Ndryshimet dhe pasojat që i solli pandemia në sigurinë digjitale

07.01.2021. / 10:44

Viti që lamë pas papritmas solli shumë ndryshime dhe sfida në të gjitha sferat e jetës. Rritja e përdorimit të hapësirave online solli edhe rreziqe nga sulmet digjitale. Kalimi i sferës së gjithëmbarshme të punës në dhomën e ditës nënkuptonte përballjen me shumë rreziqe digjitale. Rreziqeve nuk u ikën as mediat, e sidomos gazetarët/et që pjesën më të madhe të punës së tyre e kryenin nga shtëpia.  Sulmet e tjera mbi rrjetet furnizuese softuerike siç ishin sulmet SolarWinds për të cilat gazetarët/et raportuan gjerë e gjatë, dëshmuan edhe për rreziqet me të cilat përballen infrastrukturat e mëdha.

Serioziteti i pasojave të rritjes së përdorimit të sferës digjitale, sidomos të punës nga distanca është i pakapërcyeshëm. Këtu është me rëndësi të mësojmë nga viti e shkuar dhe të kuptojmë me seriozitet se çka do të duhet të ndërmarrim në afat të gjatë për të zbutur rreziqet e punës nga distanca.

Sigurimi i punës nga distanca mbetet prioritet

Parashikimet e CISO-s për vitin 2021 thonë se autentifikimi, mbrojtja e të dhënave në cloud dhe monitorimi i aplikacioneve do të vihen në krye të listave dhe prioriteteve të sigurisë digjitale.

Sipas hulumtimit të CISO-s, një e treta e vendimmarrësve në fushën e sigurisë së IT-së thotë se përllogaritjet e tyre të sigurisë për vitin 2021 do të jenë më të mëdha se që kishin pritur para pandemisë.

Shumica e të anketuarve (87%) janë të vetëdijshëm se kush ishte shkaktari i incidenteve të tyre të sigurisë vitin e shkuar, derisa 36% thonë se bëhej fjalë për gabimin e paqëllimtë kur viktima ra pre e phishingut apo për shkeljen e paqëllimtë të politikave të sigurisë.

S'ka dyshim se redaksitë janë të detyruara t'i shqyrtojnë rreziqet e tyre të sigurisë, derisa një nga sfidat më të mëdha është fakti se është rritur përdorimi i shërbimeve në cloud ku gazetarët/et kanë nisur të ndajnë informata me kolegët/et e tyre. Rritja e përdorimit të Zoomit, Skypeit dhe veglave të tjera për komunikim do të lënë gjurmë të përhershme në sferën digjitale.

Hulumtuesit e Bitdefenderit ndajnë mendimin se sigurimi i punës nga distanca do të bëhet fokusi kryesor i organizatave, sepse do të vazhdohen të zhvillohen sulmet unike të hakerëve me fokus te lidhjet shtëpiake të internetit.

Këto informata nuk janë kurrfarë risie, por siç po e përsërisim ndër vite rëndësinë e kujdesit ndaj sigurisë digjitale, siç është posedimi i autentifikimit të dyfishtë apo fjalëkalimeve të forta që ende nuk përdoren sa duhet, po kështu do të jetë me rëndësi të përsërisim se çka ka shkaktuar viti 2020 dhe kujt do të duhet t'i kushtojmë vëmendje.

"Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po i përmbahen punës nga shtëpia që e imponon pandemia e koronavirusit, për rehati punëtorët do të fillojnë të kërkojnë rrugë të shkurta për sigurinë digjitale. Pajisjet personale jo fort të siguruara dhe ruterët, përcjellja e të dhënave të ndjeshme përmes kanaleve të pasigurta apo të pasanksionuara (siç janë aplikacionet për shkëmbimin e mesazheve të shpejta, emailat personalë, dhe procesorët e dokumenteve në cloud) do të kenë rol kyç në shkeljen dhe rrjedhjen e të dhënave", thonë ekspertët e Bitdefenderit.

Rritja e varësisë së punës nga distanca do të krijojë fushë të plleshme për sulmet e kriminelëve të cilët do të fillojnë të përdorin lëshimet digjitale të punës nga distanca. Nga Forrester tregojnë se më se 25% e shkeljeve të të dhënave lidhen me rreziqet nga brenda, e sivjet pritet që kjo përqindje të arrijë 33%.

Hyrja në vitin 2021 nuk i ka ndryshuar të gjitha sfidat brenda natës dhe as nuk do të eliminohet të gjitha këto që i përmendëm më lart me ardhjen e vitit të ri. Duhet pasur parasysh se viti i shkuar i ka dhënë hapësirë të madhe punës nga distanca për të cilën aq shumë mendohej më parë, dhe kjo dukuri vetëm sa mund të shtohet. Për këtë arsye, është tejet me rëndësi t'u kushtohet vëmendje të gjitha aspekteve të sigurisë në sferën online, që të dhënat tuaja personale dhe burimet e informatave të jenë të mbrojtura. 

Ocijenite kvalitet članka