A na duhen lajmet nacionale në mediat lokale

08.12.2023. / 08:18

Kjo pyetje në fillim duket si analizë e thjeshtë se cilat lajme kalojnë, e cilat jo.

Përgjigjja, si çdo përgjigje tjetër që lidhet me planifikim në biznesin medial, është e ndërlikuar në shumë rrafshe.

Shumë media lokale në Ballkan nuk janë krijuar për të punuar në zhvillimin e komunitetit. Ato janë krijuar si vegla për të gjeneruar të ardhura nga reklamat. Nëse qëllimi është gjenerimi i lehtë i të ardhurave, ai shoqërohet me idenë që të investohet sa më pak në krijimin e përmbajtjes.

Këtu lindin ato nuanca që krijojnë probleme.

Pse të diskutojmë për një temë për të cilën nuk ka zgjidhje?

Në shumë pjesë të Ballkanit së shpejti do të mbahen zgjedhjet. Është e pamundur që redaksitë t'i ndjekin të gjitha aktivitetet dhe të krijojnë përmbajtje të përshtatshme për secilin prej tyre. Prandaj, ato do t'i marrin përmbajtjet e krijuara dhe të përgatitura nga selitë qendrore të partive. Titujt, deklaratat, përmbledhjet e lajmeve mund të ndikojnë drastikisht në publik.

A na duhen lajmet jolokale në mediat lokale

Pa media të fuqishme lokale, njerëzit do t'u drejtohen forumeve më pak të rregulluara për informata, siç janë grupet në Facebook që janë plot me informata të paverifikuara dhe me dezinformata.

Lajmet e besueshme burimore për komunitetin e përmirësojnë atë komunitet.

Mediat e sotme lokale janë plot kundërthënie: ato transmetojnë përmbajtje rreth politikës nacionale, ngjarjeve botërore.

Joshua P. Darr, profesor i asociuar i komunikimit politik në Manship School of Mass Communication tha për NiemanLab, "Mediat lokale duhet të mos e mbushin më hapësirën e tyre mediale me lajme jolokale dhe të përqendrohen në atë që i bën ato unike, edhe nëse nuk është në përputhje me pritjet e shumë njerëzve. E kuptoj se kjo do të kërkojë më shumë resurse, por ata nuk do të tërheqin ose ruajnë abonentë duke ripostuar storie që trajtojnë tema jolokale".

Nevoja për media lokale është e madhe, siç është edhe nevoja për lajme nga komunitetet lokale. Por shpesh në këto komunitete nuk ka gazetarë të mjaftueshëm për të siguruar që komuniteti t’i ketë lajmet që i nevojiten.

Aty dalin në pah kumtesat për shtyp të lëshuara nga komunat (lajme për bashkësitë lokale dhe komunat), stacionet policore (lajme për kronikën e zezë) dhe më pas lajmet e agjencive përdoren në masë të madhe për të mbushur hapësirën. Një miks i shkëlqyer për klikime.

Qasje të këtilla na kanë sjellë me dhjetëra portale me lajme të agjencive, dhe kur kemi nevojë për informata se çfarë punimesh po bëhen në rrugën tonë dhe pse trafiku është i bllokuar, nuk ka asnjë medium për një informatë të tillë.

Si të vlerësojmë nëse lajmi duhet të publikohet në mediumin lokal

Projekti Rrjeti i Pluralizmit u ndihmon redaksive të gjejnë zgjidhje për këto probleme. Me temën e përfshirjes së lajmeve nacionale në mediat lokale, u realizua një sondazh që tregoi se audienca ishte e hutuar se kush ishte përgjegjës për lajmet e agjencive, se titujt ishin të thjeshtuar, të përgjithësuar ose sensacionalistë, dhe ndonjëherë edhe e keqinterpretuan atë që faktikisht ndodhi.

Kjo çështje u ngrit në redaksitë e mediave lokale amerikane, gjë që rezultoi në krijimin e një shoqate dhe fillimin e një dialogu që do t'u ndihmojë mediave lokale në vendimmarrje dhe transparencë kur zgjedhin lajme nacionale për mediat lokale.

Rezultati i këtij dialogu është nxjerrja e një sërë pyetjesh që do të ndihmojnë në marrjen e vendimeve.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndihmojnë se:

  • Në cilat burime lajmesh jemi abonuar?
  • Pse janë pikërisht ato burimet ose shërbimet që i zgjedhim dhe pse u besojmë atyre (kush është në redaksinë e tyre, ku gjenden, politikat e tyre etike, angazhimi i tyre për saktësi, etj.)
  • Si funksionon procesi (çka paguajmë, në cilat lloje shërbimesh kemi qasje)?
  • Cilat tema i mbulojmë me lajmet e agjencisë?
  • Kush në redaksinë tonë zgjedh se cilat storie duhen përfshirë dhe cilat janë kriteret e tyre?
  • Si kërkojmë nga audienca reagime për këto storie dhe çfarë bëjmë me to?

Për një medium lokal në Ballkan, abonimi në Associated Press do të ishte veprim i pamatur biznesi dhe ngarkesë buxheti sepse audienca nuk do të kuptonte shumë tema për të cilat nuk ka kontekst të mjaftueshëm. Por, në anën tjetër, abonimi në Fena (Agjencia Federale e Lajmeve) MINA, FONET, HINA, MIA, Kosova Press është lëvizje e mirë.

Pyetjet shtesë për vlerësimin e mbulimit të temave nacionale dhe ndërkombëtare lidhen me vlerat që mediumi dëshiron t'i shtyjë përpara. Nuk është rastësi që mediat lokale të publikojnë tema nga Holywoodi ose nga vendet e largëta vetëm sepse ato janë gjeneratorë të klikimeve.

Vlerat mbi të cilat bazohet politika redaktoriale mund të zbulohen me pyetjet:

  • Si i përshkruajmë vlerat dhe prioritetet tona lokale?
  • Si e shpjegojmë angazhimin e redaksisë së mediumit lokale, dhe çka nuk mbulohet?
  • Sa publikohen lajmet nacionale dhe pse?
  • Sa vëmendje i kushtojmë mbulueshmërisë nacionale në platformat e rrjeteve sociale?
  • A është zvogëluar numri i njerëzve në redaksi për shkak të rritjes së vëllimit të lajmeve të agjencive?

Përparësia e mediave lokale në treg vjen nga raportimi për hapësirën e tyre gjeografike, ndërsa duke i mbushur faqet me lajmet nacionale publiku nxitet të largohet nga këto media sepse portale me lajme nacionale ka sa të duash. E mediat lokale mungojnë gjithandej.

Vlerësoni cilësinë e artikullit