

Në një botë ku peizazhi digjital po evoluon vazhdimisht, mediat përballen me sfida të reja në përpjekjen për të mbuluar audiencën e tyre. Dominimi i shtuar i mediave sociale dhe algoritmeve të tyre, të cilat ngushtojnë shtrirjen e postimeve dhe synojnë grupe specifike demografike, ka çuar në ulje të trafikut që mediat marrin përmes këtyre platformave. Ky trend vë në pah rëndësinë e diversitetit në strategjitë e mbulimit të audiencës, veçanërisht ato që nuk përfshijnë ekskluzivisht mediat sociale.
Në këtë artikull po shtjellojmë strategji dhe platforma të ndryshme që mediat mund t'i përdorin për të mbuluar në mënyrë efektive audiencën e tyre, pavarësisht sfidave të paraqitura nga mediat sociale.
Kufizimet algoritmike në Facebook
Facebooku në vitin 2023 shpalosi disa kufizime që ndikojnë në dukshmërinë dhe shtrirjen e përmbajtjes mediale. Kufizimet realizohen përmes algoritmit të Facebookut, i cili është përgjegjës për grupin e rregullave që rendisin përmbajtjen në platformë dhe në çfarë rendi përmbajtja do t'u shfaqet përdoruesve.
Algoritmi i Facebookut vlerëson çdo postim, reklamë, storie dhe Reel. Ai poenton përmbajtjen dhe më pas e organizon atë në rend zbritës të interesit për çdo përdorues veç e veç. Ky proces ndodh sa herë që përdoruesi e rifreskon feedin e tij. Facebook e quan këtë algoritëm "renditje të personalizuar".
Metodat e verifikimit algoritmik janë këto:
- Inventari (Inventory): Facebooku merr parasysh çdo përmbajtje që mund të shfaqet në burimin tuaj. Kjo përfshin postime nga njerëz me të cilët jeni miq, përmbajtje nga faqet dhe grupet që ndiqni.
- Sinjalet: Algoritmi më pas vlerëson rëndësinë e secilës pjesë të përmbajtjes duke u bazuar në mijëra sinjale. Kjo përfshin sinjale si kush e ka postuar atë dhe sa shpesh ndërveproni me ta. Gjithashtu, algoritmi shikon se kur e kanë publikuar postimin dhe sa është ora për ju. Këtu përfshihen edhe sinjalet si lloji i përmbajtjes dhe mënyra se si keni ndërvepruar me postime të ngjashme. Me fjalë të tjera, ai përpiqet të vlerësojë rëndësinë duke kuptuar natyrën e përmbajtjes dhe sjelljen tuaj.
- Parashikimet: Pastaj, duke përdorur sinjalet e mësipërme, ai krijon parashikime për atë që dëshironi të shihni. Algoritmi do të analizojë sjelljen tuaj të mëparshme për të kuptuar se sa ka gjasa që ju të angazhoheni me një pjesë të përmbajtjes.
- Relevanca: Çdo pjesë e përmbajtjes merr një vlerësim të relevancës, postimet me pikët më të larta janë më afër majës së feedit tuaj.
Si rezultat i këtyre ndryshimeve, postimet në faqe janë bërë më pak të dukshme, gjë që ka çuar në rënie të numrit të vizitave në webfaqet që mbështeten në Facebook për të tërhequr audiencën e tyre. Në praktikë, kjo do të thotë se mediat po tërheqin gjithnjë e më pak njerëz tek artikujt e botuar përmes webfaqeve të tyre në Facebook, gjegjësisht se ardhja te webfaqja e mediave përmes rrjeteve sociale nuk është më e njëjtë si më parë. Po ashtu, ekziston edhe problemi i zvogëlimit të ndërveprimit të përdoruesit me postimet, gjë që rezulton në më pak klikime në linkët që çojnë në webfaqet e mediave.
Nga mesi i këtij viti, Press Gazette raportoi për rënien e shikimeve të faqeve që vinin përmes Facebookut. Duke iu referuar të dhënave të kompanisë analitike Chartbeat, në vitin 2018, 27% të shikimeve vinin përmes Facebookut, derisa ky numër pësoi rënie drastike në vitin 2023, duke arritur në 11%.
Ky trend me siguri do të vazhdojë edhe në rrjetet e tjera sociale, që gjithsesi përbën sfidë të madhe për mediat, kur flasim për mbulimin e publikut.
Strategjitë që mund të ndihmojnë në mbulimin e publikut jashtë Facebookut
Ekzistojnë strategji të ndryshme të cilat mediat mund t'i aplikojnë për të mbuluar publikun e tyre jashtë Facebookut.
Disa prej këtyre strategjive janë prodhimi i buletinëve për informimin e publikut, përshtatja e përmbajtjes së udhëhequr me strategjinë SEO, si dhe diversifikimi i platformave.
1. E-mail buletinët: E-mail buletinët u mundësojnë mediave të komunikojnë drejtpërdrejt me publikun e tyre përmes përditësimit, promovimit dhe kujtuesve miqësorë për të ruajtur kontaktet. E-maili është pothuajse po aq i vjetër sa edhe interneti, por ende funksionon si metodë marketingu. E-mail buletinët janë në thelb një mënyrë tjetër për të shpërndarë përmbajtjen ekzistuese. Ato u mundësojnë mediave të dërgojnë rregullisht lajme, artikuj dhe informata të tjera relevante të përditësuara direkt në kutinë e mesazheve të abonentëve të tyre. Përmes mesazheve të personalizuara, mediat mund të ndërtojnë marrëdhënie më të fortë me audiencën e tyre, duke rritur angazhimin dhe besnikërinë. Për çdo buletin elektronik që dërgoni, gjenerohen statistika që u ofrojnë mediave të dhëna të vlefshme në lidhje me sjelljen e audiencës së tyre, duke u mundësuar t'i kuptojnë më mirë interesat e audiencës së tyre dhe të përshtatin përmbajtjen e tyre për t'i përmbushur më mirë ato interesa.
2. SEO-driven content marketing: Krijimi i përmbajtjes së udhëhequr nga SEO-ja mund të jetë mënyrë efektive për të arritur audiencën tuaj të synuar. Kjo është një qasje që mediat mund ta përdorin për të tërhequr audiencën e synuar. Kjo qasje përfshin krijimin e përmbajtjes (artikuj, blogë) të përqendruar në shprehjet dhe temat që kërkohen në internet, me qëllimin përfundimtar të promovimit të mediave që e kanë shkruar atë. SEO content marketing përqendrohet në prodhimin e përmbajtjes së fokusuar në fjalë kyçe që tërheq trafik të kualifikuar nga Googlei në webfaqen e kompanisë. Lidhur me optimizimin SEO të mediave dhe përmbajtjes suaj mund të lexoni në një varg tekstesh që kemi shkruar për ju në periudhën e mëparshme.
3. Diversifikimi i platformave: Në vend se të mbështeteni vetëm në një platformë, merrni parasysh përdorimin e platformave të ndryshme për të arritur audiencën tuaj. Diversifikimi i platformave është strategji kryesore që mund të përdoret nga mediat për të arritur audiencë më të gjerë. Kjo strategji përfshin përdorimin e platformave të ndryshme online për shpërndarjen e përmbajtjes, në vend se të mbështetet vetëm në një. Çdo platformë ka audiencën e vet unike dhe mënyrat specifike se si përdoruesit konsumojnë përmbajtje. Duke përdorur platforma të ndryshme, mediat mund ta përshtatin përmbajtjen e tyre për t'iu përshtatur më së miri secilës platformë, duke rritur angazhimin dhe mbulueshmërinë. Këto platforma mund të jenë rrjete të ndryshme sociale, por edhe webfaqe dhe blogë të tjerë, e-buletine, podkaste, video platforma si YouTube, si dhe aplikacione celulare. Secila nga këto platforma ofron përfitime unike dhe mund të jetë mënyrë efektive për të arritur audiencat përtej mediave tradicionale sociale.
Në një botë ku algoritmet e mediave sociale po formësojnë gjithnjë e më shumë mënyrën se si informatat arrijnë deri tek audienca, gazetaria përballet me sfida të reja dhe komplekse. Ngushtimi i shtrirjes së përmbajtjes në platforma si Facebooku ngre pyetje në lidhje me qëndrueshmërinë e këtyre kanaleve si mjeti kryesor i shpërndarjes së lajmeve. Por, këto sfida hapin edhe mundësi të reja. Integrimi i kanaleve dhe strategjive të ndryshme për të arritur audiencën, duke përfshirë gazetat elektronike, marketingun e përmbajtjes së udhëhequr nga SEO-ja dhe diversifikimin e platformës, mund të ofrojnë zgjidhje për këto probleme. Përmes inovacionit dhe përshtatjes, gazetaria mund të vazhdojë të lulëzojë pavarësisht sfidave të paraqitura nga mediat sociale.