Kush janë burimet anonime të informatave dhe si të përdoren me arsye

11.10.2021. / 08:31
Autor/ica
Share
ew
ew

Çdo storie e mirë hulumtuese bazohet në burimet e mira të informatave. Lejla Huremović më parë ka shpjeguar se "ç'është burimi i informatave dhe cili është roli i tij në gazetari". Sa herë që ekziston mundësia, qëllimi juaj duhet të jetë gjetja e burimeve të gatshme t'ju japin informata zyrtare. Kjo nënkupton publikimin e emrit dhe mbiemrit të plotë të burimit të informatave, profesionin e tij/saj dhe vendin e punës, nëse kjo është relevante për storien me të cilën punoni. Por, nganjëherë burimi juaj i informatave mund të ketë arsye shumë të fortë për të mos folur zyrtarisht ("on the record"). Pajtohet të intervistohet, të ndajë me ju informata të rëndësishme që i ka, por nuk dëshiron që emri i tij/saj të publikohet në storien tuaj. Këto burime të informatave quhen burimet anonime, ndërsa informatat që ata japin rëndom quhen "off the record" apo informatat jozyrtare.

Përdorimi i burimeve anonime ka qenë çështje e kontestueshme në gazetari për një kohë të gjatë. Shumë redaktorë/e nuk lejojnë përdorimin e burimeve anonime ngase konsiderojnë se ato janë më pak të besueshme se burimet që flasin zyrtarisht. Arsyetimi kryesor për këtë është fakti se nëse dikush nuk është i gatshëm të japë emrin e vet bashkë me informatat që dëshiron t'i ndajë me gazetarët, si mund të vërtetohet se ato janë të sakta dhe se nuk kanë ndonjë motiv a synim të fshehtë për të lajthitur gazetarin/en.

Por, kushdo që ka punuar në botën e mediave e di se në disa situata burimet anonime mund të jenë mënyra e vetme për të marrë informata të rëndësishme. Kjo vlen sidomos për storiet hulumtuese në të cilat burimet nuk mund të fitojnë shumë por mund të humbin shumë nëse flasin zyrtarisht me gazetarin/en.

Kur arsyetohet përdorimi i burimeve anonime të informatave?

The Associated Press (AP), agjenci e pavarur globale e lajmeve, thotë se transparenca është qenësore për kredibiletin e tyre karshi publikut dhe abonuesve. Mu për këtë, sa herë që ekziston mundësia, ata kërkojnë informata zyrtare ("on the record"). Por, kur kjo nuk është e mundur, zbatohen udhëzimet e rrepta.

Ç'është e vërteta, rregullat e AP-së përcaktojnë se materialet nga burimet anonime mund të përdoren vetëm në rastet në vijim:

  1. Materialet janë informatat dhe jo mendimet dhe spekulimet, dhe janë qenësore për storien.

  2. Të dhënat nuk janë në dispozicion vetëm me kusht të anonimitetit të cilin e imponon burimi.

  3. Burimi është i besueshëm dhe ka mundësinë t'i njohë informatat drejtpërdrejt.

Megjithatë, vendimin për arsyeshmërinë e dhënies së anonimitetit, gjegjësisht ruajtjen e identitetit të tij/saj në storien tuaj, kurrë nuk duhet marrë me nxitim. Hapat para marrjes së vendimit dhe faktorët që duhen marrë parasysh në këtë proces janë qenësore për sigurimin e kredibilitetit të stories suaj.

Hapat para marrjes së vendimit

Për të marrë vendimin përfundimtar për përdorimin e burimit anonim të informatave në storien tuaj mund t'ju ndihmojnë hapat në vazhdim:

  • Vlerësoni informatat që ka burimi juaj. Pyesni veten nëse burimi posedon dëshmi të forta.

  • Bisedoni me burimin tuaj të informatave. Kërkojini  arsyet për mospublikimin e emrit të tij/saj. Shpjegojini se storia juaj do të ketë kredibilitet më të madh nëse përdorni emrin e tij/saj. Përpiquni të kuptoni gjasat që burimi të jetë i relaksuar, apo i rrezikuar në ndonjë mënyrë, nëse flet zyrtarisht.

  • Gjeni burimet tjera të informatave të cilat do të konfirmojnë storien tuaj, mundësisht burimet që do të flasin zyrtarisht. Kjo është sidomos e rëndësishme kur dëshmitë e burimit anonim janë të dobëta. Në përgjithësi, sa më shumë burime të pavarura për të konfirmuar storien tuaj, aq më e mirë storia.

  • Bisedoni me redaktorin/en apo me gazetarin/en me më shumë përvojë. Ata me siguri mund t'ju ndihmojnë të merrni vendim për atë nëse arsyetohet përdorimi i burimit anonim në storien të cilën po e bëni gati.

Ç'faktorë duhen marrë parasysh?

Kur flasim për burimet anonime të informatave dhe faktorët që duhen marrë parasysh me rastin e përdorimit të tyre, Steve Buttry, ish drejtor i Mediave Studentore në Manship School of Mass Communication të Universitetit Shtetëror të Louisianas, ndër tjerash, rekomandon parashtrimin e pyetjeve në vijim:

  • A mund të merrni a të konfirmoni informatat diku tjetër? Pyesni burimin se kush tjetër mund të japë këto informata, apo a ekziston ndonjë dokument që mund të konfirmojë ato pretendime. Nëse burimi juaj nuk mund të ofrojë dokumente, mjafton t'i citoni ato pa përmendur burimin. Nëse tjetërkush i ka ato informata, shikoni nëse ai person është i gatshëm të flasë zyrtarisht.

  • Ç'është informata të cilën e ofron burimi? Nëse informata nuk duket aq e rëndësishme, Steve Buttry rekomandon një nga këto dy qasje:

  1. Thuajini burimit se nuk dëshironi të bisedoni me të përveçse zyrtarisht.
  2. Thuajini burimit se do të dëshironit të dëgjonit informatat për qëllime dytësore, por me shumë gjasa nuk do t'i përdorni pa përmendur burimin. Kjo mund t'ju ndihmojë të kuptoni më mirë problemin dhe të gjeni burimin tjetër.

  • A shpreh burimi mendimin e tij/saj? Pothuajse nuk ekziston kurrfarë arsye që gazetari/ja të publikojë mendimin, sidomos mendimin kritik, të ndonjë burimi anonim. Informata ka vlerë pavarësisht burimit. Nga ana tjetër, rëndësia e mendimit varet nga personi i cili e shpreh. Nëse personi i cili kritikon të tjerët nuk është i gatshëm të dalë publikisht me atë mendim, gazetari/ja nuk do të duhej t'i jepte rëndësi.

  • A është burimi i informatave në pozitë të pushtetshme apo a është i cënuar? Edhe pse pushteti dhe cënueshmëria janë relevante, gjasat janë më të mëdha që personi i cili është në pozitë të cënuar të thotë të vërtetën, meqë zakonisht ata janë më pak të mbrojtur nga pasojat e mundshme të bisedës me gazetarët.

  • A ia vlen burimi i informatave të shkohet në burg për të (dhe a është ky rreziku)? Shqyrtoni mundësinë nëse policia, apo dikush në gjyqësor, mund t'ju detyrojë të zbuloni burimin tuaj. Pastaj vendosni nëse storia, informata që ofron burimi dhe vetë burimi ia vlen të shkohet në burg për të.

  • Sa mirë mund ta mbroni burimin? Rregulli i artë i gazetarisë është që kurrë të mos jepni premtime të cilat nuk mund t'i përmbushni. Andaj, nëse premtoni mbrojtjen e identitetit të burimit, sidomos atij i cili mund të tërheqë vëmendjen e policisë apo të inteligjencës, mendoni se si do ta mbani këtë premtim.

  • A i besoni burimit? Lidhja mes gazetarëve/eve dhe burimeve të informatave kërkon besim. Burimi duhet t'i besojë gazetarit se storien do ta përcjellë saktë dhe drejt, ndërsa gazetari duhet të besojë se burimi do ta thotë të vërtetën. Se sa e fortë do të jetë kjo lidhje, kjo varet nga vlerësimi juaj i besueshmërisë së burimit, analizës suaj se si ai/ajo di për atë që pretendon (pyetjet "Si e dini?", "Si nuk e dini?" janë thelbësore), si dhe shkathtësia juaj për të vërtetuar atë që ju thotë burimi.

  • A do të publikohen gjithsesi informatat? Shumë storie të bazuara në informata burimesh anonime janë storie të cilat gjithsesi do të publikohen në të ardhmen. Nëse publikimi nuk është aq i rëndësishëm, shikoni nëse kredibiliteti juaj ndikohet nga pubilkimi i kohëpaskohshëm i storieve të cilat bazohen në burime anonime.

Hapat në fjalë dhe faktorët kryesorë mund t'ju ndihmojnë shumë në marrjen e vendimit nëse arsyetohet përdoimi i burimeve anonime në storien tuaj. Por, vendimi përfundimtar varet nga ju, gjegjësisht nga gatishmëria e juaj ta lini kredibilitetin tuaj dhe të stories suaj në duart e burimit të informatave i cili nuk dëshiron që identiteti i tij të bëhet publik.

Ocijenite kvalitet članka