

Javën e kaluar, kemi shkruar se cilat aplikacione komunikimi nuk ndajnë ose ndajnë një sasi të kufizuar të të dhënave personale që ju i keni në ato aplikacione. Aplikacioni që veçohet në këtë mes është Signali.
Shumë gazetarë/e e përdorin këtë aplikacion për të komunikuar më sigurtë me burimet e tyre. Aplikacioni është treguar i mirë dhe i sigurtë dhe po përdoret gjithnjë e më shumë në botë, sidomos në sferën e aktivizmit dhe gazetarisë.
Në vazhdim po ju shpalosim disa hapa që mund t'ju ndihmojnë të mbroni tutje aktivitetet tuaja në Signal.
Numrat e sigurtë
Ajo që ofron Signali, e që u mungon aplikacioneve të tjera, është mundësia e vërtetimit se a është i koduar sesioni juaj me personin me të cilin komunikoni.
Nëse jeni në Android, këtë mund ta bëni duke klikuar në bisedën me atë person, pastaj duke klikuar në tre pika në këndin e djathtë të sipërm (Settings), pastaj duke klikuar në Conversation Settings, dhe pastaj në Check Security Numbers.
Përdoruesit e iPhoneit duhet të klikojnë në emrin e kontaktit (në krye të ekranit), dhe pastaj të klikojnë në View Safety Number.
Kur klikoni, në ekran do të shfaqen numrat e sigurisë dhe kodi QR që përfaqëson numrat.
Nëse ju dhe bashkëbiseduesi/ja juaj shihni numrat e njëjtë, sesioni juaj është i sigurtë. Numrat tuaj të sigurisë do të duhej t'i vërtetoni me një kanal tjetër në të cilin jeni të sigurtë të bisedoni me kontaktin tuaj. Nëse është e mundur, ndryshoni manualisht numrat e sigurisë. Nëse jeni bashkë, një person mund të skenojë nga personi tjetër me kamerën e tij/saj.
Nëse shihni papërputhshmëri, diçka definitivisht nuk është në rregull dhe nuk duhet të bisedoni në atë kanal. Nëse numrat përputhen, dhe nëse gjithçka ju duket në rregull, shënoni përdoruesin tuaj si "Verifikuar".
Nuk do të keni nevojë t'i verifikoni përsëri numrat e sigurisë pa u anuluar sesioni. Për shembull, kur filloni të përdorni Signalin nga telefoni i ri, do t'ju vijnë numrat e ri të sigurisë.
Përdorimi i numrave sekondarë dhe mbyllja e regjistrimit
Signali e trajton numrin tuaj si "emrin e përdoruesit". E mira është se nuk keni nevojë të përdorni po atë numër që e keni në atë pajisje përderisa numri të cilin do ta përdorni nuk është përdorur për ndonjë llogari tjetër të Signalit.
Në rast se numri sekondar me të cilin e keni regjistruar Signalin ju zbulohet, rrezikoni vjedhjen e llogarisë suaj. Prandaj është e rëndësishme ta mbyllni regjistrimin për numrin tuaj në Signal, duke përdorur Registration Lock.
Përdoruesit e iPhoneit këtë mund ta bëjnë duke klikuar në Rregullimet – Llogaria – Mbyllja e regjistrimit – Aktivizuar.
Përdoruesit e Androidit do të klikojnë në Rregullimet – Llogaria – Mbyllja e regjistrimit – Aktivizuar.
Jepini një PIN llogarisë suaj në Signal, dhe ai do të parandalojë mundësinë që dikush të regjistrohet sërish përmes numrit tuaj nga pajisja tjetër. Mos e harroni PIN-in Herë pas here Signali do t'ju kërkojë të shkruani PIN-in tuaj.
Pamundësoni pasqyrimin e linkëve
Signali ofron mundësinë e kapjes së pasqyrave të faqeve me linkë brenda bisedave. Sipas programuesve, kur është mundësuar kjo veçori, Signali u dërgon kërkesa direkte faqeve për gjenerimin e këtyre pasqyrave. Me fjalë të tjera, pasqyrimet e linkëve i japin faqet të cilat ju i ndani në biseda në ato faqe.
Për të pamundësuar pasqyrimin e linkëve si përdorues i iPhoneit, shkoni në Rregullimet – Bisedat – Gjenero pasqyrimin e linkëve – Pamundëso.
Si përdorues të Androidit, klikoni në Rregullimet – Bisedat – Gjenero pasqyrimin e linkëve – Pamundësi.
Ktheni tastierën në incognito dhe shikoni lidhjen me cloud
Disa tastiera, si ato të Googleit në Android mund të ruajnë të dhënat e tastierës jashtë Signalit. Për të parandaluar këtë, Signali ofron opsionin e përdorimit të tastierës "incognito" e cila nuk do ta personalizojë tastierën tuaj me diçka të shkruar në bisedë. Për ta aktivizuar atë, klikoni në Rregullimet – Privatësia – Tastiera Incognito – Aktivizo.
Përdoruesit e iOS-së duhet të kujdesen ta ruajnë historikun e tyre të Signalit jashtë iCloudit. Signali ju mundëson të shihni historikun e thirrjeve tuaja nga aplikacioni juaj i zakonshëm telefonik. Kjo mund të jetë e përshtatshme, por do t'i mundësojë iPhoneit tuaj të sinkronizojë këtë historik të thirrjeve me iCloud, duke përfshirë kush me kë ka biseduar, kur ka biseduar dhe distancën e thirrjes.
Nëse përdorni iCloud dhe nuk dëshironi të ndani historikun e thirrjeve në Signal, verifikoni se kjo është e çaktivizuar duke shkuar në Rregullimet – Privatësia – Pasqyro thirrjet e fundit – Pamundëso.
Sikurse disa aplikacione të tjera komunikimi, Signali gjithashtu ofron zhdukjen e mesazheve, dhe nëse edhe kjo ju përshtatet për komunikim, gjithmonë mund ta aktivizoni edhe këtë opsion.
Këtë mund ta bëni duke hyrë te biseda, duke vendosur kohën e ruajtjes së mesazhit – opsionet e ofruara janë nga 30 sekonda deri në katër javë – por gjithsesi mund të vendosni edhe kohën e personalizuar sipas zgjedhjes suaj.
Dobësia e komunikimit end-to-end
Pikat e dobëta të bisedave të koduara end-to-end janë "fundet" e tyre – pajisjet fizike (telefonat e mençur) të përdoruesve. Për të qenë të sigurtë gjatë komunikimit në Signal, nuk mjafton të kujdeseni vetëm për këtë aplikacion. Duhet ta siguroni edhe pajisjen tuaj. Përveç PIN-it në Signal, mund të futni edhe një kod në telefonin tuaj.
Po ashtu, në rast të vjedhjes së pajisjes suaj, atë mund ta mbroni duke koduar diskun. Versionet e reja të iPhoneit tashmë i kanë të integruara këto veçori. Shumë pajisje moderne Android gjithashtu janë të koduara sipas rregullimeve të vendoura (psh. pajisjet Pixel, disa linja të Nexusit dhe Samsung Galaxy). Kontrolloni rregullimet e sistemit Android për kodifikimin e diskut për t'u siguruar se është aktivizuar ky opsion. Nëse jo, kodifikimi i diskut është i lehtë.
Aplikacioni Signal është i lidhur ngushtë me pajisjen tuaj dhe me asgjë tjetër. Kjo përgjithësisht nuk është keq, sepse ju nuk dëshironi që të tjerët të mund të rekuperojnë thjesht numrin apo porositë tuaja. Por nëse e humbni pajisjen apo bleni pajisje të re, kjo mund t'ju shkaktojë probleme afatshkurta.
Vetë përdorimi i Signalit në pajisjen mobile është fitore e sigurisë, por kjo do të thotë se vërtet duhet të mos e humbni telefonin. Po ashtu, rregulllimi i "mbylljes së regjistrimit" parandalon të tjerët të marrin numrin tuaj në Signal, por kjo ju parandalon të regjistroni sërish numrin tuaj.
Shpresojmë se kjo pasqyrë dhe këto këshilla kanë qenë domethënëse dhe ju kanë ndihmuar të siguroni tutje veten dhe burimet tuaja. Dhe mbani mend – komunikimi është më i sigurtë nëse krejt kjo aplikohet nga të dyja anët e komunikimit.