Newspack: instalimi i ri eksperimental i WordPress-it për redaksitë e lajmeve

01.06.2020. / 15:45

Në kohën kur interneti ka arritur pjekurinë e vet të shtyrë derisa ende po zhvillohet e po ndryshohet në mënyrë aktive, një gjë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë – sistemi për menaxhimin e përmbajtjes (CMS). Sidomos CMS-ja e cila me sukses po i mbështet proceset e punës brenda redaksisë së lajmeve. Redaksitë e mëdha kanë ekipe të forta teknologjike dhe, të mbështetur me paratë e pronarëve të tyre, i zhvillojnë sistemet e tyre individuale të cilat u mundësojnë mbulimin e tërë procesit të zhvillimit të lajmit, por edhe të marketingut. Shumica e redaksive të lajmeve nuk janë të mëdha, e as nuk kanë mjaft para për të zhvilluar sisteme vetjake, siç ka bërë tash e një kohë The New York Times apo Washington Post.

Në ndihmë u erdhën sistemet me kod të hapur si Joomle, Drupala dhe më i famshmi prej tyre, Wordpress, të cilin për blogët e gazetarëve të tyre e përdor madje dhe New York Times, CNN, Forbes e Reuters. Megjithatë, asnjë media në fjalë nuk e përdor këtë sistem si sistem për menaxhimin e përmbajtjes. Edhe pse janë të vetëdijshme për kufizimet e tij, 70% e redaksive të vogla në botë e në Ballkan, duke përfshirë edhe shumë partnerë të programit USAID BMAP, përdorin pikërisht Wordpress-in, të pasuruar me shumë avancime, për shpërndarjen dhe shpalosjen e përmbajtjeve të tyre te përdoruesit. 

Duke pasur parasysh se shumë redaksi të lajmeve përdorin Wordpress-in si CMS-në e tyre kryesor, dhe meqë ai njëkohësisht shkakton shumë frustrime në kontekstin e mbulimit të të gjitha proceseve të punës në redaksi dhe shpesh e vështirëson punën e publikimit, por edhe monetizimin e përmbajtjes, është bërë më se e qartë se ekziston nevoja për të krijuar një instalacion të posaçëm të Wordpress-it për redaksitë e lajmeve. Në lojë është futur Newspack si nismë e Google News Initiative dhe Wordpress.org. 

Çka është Newspack?

Sipas faqes zyrtare Newspack është "platformë e avancuar e bazuar në kod të hapur për publikimin e përmbajtjes dhe gjenerim të profitit për agjencitë e lajmeve". Ajo është menduar t'u ndihmojë mediave të vogla dhe të mesme digjitale për tërheqin e publikut dhe të të hyrave të cilat mishërojnë praktikat më të mira të punës së gazetarëve. Që nga prilli i vitit 2019 kur filloi projekti e deri në tetor të vitit 2019 është punuar për zhvillimin dhe hulumtimin e veçorive më të mira të një sistemi të këtillë. Po në muajin tetor nisi puna me 15 organizata testuese të cilat kaluan procesin e migrimit nga web prezentimi i tyre ekzistuese në këtë sistem bashkë me organizatën Automattic e cila u ofroi mbështetje të plotë teknike. Kjo mbështetje parasheh ndihmë në procesin e migrimit në serverin e WordPress-it të optimizuar për Newspack, komunikim të angazhuar përmes Slack-ut, e-mailit etj. 

Si funsionon Newspack?

Newspack mbështetet në instalimin origjinal të WordPress-it dhe si shtojcë me temë e pasuron web-in tuaj me të gjitha elementet që ju duhen për ta shpalosur në mënyrë atraktive përmbajtjen tuaj, sidomos faqen kryesore të cilën mund ta publikoni në mënyrë të automatizuar në kohën e planifikuar, por edhe përmbajtjet e tjera të cilat dëshironi t'i ofroni. Newspack përdor potencialin e plotë të instalimit Gutebnerg, por përqendrohet në atë që juve si gazetarit t'ju ofrojë opsionet më të mira të mundshme për shpalosjen e storieve. Nga ana tjetër, ju ofron edhe disa opsione për komunikim me publikun tuaj, por edhe vegla të cilat ju ndihmojnë ta monetizoni përmbajtjen tuaj përmes donacioneve dhe marketingut.

Meqë ky është pjesërisht projekt i Google News Initiative, natyrisht se në fokus është AdSense. Në videon në vijim mund të shihni prezentimin e shkurtë të mundësisë së krijimit dhe përshtatjes së shpejtë të faqes kryesore që e ofron Newspack. Videoja tregon se sa e lehtë është të futen elemente të ndryshme të përmbajtjes suaj duke përdorur opsionet e ofruara, dhe si t'i prezentoni ato në disa mënyra. Si lajmin kryesor në krejt ekranin apo si pesë lajmet e fundit nga një kategori e caktuar. 

Edhe pse ekipi i Automattic-ut ka punuar shumë për zhvillimin e opsioneve të monetizimit, për shkak të specifikave të 15 mediave të testuara, disa prej opsioneve janë zhvilluar derisa të tjerat janë ende në zhvillim e sipër. Edhe kështu, disa opsione ofrohen për monetizimin dhe komunikimin e avancuar me përdoruesit. Këto opsione shumë mediave mund t'u ndihmojë ta përmirësojnë shpejt shpalosjen e përmbajtjes së tyre. Videoja e shkurtë të cilën e kanë përgatitur tregon disa prej opsioneve në dispozicion, si dhe sa shpejt  përmes sistemit WordPress ato mund t'u përshtaten nevojave tuaja dhe mënyrës së komunikimit me publikun tuaj. 

Mësimet e nxjerra nga faza e parë e projektit

Pas përzgjedhjes fillestare të partnerëve të parë medialë të cilët vullnetarisht përzgjodhën disa prej kushteve të nevojshme për të hyrë në këtë projekt, News Revenue Hub që gjithashtu ishte pjesë e këtij projekti porositi një hulumtim për efektet e sistemeve të deritanishme te personat që punonin në këtë projekt. Hulumtuesja Amanda Krauss erdhi deri te përfundimet interesante të cilat do t'u ndihmojnë të gjithë pjesëmarrësve në proces ta përmirësojnë përvojën e deritanishme, por të cilat gjithashtu japin një pasqyrë më të mirë të përparësive dhe mangësive të këtij projekti. 

Derisa elementi vizual i projektit që nga fillimi ishte i kënaqshëm dhe aty arriti sukese, ekzistojnë disa vende të cilat ende kërkojnë përmirësim siç janë elementet për monetizim përmes marketingut dhe donacioneve. Por, që nga fillimi u paraqitën probleme me zbatim për shkak të pritjeve të ndryshme të ekipit zbatues dhe të redaksive që ishin pjesë e fazës testuese të projektit. Kjo për rrjedhojë pati shtyrje të nisjes së versioneve të reja të prezentimit të mediave pjesëmarrëse. Zbatimin e vështirësoi edhe komunikimi për shkak të përdorimit të gjuhës së specializuar në fillim, por me kohë mësimet e nxjerra u aplikuan dhe e përmirësuan komunikimin duke u dhënë të gjithëve mundësi që në fund ta zbatojnë projektin me sukses. Ky mësim i moskuptimit të kontekstin është tejet i rëndësishëm, pasi shpesh ka qenë shkaktar i dështimit të projekteve në të kaluarën. 

Pastaj pati edhe pengesa në zbatim për shkak të veglave specifike të cilat i përdorte secila redaksi, e të cilat potencialisht e cënonin shpejtësinë e vetë faqeve. 

Ajo që do të mund të prodhonte më së shumti probleme në shkallëzimin e kësaj zgjidhjeje është ende disponueshmëria joadekuate e dokumentacionit për zbatim individual. 

Argumenti më i madh që u paraqit ishte transparenca e pamjaftueshme në kontekstin e shpenzimeve të ardhshme të mirëmbajtjes së sistemit të cilat do të ndodhnin pas një viti të periudhës së testimit. Informacionet e para tregojnë se shpenzimet do të mund të ishin shumë të mëdha për redaksitë e vogla dhe të mesme. Disa prej redaksive tashmë kanë përgatitur zgjidhje alternative – ta hostojnë këtë zbatim në serverët e tyre. 

Si mund të paraqiteni për ndihmë?

Nëse keni dëshirë dhe nevojë për ta përmirësuar punën e uebfaqes suaj, edhe ju mund të paraqiteni të merrni pjesë në këtë projekt. Megjithatë, ekzistojnë disa kushte për t'u marrë në konsideratë. Në këtë blog post mund të gjeni përshkrimin e hollësishëm në anglisht, derisa kushtet janë këto:

  • Uebfaqja juaj duhet t'i plotësojë nevojat informative të regjionit të caktuar gjeografik po të temës. 
  • Duhet të jeni në gjendje të artikuloni qasje të qartë redaktoriale dhe afariste ndaj zhvillimit dhe rritjes së faqes. 
  • Duhet të prodhoni përmbajtje origjinale.
  • Uebfaqja juaj duhet të ketë:
    o    Dëshmi që i shërben publikut të synuar dhe buxhet që parasheh 12 muaj të punës së pandërprerë APO
    o    Plan për lansim i cili adreson se si synoni ta përdorni tregun tuaj të synuar dhe të keni mjaft para për të vepruar për së paku 12 muaj. 

A është Newspack falas?

Newspak si shërbim në WordPress.com nuk është falas dhe synohet që një mbështetje e këtillë të komercializohet ashtu siç WordPress i ka komercializuar shërbimet e veta të mbështetjes. Çmimi i saktë i mbështetjes ende nuk dihet, por thuhet se ajo do të optimizohet për nivelin e shërbimit që ofrohet dhe se nuk do të jetë çmim i vogël si serveri më i lirë i përbashkët, por se nuk do të jetë i lartë sa shërbimi WordPress VIP. Sidoqoftë, ekipi i projektit ka mjaft përvojë për t'u ofruar mbështetje redaksive të cilat nuk kanë mbështetje në terren me mirëmbajtjen ditore të serverit dhe me instalimin e Newspack-ut dhe të Wordpress-it. 

A dëshironi të eksperimentoni?

Megjithatë, duke qenë të vetëdijshëm se gjasat janë të vogla që ndonjë redaksi e madhësisë së Ballkanit do të mund të paguajë shërbimin në të ardhmen, e meqë këtu bëhet fjalë për një server me kod të hapur, ekipi juaj i IT-së mund t'i shkarkojë skedarët e Newspack-ut dhe të provojë ta zbatojë vetë instalimin.

Duhet të keni parasysh se aktualisht ka kolizione me ekstensionet e WordPress-it të cilat i përdorni sidomos kur bëhet fjalë për implementimin e AMP-së, por atë shumë lehtë mund ta shkyçni. Me të gjitha mangësitë e mundshme aktuale, Newspack është sistem i krijuar në bashkëpunim mes agjencisë së IT-së dhe gazetarëve të cilëve i dedikohet, dhe kjo i jep mundësi të forta për sukses në të ardhmen, për publikim më të lehtë të përmbajtjes si dhe për monetizim për redaksitë të cilat vendosin ta përdorin. 

Ocijenite kvalitet članka