Kur dhe si gazetarët/et duhet të shkruajnë vazhdimin e stories

02.08.2021. / 07:20
Autor
Share
dsds
dsds

Raportimi për një situatë të re, ngjarje, krim të kryer ose ndonjë lajm tjetër mund të kërkojë shumë më tepër sesa shkrimin e një artikulli themelor. Shumë lajme nuk mund të mbulohen me gjatësinë e një artikulli të vetëm, pasi ato janë tema ku detajet shpalosen përgjatë disa ditëve, javëve apo edhe muajve. Nganjëherë vazhdimi i stories (follow-up) është mënyra e vetme që lexuesit të njihen me të gjitha aspektet e temës, zhvillimin e ngjarjeve dhe pasojat që ngjarjet e stories fillestare kanë lënë në jetën e pjesëmarrësve të saj. Gjithashtu, shumë shpesh ka tema anësore që janë të rëndësishme për storien, ose ngjarje të mëvonshme që ndodhën pas publikimit të stories fillestare.

Andaj, është shumë e rëndësishme të dini se çka është vazhdimi, si ta shkruani dhe cilat teknika të përdorni për t'u dhënë lexuesve informatat që u nevojitet për të kënaqur interesin e tyre në storien për të cilën po raportoni.

Pse duhen vazhdimet e stories?

Vazhdimi i stories (follow up) është nocion gazetaror për një storie që është shkruar asisoji që të raportojë për një storie tashmë të publikuar ose të transmetuar. Këto detaje shtesë mund të jenë fakte të reja, zhvillime të mëvonshme, reagime ose çështje të reja të ngritura pas ngjarjes fillestare. Veçoria kryesore e vazhdimit të stories është se ajo mbështetet në së paku një storie paraprake. Por, pavarësisht kësaj, nuk justifikohet të presësh që lexuesit/et të dijnë për storien fillestare, origjinale.

Mu për këtë, gazetarët/et shpesh shkruajnë vazhdimin e stories:

  • Për të siguruar vazhdimësinë, gjegjësisht për të treguar mënyrën se si janë të lidhura aspekte të ndryshme të jetës. Shumica e ngjarjeve janë si hedhja e gurit në ujë: uji prodhon valë të cilat përhapen në sipërfaqen e ujit edhe pas hedhjes së tij, ashtu siç ngjarja e caktuar vazhdon të zhvillohet edhe pasi të pushojmë së raportuari për të.

  • Për të kënaqur kërshërinë dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve që kanë mbetur të hapura në storiet paraprake. Sa herë që mendoni se keni mbaruar me një storie, merrni pozicionin e lexuesve tuaj dhe pyetni veten: "A dua të di edhe diçka për këtë?" Nëse po, mbase duhet të bëni hulumtime shtesë dhe të shkruani vazhdimin e stories.

  • Për të siguruar barazpeshën dhe reagimin. Për shkak të mungesës së kohës, apo burimeve në dispozicon, ndoshta do të detyroheni të publikoni storien e cila nuk është edhe aq e barazpeshuar. Shkrimi i vazhdimit të stories jep mundësinë për të gjetur këtë barazpeshë. Për shembull, nëse raportoni për hyrjen në fuqi të ndonjë ligji, është shumë me rëndësi që storia juaj të përmbajë informata rreth asaj se çka mendon për ligjin opozita dhe personat që do të preken më së shumti nga ai ligj. Nëse nuk mund të komunikoni me ta në çastin kur e shkruani storien, duhet të shkruani vazhdimin i cili përqendrohet te reagimi, dhe jo vetëm te masat e nxjerra.

  • Për të raportuar për storiet e humbura. Nganjëherë mund të ndodhë t'ju ikë storia, dhe të dëgjoni për të nga mediat konkurruese. Meqë tashmë bëhet vonë të shkruani të njëjtën storie, ju mund të shkruani vazhdimin e saj. Vazhdimi sërish duhet të përmbajë informata nga storia fillestare (edhe pse nuk e keni publikuar ju), por ju duhet të ofroni edhe këndin e ri të vështrimit, të sillni burime të tjera informatash apo persona të cilat mund t'i intervistoni.

Struktura e vazhdimit të stories

Fuqia e vazhdimit të stories është t'i tregojë publikut një aspekt të ri të stories së vjetër në mënyrën sa më interesante dhe të re. Vazhdimi duhet të jetë i shkruar në stilin e piramidës së përmbysur, me aspektin më të rëndësishëm të stories në hyrje. Përveç kësaj, të gjitha vazhdimet e stories duhet të kenë së paku një paragraf i cili krejt stories i jep kontekstin, gjegjësisht ta bëjë të dukshëm sfondin e ngjarjeve. Ky paragraf mund të gjendet kudo brenda tekstit. Sa më i rëndësishëm të jetë për ta kuptuar storien, aq më afër fillimit do të jetë ky paragraf, dhe anasjelltas.

Po ashtu, disa vazhdime të stories, siç janë reagimet, mund të përdorin burime të tjera informatash ndryshe nga ato të përdorura në storien fillesare. Në llojet e tjera të vazhdimit të stories, mbase është më e natyrshme t'i ktheheni burimit fillestar për të marrë sa më shumë informata. Ato storie mund të jenë lajmet për planet, ku vazhdimi i stories tregon se si plani do të zbatohet në praktikë. Në këtë rast mund t'i ktheheni burimit të njëjtë për më shumë informata, edhe pse gjithmonë është më mirë – kur kjo është e mundur – të gjeni burime të reja të cilat do t'i japin larmi dhe këndvështrime të reja stories.

Si të shkruani vazhdimin e stories?

Për të shkruar një vazhdim të mirë të stories, duhet të sillni informata të reja, por edhe të përmblidhni shpejt pikat kryesore të stories fillestare. Pavarësisht faktit se mediat online u mundësojnë lexuesve të vijnë shpejt te storia fillestare, vazhdimi i saj duhet të japë përmbledhjen e informatave nga raportimi paraprak.

Lead

Siç u shpjegua në një nga artikujt tanë paraprakë, çdo artikull i mirë fillon me lead të mirë, i cili zgjon interesin e lexuesve dhe siguron informacionin më të rëndësishëm në mënyrë të thjeshtë, koncize dhe interesante, dhe premton se koha që ata ndajnë për lexim do të jetë e dobishme. Por, kur bëhet fjalë për vazhdimin e stories, shkrimi i leadit mund të jetë sfidë edhe më e madhe për gazetarët/et kundrejt shkrimit të leadit për një artikull bazë. Çdo vazhdim i stories që zgjerohet me kalimin e kohës kërkon lead të ri i cili pasqyron zhvillimet më të fundit të ngjarjes.

Mu për këtë, leadi për vazhdimin e stories duhet t'ua kujtojë lexuesve se storia fillestare është ajo ku nisi gjithçka. Ç'është e vërteta, leadi për vazhdimin e stories kombinon zhvillimet e reja me disa informata sfondi nga storia fillestare.

Për shembull, nëse raportoni për të shtëna ku u vra një person, kështu do të mund të dukej leadi juaj për storien e parë: "Vritet një person pas të shtënave që ndodhën mbrëmë në lagjen sarajevase Dobrinja. Policia në kërkim të dorasit". Nëse pas disa ditësh merrni informatën se   është arrestuar i dyshuari për veprën e kryer, leadi juaj do të mund të dukej kështu: "Arrestohet personi i cili dyshohet se javën e shkuar u përfshi në të shtëna ku u vra një person, raportoni MPB-ja e Kantonit të Sarajevës".

Ky shembull tregon se si leadi për vazhdimin e stories kombinon informatat e sfondit (të shtënat që ndodhën) me zhvillimet e reja (arrestimin e të dyshuarit). Kësisoji, lexuesit të cilët mbase nuk e kanë lexuar storien fillestare mund të kuptojnë atë që ka ndodhur.

Pjesa tjetër e vazhdimit duhet të përcjellë këtë barazpeshë të kombinimit të lajmeve të reja me informata sfondi. Në përgjithësi, zhvillimet e fundit duhet të vendosen në fillim të stories, ndërsa informatat më të vjetra duhet të pasojnë më vonë.

Teknikat e shkrimit të vazhdimit të stories

Shkrimi i vazhdimit të stories kërkon teknika të shkrimit para por edhe pas marrjes së informatave të reja rreth stories për të cilën shkruani. Nëse shkruani storien për vrasjen që ndodhi para disa orësh, dhe ende ka shumë pyetje të hapura, mos i shpërfillni. Theksoni elementet të cilat ende nuk janë qartësuar dhe shkruajini në veprore.

Një shembull i keq i shkrimit në pësore do të ishte: "Motivet e të shtënave nuk duhen, e policia ende nuk ka identifikuar autorët edhe pse u raportua se dëshmitarët panë një burrë, të gjatësisë mesatare, duke vrapuar nga ajo zonë. Dëshmitarët po merren në pyetje me shpresë se do të kemi informata shtesë për autorin".

Shembull i mirë i shkrimit në veprore do të ishte: “Policia ende nuk ka identifikuar autorin, as nuk di për motivet e krimit. Por, hetuesit kanë thënë se dëshmitarët kanë parë një burrë, të gjatësisë mesatare, duke vrapuar nga ajo zonë.  Policia po merr në pyetje dëshmitarët me shpresën se do të marrin informata të cilat do t'u ndihmojnë të identifikojnë autorin".

Ky lloj informatash i njofton lexuesit me faktin se informata të tjera do të pasojnë në artikujt në vijim. Po ashtu, kësisoji vendoset baza për storien të cilën do ta shkruani kur t'i merrni informatat. Nga shpejtësia e marrjes së informatave do të varet edhe fakti nëse storien fillestare do vetëm do ta përditësoni, gjegjësisht nëse informatat e reja vetëm do t'i shtoni në storien fillestare apo do të shkruani një artikull të ri i cili do të sjellë vazhdimin e stories.

Vazhdimi i stories siguron hapësirë shtesë për zhvillimin e saj, ndërsa lexuesve u jep vazhdimësinë e përcjelljes së rrjedhës së ngjarjeve. Storia burimore mbase është qenësore për të zgjuar interesimin e lexuesve, por vazhdimet e saj janë ato që e mbajnë gjallë atë interesim. Andaj është shumë me rëndësi të dallohen storiet të cilat meritojnë të çlirohen nga kufizimi brenda një artikulli a lajmi, dhe të dini si t'i shkruani. Praktikimi i këtyre këshillave dhe teknikave – pavarësisht llojit të mediumit, fushës së gazetarisë apo temës – mund t'ju ndihmojë në këtë drejtim.

Ocijenite kvalitet članka