në shoqëri. Nëse streseve të zakonshme ua shtojmë pandeminë COVID-19 të cilën gazetarët po e përcjellin që nga fillimi, raportojnë dhe i përditësojnë të dhënat çdo ditë, e kuptojmë se presionet janë edhe më të mëdha.

"Nuk do të duhej të ndodhte pandemia për t'u vetëdijësuar për presionin e fuqishëm të cilit gjithmonë i jemi ekspozuar, bashkë me pasigurinë e panës afatgjatë", deklaroi njëri nga gazetarët në një anketë të realizuar së fundmi nga PressGazette.co.uk.

Në një tekst të mëparshëm, Lejla Huremović tha se "është tejet e rëndësishme të kemi redaktorë/e me shkathtësi të mira menaxheriale, e në rrethana të këtilla kjo mund të jetë qenësore. Se si do të nxirren dhe aplikohen vendimet të cilat nuk do të duhej të cënonin raportimin e vazhdueshëm profesional të mediave, e njëkohësisht t'u kushtohet vëmendje shëndetit të gazetarëve/eve, mbetet çështje prioritare e çdo redaksie".

Redaktorët kanë përgjegjësi të madhe sa i përket saktësisë dhe vërtetësisë së të dhënave, mbulueshmërisë së mirë të të gjitha temave që i presin njerëzit, raportimit cilësor i cili njerëzve në izolim u shërbeu si lidhja e vetme me botën. A mund t'i respektojnë redaktorët/et krejt ato që priten prej tyre, të kujdesen për shëndetin e punëtorëve dhe në fund të kujdesen për edukimin e të punësuarve në redaksi? A kanë nevojë?

Sjellja e një menaxheri/eje për potenciale njerëzore do të ishte përgjigje e duhur për këtë sfidë.

Si mund t'u kontribojnë redaksive menaxherët për burime njerëzore

Mediat çdo ditë po ndryshojnë nën ndikimin e ndryshimit të shprehive të publikut të tyre.

Kjo sasi e ndryshimit ende nuk mjafton.

Redaksitë çdo ditë përballen me sfidat siç janë lajmet e rreme, sensacionalizmi, qasjet e këqija në raportim për grupet e margjinalizuara...

Vlen të theksohet se nuk bëhet fjalë gjithmonë për gjahun e klikimeve dhe dëshirën e mediave t'i laritet publikut. Nganjëherë kjo është pasojë e mungesës së njerëzve, njohurive dhe qasjes më të mirë ndaj temave.

Ku dalin në pah resurset njerëzore?

Hulumtimet e industrisë britanike të botimeve kanë treguar se madhësia e fuqisë punëtore në industrinë e mediave është zvogëluar nga 308,500 në vitin 1997 në 225,000 në vitin 2014. Por, ndryshimet strukturore dhe përshtatja e resurseve njerëzore kanë krijuar fuqi punëtore shumë më produktive. Zvogëlimi i stresit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit.

Punësimi i menaxherëve për resurse njerëzore në redaksi nuk do ta bëjnë profesionin e gazetarisë më pak stresues, i cili bashkë me pilotët, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e forcave të armatosura është një nga profesionet më stresuese.  Resurset njerëzore i zgjidhin pyetjet që lidhen me të punësuarit, ato janë përgjegjëse për sigurimin e mirëqenies së të punësuarve dhe zgjidhjen e të gjitha sfidave që lidhen me njerëzit.

Menaxhimi i planifikuar i potencialeve të të punësuarve me këshillime lidhur me zhvillimin e karrierës së gazetarëve/eve mund të sjellë rritje të produktivitetit dhe qasje më të mirë ndaj punëes. Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm për gazetarët/et cilësorë/e dhe me përvojë që kanë njohuri specifike. Ruajtja e kuadrit të këtillë nuk është i mundur vetëm me rritjen e rrogës. Edukimi shtesë, liria e qasjes në disa tema, mundësitë e avancimit janë vetëm një pjesë e asaj që HR menaxherët mund të sjellin në redaksi.

Punësimi i milenialëve të cilët po hyjnë në fuqinë punëtore ndikon në qëndrimet dhe vetëdijen e punëdhënësve, madje edhe në industrinë mediale. Milenialët kërkojnë mundësi të kontributit aktiv në komunitet. Sot ekzistojnë pritshmëritë e mëdha që organizatat të veprojnë me përgjegjësi shoqërore, dhe mediat këtu nuk bëjnë përjashtim.

Zhvillimi teknologjik kërkon trajnime të vazhdueshme për të përvetësuar shkathtësi teknike të nevojshme për kryerjen e punës. Të kuptuarit e metrikave themelore, analizimi i vizitave në uebfaqe, klikimeve dhe konversionit janë shkathtësi të rëndësishme për ata që janë të përfshirë në çfarëdo forme të krijimit të përmbajtjes në uebfaqe. Për t'i zotëruar këto shkathtësi, nevojiten investime në edukimin e fuqisë punëtore.

Zhvillimi dhe orientimi i kulturës së tolerancë, promovimi i diversitetit në redaksi, por edhe ndaj publikut të jashtëm do të duhej të ishin qëllimet e menaxherëve/eve për resurse humane në media. Pa diversitetit në redaksi disa çështje nuk do të hapen. Industrisë i duhen më shumë gazetarë me invaliditet, më shumë pjesëtarë të grupeve të margjinalizuara për të parë vërtet ndryshime.

Puna e menaxherit për potenciale njerëzore në media nuk është vetëm intervistimi i kandidatëve për punë dhe përditësimi i tabelave me ditëlindjet e të punësuarve. Nevojat e redaksive janë tejet komplekse. Redaktorët nuk munden dhe nuk arrijnë t'i mbulojnë të gjitha nevojat e redaksisë dhe të të punësuarve, sidomos ato që lidhen me edukimin dhe përfitimet individuale të të punësuarve.

Ocijenite kvalitet članka