Përdorimi i teknikës Google Dorking në gazetari

29.08.2023. / 10:28
Autor/ica
Google Dorking
Google Dorking

Zhvillimi i botës digjitale u ka hapur një dritare gazetarëve në një botë informatash që dikur ishte pothuajse e pamundur të sigurohen. Ndonjëherë mjaftojnë vetëm disa klikime për të marrë dokumente, të dhëna, ilustrime dhe informata të tjera që do të pasurojnë storien tonë, t'i japin kuptim asaj dhe të zgjojnë interesin dhe kuriozitetin e audiencës sonë të synuar. Por, nganjëherë, gjetja e informatave të duhura në databaza të stërmbushura makinash kërkimi mund të jetë sfiduese. Si ta gjejmë informatën e duhur që na nevojitet? E thjeshtë! Na duhen vetëm disa hapa më shumë se një kërkim standard.

Google Advanced Search – Kërkimi i avancuar në Google siç e kemi shpjeguar në një nga tekstet e mëparshme, është hapi i parë që do t'ju sjellë më afër informatave dhe të dhënave të synuara. Sot, po ju sjellim disa këshilla se si të futeni më thellë në botën e informatave të fshehura dhe të groposura thellë përmes teknikës Google Dorking.

Ç'është Google Dorkingu?

Edhe pse ka shumë përparësi dhe përfitime që epoka digjitale i ka sjellë gazetarisë, zhvillimi i saj i përshpejtuar njëkohësisht u vë gazetarëve kërkesa të reja drejt përmirësimit dhe zhvillimit të teknikave të reja të kërkimit. Një prej tyre është Google Dorkingu, një mënyrë inovative për të kërkuar në internet.

Google Dorking, i njohur edhe si "Hakimi në Google", është një teknikë e sofistikuar kërkimi e përdorur brenda Googleit dhe makinave të tjera të kërkimit, duke përdorur operatorët specialë dhe sintaksën. Kjo teknikë u mundëson përdoruesve të zbulojnë informata që nuk janë aq të qasshme përmes kërkimeve konvencionale. Kombinimi i fjalëve, simboleve dhe këmbënguljes së duhur u mundëson gazetarëve të zbulojnë informata që nuk janë të dukshme në një kërkim të zakonshëm. Nëpërmjet Google Dorkingut, është e mundur të zbulohen dokumente, direktori, skedarë dhe burime të tjera në internet që janë në dispozicion të publikut, por shpesh janë të fshehura mirë thellë brenda strukturave të faqeve të internetit. Zbulimi i skedarëve të fshehur dhe mangësive të sigurisë përmes dorkingut nuk kërkon njohuri të mëdha teknike dhe ka të bëjë me disa teknika kërkimi dhe aplikimin e tyre në makina të ndryshme kërkimi.

Në terma më të thjeshtë, Google Dorking  përfshin përdorimin e komandave speciale të kërkimit të quajtura "operatorë" që u mundësojnë përdoruesve të filtrojnë dhe përsosin rezultatet e kërkimit. Secili operator synon një aspekt specifik të të dhënave që indekson makina Google, siç është URL-ja e faqes, titulli, teksti ose lloji i skedarit.

Dorkingu në gazetari

Teknikën e kërkimit dorking mund ta aplikoni në çdo situatë kur dëshironi të merrni shpejt dhe me efikasitet informata në sferën online. Por, në gazetari, kjo teknikë ka rezultuar shumë e dobishme në këto kategori të kërkimit:

  • Identifikimi i rreziqeve (kamerat e sigurisë, databazat e hapura) - Kjo kategori përqendrohet në zbulimin e dobësive të sigurisë që mund të ekspozojnë informata të ndjeshme. Për shembull, duke kërkuar pyetje specifike si "inurl:/view.shtml", kërkuesit mund t'i zbulojnë kamerat e përgjimit në dispozicion të publikut që janë ekspozuar pa vetëdije për shkak të konfigurimeve të pasakta. Këto mangësi mund të përdoren nga aktorë keqdashës, dhe duke zbuluar këto situata, organizatat mund të përmirësojnë sigurinë e tyre.
  • Zbulimi i rrjedhjeve të ndjeshme të informatave (kodet, kredencialet) - Kjo kategori bën të mundur gjetjen e të dhënave të ndjeshme të ekspozuara pa dashje. Kërkimi "filetype:txt intext:password" mund të zbulojë skedarë që përmbajnë fjalëkalime të zakonshme në dispozicion pa dijeninë e publikut. Po ashtu, duke kërkuar skedarë që përmbajnë kredenciale specifike si "intext:username intext:password", kërkuesit mund të zbulojnë situata ku emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet ruhen pa sigurinë e duhur.
  • Lokalizimi i përmbajtjes së fshehur ose të kufizuar (direktoritë, skedarët) - Kjo kategori ju mundëson të gjeni pjesë të fshehura të botës digjitale që nuk indeksohen gjithmonë nga makinat konvencionale të kërkimit. Për shembull, kërkimi "index of /confidential" mund të zbulojë direktoritë me dokumente konfidenciale që janë aksidentalisht në dispozicion të publikut. Po ashtu, kërkesa " filetype:pdf site:example.com " mund të zbulojë lloje të caktuara skedarësh brenda një domeni specifik.
  • Zbulimi i informatave në platformat e rrjeteve sociale - Platformat e mediave sociale po bëhen burimi kryesor i informatave për kërkime. Me kërkime që synojnë platforma specifike dhe përmbajtje të përdoruesve, kërkuesit mund të marrin njohuri për individë, organizata dhe ngjarje. Kështu, kërkimi "site:twitter.com intext:fjala kyçe" mund të zbulojë biseda dhe ndërveprime në lidhje me një fjalë kyçe. Po kështu, "site: linkedin.com inurl:in OR intitle:profile" mund të zbulojë profile publike të lidhur me individë.

Përveç kësaj, në gazetarinë hulumtuese, kjo teknikë mund të përdoret për të hulumtuar informatat e korporatave, si dhe strukturat e pronësisë së kompanive ose pasurive të paluajtshme. Me përdorimin e dorkëve, gazetarët mund të zbulojnë dokumente interne, takime dhe diskutime të punëtorëve që mund të tregojnë aktivitete joetike ose të paligjshme brenda organizatave. Gjithashtu, kjo teknikë u mundëson gazetarëve të gjejnë regjistra dhe dokumente në dispozicion të publikut që ofrojnë njohuri për lidhjet pronësore, gjë që është veçanërisht e dobishme për hulumtimin e konflikteve të mundshme të interesit dhe mungesës së transparencës në biznes.

Teknikat Google Dorking

Disa nga operatorët dhe komandat më të përdorura të Google Dorkingut (dorks) janë si më poshtë:

  • Kërkimi i një domeni individual - site: operatori ju mundëson të kufizoni kërkimin tuaj në një domen specifik. Nëse duam të gjejmë të gjitha skedarët PDF të vendosura në faqen e internetit "shembulli.com", kërkimi mund të duket kështu: site:shembulli.com filetype:pdf.
  • Kërkimi përmes titujve të faqeve - intitle: operatori ju mundëson të kërkoni përmes titujve të faqeve. Për shembull, për të gjetur faqet që kanë një titull që përmban fjalën "video", ne përdorim: intitle:video.

Figura 1 tregon një shembull të thjeshtë të kombinimit të këtyre dy dorkëve, rezultatet e kërkimit të të cilave tregojnë të gjithë titujt që përmbajnë fjalën "video" në balkansmedia.org.

google dorking
Figura 1. – kombinimi i dorkëve "site:" dhe "intitle:"
  • Kërkimi brenda URL-ve - inurl: dorku na mundëson të kërkojmë brenda URL-ve të faqes. Për të gjetur të gjitha faqet që përmbajnë një "raport" në URL-të e tyre, ne përdorim: inurl:raport.
  • Kërkimi sipas llojit të dokumentit: filetype: ose ext: do ta kufizojë kërkimin tuaj në llojet specifike të dokumenteve që përmendni.
  • Kërkimi i përmbajtjes specifike - intext: dorku na mundëson të kërkojmë brenda trupit të faqeve. Nëse duam të gjejmë të gjitha faqet që përmbajnë fjalën “financimi i partive politike”, mund të përdorim pyetjen: intext:financimi i partive politike.

Figura 2 shfaq rezultatet e kërkimit të gjeneruara nga kombinimi i tre dorkëve të mëparshëm.

google dorking
Figura 2 – kombinimi i dorkëve "inurl:", "filetype:" dhe "intext:"

Përveç kësaj, përmes kërkimit të burimeve RSS duke përdorur operatorin "feed:", gazetarët mund të gjejnë informata përkatëse, si burimet që lidhen me kriptovalutat ("feed:kriptovalutat"). Gjithashtu, përmes operatorit "language:", mund të kufizojmë kërkimin në një gjuhë specifike, si në rastin e kërkimit të informatave mbi inteligjencën artificiale në gjermanisht (p.sh. "language:german intext:kriptovalutat").

 

Nëse ende nuk jeni të sigurtë se si të gjeneroni dork, këtu mund t'ju ndihmojë DorkGPT – vegël AI e krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Po ashtu, nëse doni të futeni më thellë në botën e dorkingut, një burim i shkëlqyer mund të jetë Google Hacking Database,  e cila ofron një sërë kërkimesh të avancuara që mund t'ju ndihmojnë të zbuloni informata dhe të dhëna të fshehura në internet.

Si t'i avanconi shkathtësitë e Google Dorkingut?

Pasi t'i zotëroni aftësitë themelore të dorkingut, mundësitë e kombinimit janë pothuajse të pakufizuara. Hapat kryesorë që mund t'ju ndihmojnë të arrini qëllimin janë:

  1. Mësoni sintaksën dhe operatorët kryesorë: Themeli për përdorimin e suksesshëm të Google Dorkingut qëndron në kuptimin e sintaksës bazë dhe operatorëve kryesorë si "site:", "filetype:", "intext:", "inurl:" dhe të tjerë. Eksploroni dhe përvetësoni me kujdes këta operatorë për t'i definuar saktë kërkimet tuaja.
  2. Përkufizoni me saktësi fjalët kyçe: Fjalët kyçe janë thelbi i çdo kërkimi. Zgjidhni me kujdes fjalët kyçe që janë të rëndësishme për storiet tuaja për të siguruar rezultate të sakta.
  3. Eksperimentimi me dorkë të ndryshëm: Google Dorkingu është teknikë kreative. Mos hezitoni të eksperimentoni me dorkë të ndryshëm për të zbuluar burime të reja informatash dhe për të thelluar kërkimet tuaja.
  4. Ruajtja e etikës: Ndërsa Google Dorkingu siguron qasje në informata në dispozicion të publikut, kini parasysh aspektet etike kur i shfrytëzoni këto informata. Me rastin e publikimit të informatave të gjetura, është e rëndësishme të merren parasysh privatësia dhe pasojat.

Google dorkingu është një vegël e çmueshme për gazetarët që duan kërkime më të thella dhe zbulim të informatave të fshehura në internet. Është e rëndësishme që kjo teknikë të përdoret me përgjegjësi dhe respektimin e standardeve etike për t'u siguruar që informata të përdoret në mënyrë të duhur.

Pasi t'i zotëroni bazat, mundësitë e kombinimeve dhe mënyrat e tkurrjes së kërkimit bëhen pothuajse të pafundme. Andaj, përdorni kreativitetin tuaj në kombinime të shumta të dorkëve, dhe kujdesuni të mos ju ikin informatat që mund ta pasurojnë punën tuaj gazetarore.

Vlerësoni cilësinë e artikullit