Parashikimet për vitin 2024:  Videoja do të jetë më personale, më e shkurtër, më e qasshme dhe vizualisht më bindëse

21.12.2023. / 09:27

S'ka dyshim se videoja është bërë një nga elementët kryesorë të gazetarisë. Nga viti në vit, parashikimet janë të tilla se ndikimi i saj është jashtëzakonisht domethënës dhe se sot është e paimagjinueshme të merremi me gazetari dhe të mos e përdorim këtë formë.

Numër gjithnjë e më i madh i publikut bazohet në video përmbajtje për t'u informuar, edukuar e argëtuar. Videoja u mundëson mediave të paraqesin storie në mënyrë dinamike dhe angazhuese, duke u dhënë audiencave mundësinë të përjetojnë ngjarje të dorës së parë.

E kushtëzuar me përhapjen e internetit, rrjeteve sociale dhe inovacioneve teknologjike, videoja është bërë mjet kryesor për gazetarinë në një botë që dëshiron informata të menjëhershme dhe vizualisht të fuqishme. Ajo është bërë pjesë përbërse e narrativës mediale, duke formësuar mënyrën se si ne i përjetojmë dhe i ndajmë lajmet në mjedisin bashkëkohor digjital.

Si të marrim lajme përmes videove të shkurtra

"Videot do të jenë më personale, më të shkurtra, më të qasshme dhe vizualisht bindëse pavarësisht nëse vijnë nga gazetarë e botues apo jo", i tha Nieman Labit Julia Munslow, redaktore e lartë e platformës në The Wall Street Journal.

Mu për këtë, ajo vendosi që mendimet e saj për parashikimet për vitin 2024 në Nieman Lab, ndryshe nga shumica që këtë e bënë përmes tekstit, t'i paraqesë përmes videos.

Snigdha Sur, themeluese e grupit The Juggernaut, parashikon se audiencat e mëdha, veçanërisht brezi i ri, do të përdorin TikTok, Instagram Reels ose YouTube Shorts për të marrë lajme. Ata do të zgjedhin platformën që është më e shpejta, më e thjeshta dhe më vizuale për të përmbledhur tema komplekse.

"Redaksitë që nuk fillojnë të testojnë video formate të shkurtra nuk do të jenë në gjendje të angazhojnë audiencë të uritur për informata në një vit të paqëndrueshëm politik", thotë ajo.

Duke folur për nevojën e testimit të strategjive të ndryshme të videove të shkurtra, Grupi Juggernaut planifikon të shfrytëzojë idetë e mëposhtme:

  • shndërrimin e disa prej artikujve të tyre bindës, vizualë në video asisoji që udhëheqësi të flasë për to;
  • vox-pop intervista përpara kamerave;
  • që autorët e tyre (gazetarët që shkruajnë tekste) të flasin për atë që ka hyrë në storie.

Ajo thotë se viti 2024 do të jetë "vit kritik për lajmet dhe gazetarinë - dhe më e mira është t'i gjejmë njerëzit mu aty ku janë".

Trendet e videove

Sipas menaxherit të marketingut, Hazel Raolt, këto janë tri trendet e video përmbajtjeve që duhen ndjekur në vitin 2024:

  • Videot e shkurtra

Funksionet si Instagram Reels, YouTube Shorts dhe të ngjashme i kontribojnë popullaritetit të madh të videove të shkurtra. Këto platforma i motivojnë shumë brende për të krijuar dhe publikuar video të shkurtra e argëtuese në format vertikal. Raportet tregojnë se shumica e ekspertëve të marketingut planifikojnë të investojnë mjete të konsiderueshme në këtë format. Videot me gjatësi 15-60 sekonda janë të optimizuara për feedë mobilë, gjë që mundëson konsum të shpejtë e të thjeshtë të përmbajtjes.

Sipas raportit të strategjive të marketingut dhe trendeve HubSpot Blog për vitin 2023, 90% e ekspertëve të marketingut tashmë përdorin video të shkurtra për të rritur apo ruajtur investimet e tyre për vitin vijues. Ky trend nuk mund të ndahet nga gazetaria, dhe kësisoji do të kemi vazhdim të popullaritetit të konsumit të lajmeve përmes videove të shkurtra.

  • Videot e gjeneruara nga inteligjenca artificiale (AI):

S'ka dyshim se videot e gjeneruara nga AI-ja do të shtohen gjatë vitit 2024. Inteligjenca artificiale po e revolucionarizon industrinë e prodhimit të videove duke mundësuar automatizimin e tërë procesit, duke përfshirë pjesën e skenarit, redaktimin dhe më shumë. Shumë kompani të AI-së tashmë ofrojnë një varg veglash me të cilat mund të krijoni avatarë, zëra, gjuhë, thekse të personalizuara, si dhe tërë krijimin e videove të mahnitshme me shabllonë të gatshëm.  

Me siguri se edhe ky lloj i videove do të hyjë në gazetari, por mbetet të shihet se në ç'mënyrë, pasi ka pasur tendencë të përhapjes së lajmeve të rreme përmes përdorimit të videove të krijuara nga AI-ja.

  • Rritja e realitetit virtual dhe të zgjeruar

Realiteti virtual dhe i zgjeruar është teknologji që pritet të transformojnë industrinë e krijimit të videove në vitin 2024. Këto teknologji, të cilat po zgjerohen me shpejtësi përtej lojërave, në fushat siç është reklamimi, ofrojnë mundësi të reja për të krijuar video emocionuese e reale. Për shembull, AR-ja mund të integrojë elementë interaktivë në video, duke u dhënë shikuesve një mënyrë të re për të bashkëvepruar me përmbajtjen. VR-ja u ofron përdoruesve përvojë unike udhëtimi dhe pjesëmarrjeje në evente. Më shumë rreth teknologjisë VR, AR, MR lexoni në tekstin në të cilin e kemi përshkruar dhe shpjeguar aplikimin e tyre në gazetari.

Përveç angazhimit të audiencës, kjo teknologji bën të mundur edhe krijimin e përvojave unike që tejkalojnë formatet konvencionale.

Siç mund ta shohim, parashikimet për vitin 2024 flasin për popullaritetin e vazhdueshëm të videove të shkurtra në gazetari, me theks në krijimin e videove më personale, më të shkurtra, më të qasshme e vizualisht bindëse, të destinuara për rrjetet sociale. Vazhdimi i këtij trendi të shpalosjes së lajmeve pasqyron një ndryshim të preferencave të audiencës që e vlerëson këtë lloj përmbajtjeje më shumë se përmbajtjen tekstuale. Prandaj, mediat duhet t'i kushtojnë vëmendje këtij trendi dhe të investojnë fonde në avancimin e kësaj forme në gazetari. Përveç se do t'u mundësojë mediave të komunikojnë më mirë me audiencën, investimi në këtë format do të sigurojë edhe qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë në epokën digjitale. Viti 2024 mund të jetë pikë kthese për gazetarinë, ku videot e shkurtra do të bëhen normë e jo përjashtim, derisa aftësitë e krijimit të video përmbajtjes në vija sa më të trasha do të vlerësohen edhe më shumë. Në Ballkan, tashmë po shohim disa shembuj të përdorimit të formatit vertikal që duken premtues, por në vitin 2024 nevoja për formate të këtilla do të jetë edhe më e madhe.

Vlerësoni cilësinë e artikullit