Parimet Perugia: Doracaku për mbrojtjen e sinjalizuesve

19.05.2023. / 09:09
Autor/ica
Share
whistleblowers
whistleblowers

"Jemi të detyruar të sillemi si spiunë, detyrohemi të mësojmë enkriptimin dhe të gjitha mënyrat e reja të mbrojtjes së burimeve", tregoi James Risen, korrespondent i lartë i sigurisë kombëtare për The Intercept, i cili shpesh shkroi për veprimet e fshehta të qeverisë.

Në imagjinatën e publikut, gazetarët që punojnë me sinjalizuesit mbajnë rroba të zeza, zhvillojnë takime në garazhe dhe vende të fshehura, lulet në vazo kthehen në sinjale.

Sot, gazetarët kanë më shumë gjasa të ndërveprojnë me sinjalizuesit në Signal e Telegram sesa në garazhet e errëta. Dhe kjo i ka ndryshuar kushtet në mënyrat që shpesh janë konfuze.

"Por ne nuk jemi agjenci inteligjence", vazhdon Risen, "ne vërtet nuk jemi spiunë. Pra, do të vijë një kohë kur mund të bëni gabim ose të bëni diçka që mund të mos e mbrojë në mënyrë të përsosur burimin. Kjo është vërtet punë e vështirë. Kjo është shumë e rrezikshme për të gjithë".

Kështu mendonte një gazetari i cili me hulumtimin e tij për udhëheqësit e qeverisë u ndoq penalisht.

Frika e tij nuk është e pabazë.

Pasojat e zbulimit të korrupsionit për gazetarët dhe sinjalizuesit

Në Festivalin Ndërkombëtar të Mediave në Perugia u lansua nisma Working With Whistleblowers in the Digital Age, si dhe konsultimet publike dhe një tryezë e rrumbullakët ku morën pjesë disa nga gazetarët më me ndikim në botë, së bashku me udhëheqësit e organizatave që i mbështesin ata.

James Risen, ish-korrespondent i New York Timesit për sigurinë kombëtare i cili u përball me burg ndërsa luftonte për të mbrojtur burimet e tij nga zbulimi në një proces të gjatë gjyqësor, sot po e drejton një raport të sigurisë kombëtare për The Intercept. I vetëdijshëm për rreziqet me të cilat përballen gazetarët dhe sinjalizuesit, ai theksoi nevojën për t'i trajtuar sinjalizuesit me respekt dhe dinjitet.

Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit të aftësive digjitale të mbrojtjes për gazetarët dhe burimet. Por ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për nevojën që gazetarët të kthehen në bazat e epokës analoge. "Aftësia e qeverive për t'i monitoruar gazetarët dhe burimet e tyre është kryesisht kibernetike. Prandaj, niveli në të cilin mësoni t’i njihni burimet personalisht dhe të dilni nga rrjeti dhe të bisedoni me njerëzit ballë për ballë do të jetë çelësi për të vazhduar të ndihmoni. Ky është hapi i parë që duhet të ndërmerrni për të mbrojtur burimin tuaj", tha Risen.

Lufta e tij me gjykatat nuk është rast i izoluar.

Në konferencën Dark Havens, të cilën në bashkëpunim me Transparency International e organizoi Disruption Network Lab, platformë e ngjarjeve dhe hulumtimeve me seli në Berlin e fokusuar mes politikës, teknologjisë dhe shoqërisë, u mbajt paneli me titull "Të heshtur nga autoritetet: Gazetarët antikorrupsion dhe sinjalizuesit të përballur me dhunën dhe persekutimin".

Paneli u përqëndrua në rrëfimet e tre gazetarëve hulumtues dhe sinjalizuesve që u përballën me hakmarrje për punën e tyre.

Pelin Ünker paraqiti situatën e saj si gazetarja e vetme që u përball me akuzat për raportimin e Panama Papers, e cila ende vuan dënim me burg në Turqi për shkak të raportimit për kompanitë e transportit të familjes së ish-kryeministrit me bazë në det në Maltë.

Gazetarja hulumtuese dhe televizive Khadija Ismayilova me ndalim udhëtimi në Azerbajxhan, dërgoi një video që detajonte sulmet kundër saj nga qeveria, duke filluar nga spiunimi dhe shantazhi, deri në burgim dhe akuza të sajuara. "Ndjehesha sikur qeveria e Azerbajxhanit po i projektonte krimet e veta mbi mua".

Stéphanie Gibaud, sinjalizuese e UBS-së nga Franca, e përshkroi dekadën e saj të fundit si makth, i cili filloi pasi ajo refuzoi të fshinte dosjet që detajonin se si puna e saj në departamentin e çështjeve publike të një dege franceze të një banke zvicrane u përdor për të transferuar llogaritë bankare në 'offshore' në Zvicër, ku ato do t'u nënshtroheshin taksave më të ulëta.

Vite më vonë, pasi banka e keqtrajtoi dhe paraqiti ankesë në Ministrinë Franceze të Punës, Ministria e Financave iu drejtua dhe e punësoi si dëshmitare sekrete.

Stéphanie është shembull se si mund të bëhet dëm në jetën e sinjalizuesve kur ata që veprojnë në bazë të informatave të tyre nuk u sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme.

Emri i saj rodhi në media, të cilat zbuluan identitetin e saj. Duke përjetuar atë që ajo e quan 'vdekje sociale' dhe papunësi të zgjatur, ajo shkroi një libër duke u përpjekur të vinte në dukje gjendjen kolektive të sinjalizuesve. Pjesërisht si pasojë e këtij libri, ajo kaloi nëpër procese të njëpasnjëshme gjyqësore, disa prej të cilave ende vazhdojnë.

Rrëfimin e gazetares që mori çmimin antikorrupsion për vitin 2018 nuk arriti ta tregonte ajo vetë. Pas vrasjes së Daphne Caruani Galizia, djemtë e saj theksuan se autoritetet nuk ishin mjaft të angazhuar në hetimin e vrasjes së saj.

Përndjekjet, frikësimet dhe vrasjet nuk janë skenarë që ndodhin në disa vende të mëdha me regjime politike autoritare.

Përndjekjet dhe frikësimet përjetohen çdo ditë nga gazetarët në Ballkan. Vetëm sepse me punën e tyre përpiqen ta bëjnë shoqërinë më të mirë.

20 Parimet Perugia që u ndihmojnë gazetarëve t'i mbrojnë sinjalizuesit

Digjitalizimi solli shumë mundësi për gazetarinë hulumtuese me ndikim të lartë - siç janë dosjet e Snowdenit dhe Panama Papers.

"Tash është e mundur që sinjalizuesit të lëvizin dhe të japin një masë të të dhënave të vlefshme që janë në interes të publikut në një shkallë të paparë. Por kjo është edhe epoka ku sinjalizuesit burgosen sepse agjencitë e sigurisë i përgjojnë dhe i zbulojnë këto raste. Nuk është luftë e barabartë kur kundërshtari juaj është agjenci e sigurisë kombëtare".

Parimet Perugia kanë lindur nga nevoja për t'i mbrojtur sinjalizuesit pa ndihmën e të cilëve shumë storie do të mbeteshin të papërfunduara ose të pazbuluara.

Këto janë parimet (doracaku në PDF) të shkruara për gazetarët nga gazetarët, e që duhet t'u ndihmojnë me këto veprime:

  1. Së pari, mbroni burimet tuaja
  2. Njihni kostot e sinjalizimit për sinjalizuesin
  3. Mbroni anonimitetin kur kërkohet një gjë e tillë
  4. Bëni një vlerësim digjital të rrezikut për çdo storie e cila përfshin burim të besueshëm apo sinjalizues
  5. Merrni përgjegjësinë për mbrojtjen tuaj digjitale dhe higjienën e të dhënave
  6. Pranoni dhe përdorni enkriptiimin
  7. Mbroni enkriptimin si të drejtën e njeriut të lidhur me lirinë e shprehjes dhe qasjen në informata
  8. Në storie të ndjeshme, trajnoni sinjalizuesit tuaj me bazat e sigurisë digjitale kur flasim për 'të dhënat në pritje'
  9. Trajnoni sinjalizuesit tuaj me bazat e sigurisë digjitale kur flasim për 'të dhënat në transfer e sipër'
  10. Publikoni dokumentet burimore kur kjo është e mundur dhe e sigurtë
  11. Njihni rëndësinë e grupeve të të dhënave si "storie"
  12. Publikoni grupe të dhënash në tërësi kur këtë e lejojnë resurset dhe kur kjo është e sigurtë
  13. Fshini të dhënat të cilat i kanë siguruar burimet, kur nga ju kërkohet t'i mbroni burimet, në përputhje me obligimet etike e ligjore të punëdhënësit
  14. Fshini të dhënat të cilat nuk ju duhen më dhe bëjeni këtë në mënyrë të sigurtë
  15. Kujdesuni që të gjitha kutitë digjitale (boxes) për burime dhe sinjalizues të ofrojnë shkallë të kënaqshme të sigurisë, ndërsa për materiale me rrezik të lartë anonimitet dhe siguri
  16. Kontrolloni materialin të fokusuar në vlera të informatave me interes publik dhe jo në qëndrimet tuaja apo në mendimet e burimeve apo sinjalizuesve
  17. Nxisni aktivisht organizatën tuaj të ofrojë siguri të duhur të të dhënave për gazetarët, burimet dhe materialet e ruajtura, bashkë me trajnimin e duhur për gazetarët.
  18. Për sinjalizuesit në rrezik të madh, nxitini paraprakisht të mendojnë se si do të sillen kur të dalë storia
  19. Kuptoni kornizat ligjore shtetërore, rajonale dhe ndërkombëtare si dhe kornizat rregulluese për mbrojtjen e burimeve të besueshme dhe sinjalizuesve
  20. Shpjegojuni burimeve/sinjalizuesve tuaj rreziqet e ekspozimit digjital në përputhje me obligimet tuaja etike për t'i mbrojtur ata.
Ocijenite kvalitet članka