Kujt duhet t'i kushtoni vëmendje kur xhironi me telefon

25.05.2023. / 11:35
Autor/ica
Share
mobile journalism
mobile journalism

 

Gazetaria mobile, e njohur edhe si MoJo, vazhdon të jetë aspekt gjithnjë e më i rëndësishëm i gazetarisë sot. Pajisjet mobile, si telefonat celularë dhe tabletët janë bërë gjithnjë e më të prënishëm, duke u mundësuar gazetarëve të xhirojnë, të përpunojnë e të publikojnë lajme direkt nga terreni.

Ka një sërë faktorësh të cilët flasin për rëndësinë e gazetarisë mobile, e disa prej tyre janë qasshmëria dhe drejtpërdrejtësia, leverdia, fleksibiliteti, angazhimi më i mirë dhe mbulueshmëria e publikut, inkluziviteti dhe diversiteti.

Pajisjet mobile u mundësojnë gazetarëve të raportojnë për ngjarjet që po ndodhin tash, duke i ofruar publikut përditësime në kohë reale. Gazetarët mund të kapin shpejt fotografi, video,   intervista dhe t'i shpërndajnë menjëherë ato përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të veçanta për lajme, duke siguruar që lajmet të arrijnë shpejt deri te publiku. Me një varg veglash në pajisjet mobile për përpunimin e fotografive dhe videove, cilësia e produkteve nuk dallon nga cilësia e xhirimit me kamera profesionale dhe me përpunim në softuerë profesionalë. Disa prej këtyre veglave janë Luma Fusion, KineMaster dhe të tjerat.

Gazetaria mobile u mundëson mediave të punojnë në mjedise të ndryshme dhe t'u përshtaten skenarëve të ndryshëm të raportimit. Ata mund të lëvizin lehtë mes shkrepjes së fotografive, xhirimit të videove, zhvillimit të intervistave dhe transmetimit të ngjarjeve live. Transmetueshmëria dhe prania e pajisjeve mobile u mundësojnë gazetarëve të mbulojnë storie nga vise apo zona të largëta ku pajisjet tradicionale mbase nuk mund të kryejnë punë.

Në përgjithësi, gazetaria mobile është bërë pjesë përbërëse e peisazhit medial në vitin 2023. Qasshmëria, leverdia, drejtpërdrejtësia dhe aftësia për tu angazhuar me publikun e bëjnë atë veglën kyçe për gazetarët në procesin e shkrimit dhe shpërndarjes së lajmeve në një epokë digjitale e cila po zhvillohet me hov të shpejtë.

Këshilla për xhirim me telefon

Kur xhironi me telefon të mençur për qëllime mediale apo të tjera, ja disa këshilla për të përmirësuar cilësinë e videove tuaja:

  • Mbani kuadër të njëjtë – peisazh (horizontal) apo portret (vertikal) – në tërë videon. Kjo krijon kohezion në shikim, sidomos nëse publiku i synuar e shikon videon tuaj në telefon celular.
  • Shmangni zona që mund të prodhojnë ton me cilësi të dobët gjatë xhirimit, meqë toni është pjesa më e vështirë për montazh të videos. Fryma, trafiku, apo zhurmë të tjera mjedisore janë disa nga rreziqet që duhet t'i shmangni.
  • Sigurohuni që burimi juaj i dritës, qoftë natyror apo artificial, të jetë prapa telefonit celular. Nëse bashkëbiseduesi juaj qëndron me dritën prapa kjo do t'i krijojë siluetë subjektit gjë që do të vështirësojë pasqyrimin e fytyrës së tij.
  • Ndiqni rregullin e të tretave: Videot janë më interesante nëse subjekti juaj gjindet në skajin e majtë apo të djathtë të një të tretës së fotografisë suaj. Aktivizimi i rrjetit të kamerës në telefonin tuaj mund t'ju ndihmojë ta kuadroni subjektin në përputhje me këtë. Nëse xhironi vertikalisht sigurohuni që subjekti juaj të jetë në qendër të kuadrit.
  • Trajtoni videot si një varg fotografish. Pauzoni tri apo katër sekonda në çdo klip para se të kaloni te tjetri, duke i mundësuar publikut ta kapë plotësisht fotografinë ndërsa videoja vazhdon tutje.
  • Trajtoni videot si sekuenca, me ç'rast çdo klip natyrshëm të çon te tjetri. Kjo ndihmon që storia të tregohet vizuelisht me një radhitje të cilën publiku e ndjek me lehtësi.

Përveç këtyre këshillave themelore kushtojini vëmendje edhe stabilitetit të telefonit tuaj. Stabiliteti është qenësor. Për t'i shmangur dridhjet, stabilizoni telefonin tuaj me ndihmën e tripodit apo stabilizatorit manual. Kjo do të ndihmojë në krijimin e videove më të natyrshme dhe më profesionale. Gjithashtu, mos bëni zoom por afrojuni bashkëbiseduesit tuaj. Zoomi digjital shpesh degradon cilësinë e fotografisë derisa afrimi fizik ruan qartësi më të madhe.

Dhe për fund jini kreativë me videot tuaja. Provoni kënde dhe perspektiva të ndryshme që videove tuaja t'u shtoni laramani dhe interes. Provoni të xhironi nga kënde të sipërme apo të poshtme ose eksperimentoni me kuadra jokonvencionalë.

Nëse i ndiqni këto rregulla themelore videot tuaja do të jenë më cilësore dhe më atraktive për publikun. E kjo do t'ju mundësojë mbulueshmëri më të madhe të publikut të synuar.

Ocijenite kvalitet članka