

"Për mua, personat lokalë gjithmonë kanë qenë ata që dijnë se si jetohet në komunitetin tim. Gjithmonë ka ekzistuar një lidhje midis personit prapa ekranit dhe llojit të raportimit. Unë nuk po kërkoj medium për të ditur se çka po ndodh në botë, por po kërkoj medium për të parë se çka ndodh në rrugën matanë", kështu lajmet lokale dhe raportimit e tyre e ka shpjeguar Christine Portela, drejtoreshë e lajmeve në Univision.
Vite hulumtimesh tregojnë se në krejt botën ekziston trendi i rënies së besimit në mediat nacionale, derisa besimi në mediat lokale sa vjen e rritet.
Përveç mundësive të mira që sjell rritja e besimit të publikut, ekzistojnë edhe disa paradokse. Sa më të këqija kushtet e punës, aq më e madhe nevoja për mediat lokale. Sa më të vështira rrethanat, aq më të mira rezultatet e punës.
Sa më të mira rezultatet e punës, aq më e vështirë mbijetesa e mediave lokale.
Mbulimi i lajmeve të caktuara
Nuk dallojnë vetëm temat për të cilat raportohet në media lokale. Është e qartë se disa tema janë tejet lokale dhe për to nuk kanë interes mediat më të mëdha. Përgatitja e lajmeve që i interesojnë një grupi të vogël njerëzish nuk u sjell leverdi mediave nacionale.
Prandaj, aty mediat lokale janë të pamposhtura.
Hulumtimet kanë treguar se publiku ka më shumë besim në media lokale kur për një temë raportojnë edhe mediat nacionale edhe ato lokale. Në tekstin Dallimet midis mediave nacionale dhe lokale në raportimin mbi virusin Zika, autorët zbuluan se ekzistojnë dallime thelbësore, por edhe ngjashmëri.
Duke krahasuar raportimet mbi shpërthimin e virusit Zika në vitin 2016, në New York Times, medium nacional prestigjioz, dhe në Tampa Bay Times, medium i famshëm nga Florida, u dëshmua se shtjellimet dhe komentet e publikut sollën raportim më cilësor në media lokale.
Disa aspekte të raportimit siç është gjuha sensacionaliste dhe informatat e pasaktë mbi rrezikun, nuk dalloheshin dot në dy llojet e mediave.
Kjo flet për sfidat me të cilat përballen gazetarët nga të dyja anët e mediave.
Si arrijnë mediat lokale atë që s'mund të arrijnë ato nacionale
Përkundër faktit se mediat nacionale (kryesisht) kanë gjendje më të mirë financiare, ekzistojnë elemente të cilat, me gjithë problemet, funksionojnë më mirë te mediat lokale. Këto elemente janë pikërisht arsye për rritjen e besimit në raportimin e mediave lokale.
Komunikimi me lexuesit
Edhe pse punësimi në redaksi është i vogël dhe shpesh i pamjaftueshëm për nevojat e mediave, mundësitë e ndërveprimit me pubikun janë më të mëdha se kurrë falë rrjeteve sociale dhe funksionimit të komunitetit të vogla ku njerëzit njihen mes vete.
Gazetarët kanë mundësi për komunikim të afërt dhe individual me lexuesit.
Komunikimi i këtillë i drejtpërdrejtë është tejet i rëndësishëm sepse gazetarët lokalë shpesh janë gazetarët e vetëm me të cilët njerëzit takohen. Rezultat i takimeve në situatat e jetës së përditshme në vende të rëndomta është besueshmëria në media.
Afrimi i procesit të punës
T'u shpjegosh njerëzve se si funksionon gazetaria do të thotë ta bësh procesin e krijimit të lajmeve transparent.
Publiku nuk e di se si lindin lajmet dhe nuk e njeh terminologjinë që përdorin gazetarët. Joy Mayer, drejtoreshë e projektit Trusting News, tregon se kur gazetarët flasin për "burimet anonime", shumë njerëz mendojnë se as vetë gazetari nuk e di se kush është burimi.
Probleme të këtilla mund të zgjidhen lehte, e kjo do të mund të sillte më shumë besim në zanatin e gazetarisë.
Jepuni lexuesve atë që duan
Pa këtë lloj transparence, siç u cek në raportin e fundit të Fondacionit Knight, besimi në mediat lokale "rrezikohet sikurse rrezikohet edhe besimi në mediat nacionale".
Mënyra për të eliminuar këtë është t'i ofrosh publikut një pjesë të monitorimit.
Në artikullin që e publikoi Niemanlab, këshilltarja e redaksisë Jennifer Brandel dhe redaktorja Mónica Guzmán thonë: "Në të ardhmen, ajo që mbulojmë në media do të formësojë drejtpërdrejt komunitetet tona. Pjesë e rutinës sonë do të jetë pyetja e drejtpërdrejt që i shtrohet publikut: "çka nuk dini për _______, e çka do të donit të hulumtonim?". Kështu do të kuptojmë se publiku nuk dëshiron video kafshësh shtëpiake. Kështu do t'i shohim ata si njerëz të zgjuar, kurreshtarë, si njerëz pyetjet e të cilave rezultojnë me storie burimore, të mençura e të shkëlqyera, të cilat në fund japin lajme të fundit dhe marrin çmime prestigjioze".
Përmendja e publikut te pyetjet e parashtruara dhe dëgjimi i nevojave të tyre mund të rezultojë me storie të cilat gazetarët nuk do të kishin mundur t'i prodhonin.
Zvogëlimi i lajmeve lokale për demokracitë është ajo që ndryshimet klimatike janue për mjedisin
Tim Franklin, ligjërues i lëndës Lajmet lokale pranë Universitetit Medill Initiative Northwestern, thotë: zvogëlimi i lajmeve lokale për demokracitë është ajo që ndryshimet klimatike janue për mjedisin. Kjo është krizë e ngadalësuar, efektet e së cilës po fillojmë t'i shohim sot".
Duket qartë se ekziston apetiti për lajmet relevante, lokale. Pyetja e madhe është: si të shfrytëzohen ky apetit më së miri dhe të mbijetohet në dobi të publikut dhe mediave lokale?