KAPWING: Lojtari i ri në botën e video montazhit online

12.05.2022. / 10:58
Autor/ica
Share
kapwing
kapwing

Viteve të fundit, me përshpejtimin e lidhjes së internetit dhe me kalimin e lehtë të fokusit SaaS (softueri si shërbim) nga aplikacionet e specializuara korporative te përdorimi i përditshëm si dhe me shërbimet mjaft të lira të serverëve virtualë, janë shfaqur shumë aplikacione të cilat synojnë t'i ndihmojnë secilit që me pak përpjekje të krijojë material të shkëlqyer vizual për kanalet e veta. Derisa Canva ishte një nga aplikacionet e para që me sukses zuri vend në këtë treg aplikacionesh siç është VEED.io, edhe të tjerat u përfshinë në këtë garë me theksin se ato mund t'ju ndihmojnë të montoni sa më shpejt videon apo animacionin tuaj dhe ta shpërndani atë pa telashe dhe me shpejtësi në kanalet tuaja të komunikimit social. Edhe Adobe iu bashkua kësaj gare duke ofruar versione të ndryshme të aplikacioneve kompjuterike që tani mund t'i përdorni në cloud ose në pajisjen tuaj mobile. Sot po ju shpalosim edhe një aplikacion që synon të lehtësojë montazhin e videos të quajtur Kapwing. Ky aplikacion synon që, me një interface të thjeshtuar në shfletuesin tuaj të preferuar të internetit, t'ju mundësojë të montoni, përpunoni, përshtatni formatin, dhe në fund të shpërndani video përmbajtjen tuaj.

Kapwing është softuer për montazhin e videove që ju hapni në shfletuesin tuaj të preferuar të internetit. Megjithatë, Kapwing nuk është vetëm kaq, por shumë më tepër. Sipas informatave në faqen e tyre, me këtë vegël ju mund të gjeneroni meme, të bëni GIF, të bëni video me materiale të qasshme dhe të hapura ose me xhirimet tuaja origjinale dhe shumë më shumë.

Çka ofron Kapwing?

Kapwing në faqen e vet ofron një listë të plotë të veglave dhe mënyrave se si ky softuer mund të përdoret për të mbuluar më mirë publikun e mediave sociale me materialin tuaj të ndryshëm vizual statik ose dinamik. Shumica e tyre theksojnë synimin që Kapwing të mundësojë një video montazh sa më të mirë që është e mundur dhe postproduksion elementar përmes:

  • largimit të sfondit,

  • punës në çelësin e gjelbër,

  • përpunimit të thjeshtuar manual të ngjyrave në video,

  • përpunimit të dukjes së videos me filtra,

  • mjegullimit të videove,

  • fshirjes së automatizuar të qetësisë nga videoja me opsionin smart cut,

  • shtimit të automatizuar të titrave.

Sigurisht, aty ka një gamë të tërë veglash që ju mundësojnë të krijoni grafikë, tekst të animuar dhe opsione të ngjashme të ofruara nga softuerë të tjerë.

Dy opsionet vërtet interesante janë smart cut i cili mund të përshpejtojë punën e montazhit duke larguar pjesë të videos ku bashkëbiseduesit heshtin, si dhe përpunimi i ngjyrave në video që përveç filtrave standardë ofron edhe mundësinë e redaktimit manual të disa opsioneve themelore siç është dukshmëria (opacity), niveli i ndriçimit, kontrastit dhe mjegullimit. Këtyre dy opsioneve mund t'u qaseni përmes menysë kontekstuale në anën e djathtë e cila ofron të gjitha këto opsione kur klikoni te videoja që dëshironi të përpunoni në projektin tuaj. Opsioni i parë mund të gjendet duke klikuar te butoni Smart Cut derisa opsioni i dytë gjendet nën opsionin Adjust.

Ekziston mundësia që titrat t'i krijoni në mënyrë të automatizuar (zëri në tekst) apo manuale. Ndryshe nga Type Studio, i cili nuk mundëson transkriptimin në asnjë gjuhë të rajonit, Kapwing ofron krijim të automatizuar të titrave në kroatisht dhe serbisht. Për fat të keq, ende nuk kemi gjetur softuerë të këtij lloji që ofrojnë transkriptim në shqip dhe maqedonisht. Deri më sot kemi arritur të gjejmë vetëm softuerin për transkriptim Volkomatic që ofron këtë opsion edhe për këto dy gjuhë. Edhe pse në tekstin tonë titrat dolën me disa gabime si mungesa e shkronjës së parë të madhe dhe shenjave të pikësimit, ne besojmë se në disa raste të tjera titrat do të dilnin në formë shumë më të mirë. Pavarësisht kësaj, titrat janë mjaft të mira dhe me disa përmirësime të vogla mund të shërbejnë shumë mirë që videon tuaj ta bëni të qasshëm për të gjithë. Ndryshe nga disa aplikacione të tjera, Kapwing mundëson eksportin vetëm në formatin SRT, por vetëm nëse keni paguar licencën për qasje të plotë. Kjo nuk është çudi, meqë aplikacioni synon montazhin e videove ndërsa këto lloje shërbimesh shtesë dëshiron t'i shfrytëzojë për t'ju nxitur të paguani çmimin e plotë për shërbimet e tyre.

adf

Si përdoret kapwing

Vetë interfacei i Kapwingut bazohet në rregullat e vendosura që opsionet themelore gjenden në anën e majtë të ekranit bashkë me hapësirën e zgjeruar kontekstuale përcjellëse, tavolina e punës është në mes, ndërsa menyja e kontekstualizuar gjendet në anën e djathtë. Në pjesën e poshtme standarde është shiriti për vendosjen e shtresave të ndryshme të titrave që gjithmonë gjenden në krye pranë audio përmbajtjes që gjendet poshtë shiritit ku ndodhet video përmbajtja. Ajo që e veçon nga programet e tjera online të këtij lloji është interfacei i errët të cilin ndoshta e kanë krijuar, sikurse edhe shumica e rrjeteve sociale, për të zvogëluar harxhimin e energjisë elektrike apo për t'i ngjarë më shumë softuerit profesional për montazh siç është Adobe Premiere Pro.

kapwing

Pasi të jeni regjistruar me sukses duke përdorur emailin tuaj apo duke u regjistruar drejtpërdrejt me llogarinë në Google, do t'ju shfaqet ballina e hapësirës së punës me interfacein e ndriçuar ku do të mund t'i qaseni projektit testues me të cilin në një video të shkurtër do të njiheni me të gjitha opsionet e këtij programi dhe mjedisin e tij. Gjithashtu do të mund të krijoni projekt të ri duke klikuar në opsionin Create New Project. Më pas, menjëherë do të kaloni në projektin tuaj i cili do të shndërrohet në interface të errët dhe do t'ju jepen mundësitë të importoni videon tuaj nga kompjuteri apo ndonjë vend në cloud, e nëse nuk keni video që dëshironi të importoni ju ofrohet opsioni të filloni me tavolinën e zbrazët e cila automatikisht do t'i përshtatet formatit të Instagramit 1:1. Më pas, mund të filloni të shtoni tekstin i cili mund të jetë statik apo i animuar me disa opsione të ofruara. Gjithashtu do të mund të shtoni fotografi, grafika dhe video të cilat mund t'i kërkoni nëpër kategori të ndryshme dhe në fund të shtoni muzikë dhe efekte zanore. Të gjitha këto opsione gjenden në anën e majtë të ekranit. Opsionin shtesë që e ofrojnë edhe programet e tjera të këtij lloji është xhirimi i ekranit, videos nëse kompjuteri juaj ka kamerë, xhirimi simultan i ekranit dhe juve, si dhe audios të cilin mund ta inkorporoni në videon tuaj.  Në fund mund ta lidhni hapësirën tuaj të punës në Kapwing me ekstensione dhe resurse të ndryshme si Giphy, Pixabay e kështu me radhë.

via GIPHY

Pasi të keni montuar me sukses videon tuaj, dhe pasi të keni futur automatikisht titra (të cilat janë të kufizuara në 10 minuta në muaj në versionin falas) ju mund të eksportoni përmbajtjen tuaj në formatin MP4 video, GIF, imazh, ose audio në formatin mp3. Duhet theksuar se pavarësisht rezolucionit në të cilin keni xhiruar, videoja juaj në opsionin falas do të eksportohet në formatin 720p.

Çmimi dhe cilësia

Derisa Kapwing kurrë nuk do të rrezikojë pozitën e softuerëve profesionalë të montazhit të cilët tashmë janë të pozicionuar në treg, e që nuk është qëllimi i tij, ky program është shtojcë e mundshme për çdo redaksi mediale apo gazetarë të pavarur të cilët duan të prodhojnë video me shpejtësi dhe ta shpërndajnë atë te publiku i tyre. Meqë ende është në zhvillim e sipër, në aspektin e çmimit është më kompetitiv se softuerët e tjerë të këtij lloji dhe versionet pro dhe teams (në zhvillim e sipër) kushtojnë 16 dollarë në muaj (për Teams, në muaj për përdorues) me pagesë në bazë vjetore. Derisa ndryshe nga VEED.io nuk mund të mburret me eksportin në formatin 4K, ajo që i jep avantazh shtesë është numri i pakufizuar i transkriptimeve dhe krijimit të titrave, të cilat produktet e tjera zakonisht i kufizojnë në një numër të caktuar orësh në muaj. Prandaj, nëse dëshironi të keni mundësinë për të krijuar video të qasshme për 192 dollarë në muaj, atëherë ky është padyshim produkti për ju. Nëse marrim parasysh se licenca e punës për Adobe Premiere Pro kushton 35,99 dollarë në muaj (431 dollarë në vit) dhe ende nuk e ka të integruar opsionin e titrimit automatik, atëherë ky çmim në nivel vjetor mbase nuk është edhe aq i lartë.

Ocijenite kvalitet članka