

Zëri i një gruaje shkrihet në zërat e gjashtë meshkujve.
Kjo shifër është rezultat i hulumtimit të kompanisë AKAS Consulting.
Për pesë muaj ata kanë vëzhguar trendet në gjashtë vende: Indi, Kenia, Nigeri, Afrikë të Jugut, Britani të Madhe dhe SHBA.
Rezultatet janë të këqija. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por vetëm 39% e grave përbëjnë profesionin e gazetarisë.
Në raportimin medial ato janë tejet të anashkaluara. Zërat e grave citohen në vetëm 29% të lajmeve online, të analizuara në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 (kjo është përqindja më e lartë mes gjashtë vendeve). Në Indi, ato citohen vetëm 14 për qind.
Në disa kategori, si ekonomia, përqindja e zërave të meshkujve është 31 herë më e lartë se e femrave.
Me këtë ritëm, do të duhen 75 vjet për të arritur barazinë gjinore
Sipas hulumtimit të Projektit Global Media Monitoring (GMMP) në vitin 1995 vetëm 17% e burimeve të lajmeve (njerëzit që i keni parë, dëgjuar ose lexuar në media në 71 vende) ishin gra.
Njëzet vjet më vonë, në vitin 2015 studimet e GMMP-së tregojnë se shifra është pak më e lartë: nga 45.402 persona dhe subjekte të intervistuar në 22.136 storie nga 114 vende, 24% ishin gra.
Shifra ka lëvizur me 7 pikë të përqindjes në 20 vjet.
Me këtë ritëm, do të duhen të paktën 75 vjet për të arritur barazinë gjinore.
Ballkani ndjek trendet botërore në gazetari
Monitorimi i mediave në BeH gjeti se në lajme meshkujt janë dominues përsa i përket pozitave që i mbajnë. Gratë përbënin vetëm 11% të subjekteve të lajmeve. Në hulumtimin e GMMP-së të vitit 2020 vetëm 21% e grave përfaqësoheshin si eksperte ose komentatore dhe si zëdhënëse në 23% të lajmeve.
Situata është e ngjashme edhe kur bëhet fjalë për lajmet për ekonominë dhe temat sociale e juridike, ku meshkujt janë dukshëm të pranishëm dhe përbëjnë pothuajse të gjitha lajmet, 92%. Rubrikat e vetme të lajmeve në të cilat gratë ishin të mbipërfaqësuara ishin shkenca dhe shëndeti, 42%.
- Gratë përbënin vetëm 12% të lajmeve për politikën dhe qeverinë,
- 24% lajme për ekonominë
- dhe një 8% e parëndësishme e lajmeve sociale dhe legale.
Gratë ishin të nënpërfaqësuara edhe në lajmet për krimin dhe dhunën 8%, persona të famshëm, art, argëtim, sport 18%, siç tregohet në grafikun 2.

I njëjti hulumtim për territorin e Serbisë zbulon se gratë janë shumicë vetëm brenda temave të margjinalizuara gjinore dhe tema të ngjashme, me vetëm 1% të storieve të analizuara. Në ato storie, 80% e subjekteve të lajmeve janë gra (ose, në shifra absolute, katër nga pesë).

Në të gjitha temat e tjera, gratë janë dukshëm të nënpërfaqësuara. Hendeku gjinor është më i ngushtë në storiet për:
· persona të famshëm, art dhe media, sport (35% gra)
· shkencë dhe shëndetësi (33% gra)
· politikë dhe qeveri (11%)
· krim dhe dhunë (4%).
Hulumtimi tregon se disa fusha vazhdimisht përfaqësohen si dominante nga meshkujt – zakonisht ato që lidhen me pushtetin.
Pse janë aq të nevojshme gazetaret dhe gratë si burime të lajmeve?
Ekziston një sërë arsyesh pse ekspertet nuk shfaqen në lajme aq shpesh sa ekspertët.
Në projektin Reflect Reality, në bashkëpunim me Forumin Ekonomik Botëror, Internews prezantoi katër argumente kyçe për përfshirjen më të madhe të zërit të grave në lajme, veçanërisht zërat e eksperteve, prezantueseve dhe zëdhënëseve.
Ja pse përfshirja është e rëndësishme:
Është gazetari e mirë: kur një grup i tërë njerëzish është i nënpërfaqësuar në lajmet e përditshme që përshkruajnë botën tonë, kemi një përfaqësim jo të plotë ose të pasaktë të realitetit. Kur gazetaret nuk arrijnë të flasin me eksperte, ato rrezikojnë të mbesin pa perspektivat e rëndësishme për një pjesë të madhe të shoqërisë dhe të humbin storie të reja.
Redaktorja ekzekutive Laura Zelenko drejton nismën New Voices të Bloombergut, një program global i komunikimit ku redaksitë e Bloombergut në mbarë botën gjejnë eksperte të financave dhe biznesit. Ajo shpjegon se si ky fokus specifik u ka mundësuar reporterëve/eve të Bloombergut të zbulojnë storie të cilat mbase nuk do t'i kishin gjetur ndryshe.
“Nga zyra jonë në Londër morëm një njoftim se më në fund, pas një viti, zhvilluam një intervistë ekskluzive me një nga të paktat CEO femra në Itali. Ajo intervistë prodhoi gjashtë tituj. Vendosmëria e gazetarëve për të realizuar këtë intervistë çoi në përmbajtje cilësore. Ndërsa sjellim më shumë eksperte si komentatore në TV, diskutimet janë më të mira, më të larmishme dhe kjo e bën TV-në më të mirë në të gjitha frontet”.
Ndërton besim: Besimi i publikut është bërë shqetësimi kryesor për industrinë e lajmeve dhe mediave sot u besohet më së paku në nivel global. Mungesa e vazhdueshme e diversitetit dhe përfaqësimit në media i kontribon kësaj. Në mbarë botën vazhdimisht shihet se mediat i përjashtojnë ose i keqinterpretojnë grupet e margjinalizuara dhe minoritare. Kjo do të thotë se shumë njerëz nuk po marrin informata relevante për përvojën dhe rrethanat e tyre, dhe kjo po shkakton mosbesim.
Është biznes i mirë: menaxherët e mediave po e shohin gjithnjë e më shumë barazinë gjinore si qenësore, jo vetëm për cilësinë e punës së tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të biznesit të tyre. Fuqizimi i zërit të udhëheqëseve dhe eksperteve në lajme mund të krijojë besim më të madh te publiku dhe të përmirësojë cilësinë e gazetarisë. Po ashtu, mund të rrisë angazhimin e publikut të redaksisë, bazën e abonimit dhe vlerën te reklamuesit. Në botën e biznesit, gjithnjë e më shumë hulumtime flasin për lidhjen mes barazisë gjinore dhe suksesit financiar të mediave.
"Nëse dëshironi që njerëzit t'ju paguajnë, ata duhet t'ju besojnë dhe nuk do t'ju besojnë nëse nuk e shohin veten te ju", tha Kathy English, redaktore në Toronto Star.
Është mirë për shoqërinë: kur zërat eksperte dhe autoritare të grave pasqyrohen me saktësi dhe stereotipet e dëmshme gjinore lihen pas, përfitojmë të gjithë. Vajzat – dhe djemtë – rriten në një botë ku mësojnë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë. Paragjykimi gjinor në shkolla, vendet e punës dhe komunitetet është zvogëluar.
Ekzistojnë disa gjëra të thjeshta por urgjente që duhen ndërmarrë.
Çka mund të bëjmë?
Të bëhen të dukshme dhe normale në media storiet për gazetaret dhe prezantueset nga fusha të ndryshme. Të ndalet seksualizimi dhe objektivizimi i grave dhe vajzave në ekran dhe të siguroheni që përmbajtja të mos diskriminojë ose përforcojë stereotipet dhe sjelljet negative.
Jashtë industrisë së argëtimit, të siguroheni që lideret që mund të shërbejnë si modele të fuqishme për të rejat dhe vajzat të jenë të dukshme dhe të kenë zërin e tyre në media.