Përdorimi i terminologjisë së duhur në media kur flitet për përhapjen e fotografive intime pa pëlqim

12.10.2023. / 12:19
Autor/ica
Dijeljenje intimnih slika bez pristanka
Dijeljenje intimnih slika bez pristanka

SHËNIM: Meqë përkthimi zyrtar në gjuhën boshnjake, serbe dhe kroate nuk është botuar ende, citatet në këtë tekst janë përkthim jozyrtar nga anglishtja.

Përdorimi i terminologjisë së duhur në media në kontekstin e shpërndarjes së fotografive intime pa pëlqim mund të kontribojë shumë në ndryshimin e perceptimit shoqëror dhe stigmës që i mveshet më shpesh viktimës, në vend se të fajësohet autori i këtij akti.

Rëndësia e gjuhës dhe terminologjisë korrekte

Gjuha dhe terminologjia korrekte ndihmojnë në bartjen e informatave saktë dhe qartë te publiku. Keqpërdorimi i fjalëve ose shprehjeve mund të çojë në konfuzion ose keqkuptim ose pasqyrë të shtrembëruar të një teme. Përdorimi i gjuhës dhe terminologjisë së duhur duhet të dëshmojë përkushtimin ndaj saktësisë dhe profesionalizmit, gjë që mund të rrisë besimin e publikut.

Zgjedhja e gjuhës mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohet tema. Gjuha e njëanshme ose sensacionaliste mund të shtrembërojë faktet dhe të çojë në paraqitje të shtrembëruar të ngjarjeve. Ruajtja e terminologjisë neutrale dhe të saktë është qenësore për gazetarinë e përgjegjshme.

Nga ana tjetër, audienca të ndryshme mund të kenë nivele të ndryshme njohurish për tema specifike. Edhe mediat mund të bëjnë gabime të paqëllimshme ose të përdorin gjuhën e përhapur pa e ditur se, si e tillë, ajo mund të ngjyroset me paragjykime ose stereotipe që mund të ndikojnë në perceptimin e një personi ose grupi të caktuar njerëzish.

Shprehjet e përdorura që përjetësojnë paragjykime

Duke marrë parasysh rëndësinë e gjuhës dhe terminologjisë, sot duam të tërheqim vëmendjen drejt disa koncepteve problematike që kanë zënë vend në komunikimin medial, nëse ato janë në thelb të dëmshme dhe të gabuara.

Gjithnjë e më shumë, përmes mbulimit medial, mund të dëgjojmë shprehjen "pornografi hakmarrëse" dhe shprehje të ngjashme që përfshijnë fjalën "pornografi" që në të vërtetë flasin për përdorimin e paligjshëm të fotografive dhe videove të një natyre personale ose videove të paligjshme për të cilat njerëzit as nuk e dinë.

Së fundmi, dy autore nga BIRN BiH, Aida Mahmutovic dhe Aida Trepanic, përgatitën një publikim që flet pikërisht për këtë temë. Publikimi me titull “Shpërndarja e fotografive intime pa pëlqim nẽ Bosnje dhe Hercegovinë: Ajo që është private nuk është pornografike dhe arsye të tjera pse terminologjia është e rëndësishme në kontekstin e dhunës në familje” flet për rëndësinë e qasjes së saktë ndaj kësaj teme, si dhe problemin e sferës online përmes së cilës përhapet më shpesh përmbajtje e tillë.

"Viktimat e shpërndarjes së fotografive intime pa pëlqim (NCIID) shpesh zhgënjehen me reagimin e institucioneve qeveritare, për shkak të boshllëqeve në sistem; dhe madje edhe kur ai sistem funksionon në të gjitha mënyrat që do të duhej, kjo dhunë ndonjëherë vazhdon në hapësirat online. Prandaj, ky hulumtim eksploron dhunën gjinore online në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH) me fokus në NCIID. Ai trajton terminologjinë e gabuar (siç është "pornografia hakmarrëse") që përdoret zakonisht për të përshkruar këtë abuzim në internet dhe diskuton për llojet e ndryshme të dhunës gjinore që mund të shihen në internet dhe se si ato vihen përballë të drejtave të ndryshme. Hulumtimi gjithashtu ofron një pasqyrë të kuadrit ligjor ndërkombëtar dhe vendor dhe se si kompanitë e mediave sociale po përpiqen ta adresojnë këtë problem të përhapur" – thuhet në hyrjen e këtij pubikimi.

Duke iu kthyer faktit se pse shprehja e përhapur “pornografi hakmarrëse” është problematike, autoret thonë se domethënia e kësaj shprehjeje "dënon viktimat që nga fillimi, duke nënkuptuar se ato kanë bërë diçka të denjë për "hakmarrje", dhe se maskon dhe justifikon keqbërjet e shkelësve duke i paraqitur fotografitë private si "porno" - një fjalë që është stigmatizuar shumë".

Duke marrë parasysh problematikën e domethënies së kësaj shprehjeje, autoret, si dhe shumë aktivistë feministë, propozojnë përdorimin e shprehjes "përhapja e fotografive intime pa pëlqim". Kjo shprehje ka për qëllim luftimin e stigmatizimit të viktimave, pra tërheqjen e vëmendjes ndaj ngacmuesve që shpërndajnë përmbajtje, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për personat që janë cak i sulmeve të tilla.

Sophie Maddocks, mësuese dhe studiuese, interesat e së cilës përfshijnë aktivizmin e mediave digjitale, dhunën gjinore online dhe edukimin medial të të rinjve, përmend pesë arsye pse një akt i tillë nuk duhet të quhet "pornografi hakmarrëse".

1. Nuk është hakmarrje

Kur flasim për shprehjen "hakmarrje", ajo më së shpeshti lidhet me faktin se dikush ka bërë diçka të gabuar, dhe dikush dëshiron t'i hakmerret. Praktika tregon se videot e paligjshme intime publikohen më së shpeshti si rrjedhojë e përfundimit të një partneriteti, si rezultat i të cilit një nga partnerët vendos t'i "hakmerret" tjetrit (ta ndëshkojë, t'i bëjë dëm) meqë më nuk është i shfrytëzueshëm materiali që e kanë prodhuar së bashku, por që nuk duhet të ishte shpërndarë kurrë, apo edhe që nuk ka marrë kurrë pëlqimin e të dy personave për t'u xhiruar. Akte të këtilla shpesh përfshijnë ngacmimin, përpjekjen për kontroll dhe kontakt të mëtejshëm me personin, krijimin e një atmosfere të padurueshme për viktimën që ndihet e frikësuar, e turpëruar dhe e keqkuptuar.

"Kryerësi mund të nxitet nga inati pas ndërprerjes së një marrëdhënieje intime. Ata mund të nxiten nga stimuj financiarë; postimi i fotografive nudo ose videove seksuale në internet për një çmim ose zhvatja e parave nga viktima. Ndoshta thjesht nxiten nga një dëshirë voajeriste për të ekspozuar tjetrin. Por përdorimi i fjalës 'hakmarrje' nënkupton supozimin se viktimat kanë kryer dëmin fillestar për të cilin kryerësi ka të drejtë të marrë hak... Sa herë që përdorim këtë shprehje, ne ua lëmë fajin viktimave dhe maskojmë veprimet e abuzuesve të cilët e krijojnë dhe e shikojnë me vetëdije këtë përmbajtje". – thuhet në artikull.

2. Nuk është video pornografike

Kur përdorni fjalën "pornografi" në videot që dikush i ka bërë për përdorim personal, intim ose vetë videoja është krijuar pa pëlqim, atëherë ajo përmbajtje merr një konotacion absolutisht të ndryshëm dhe e paraqet atë si përmbajtje publike.

"Termi pornografi bashkon materialin vizual privat me përmbajtjen publike që i kushtohet konsumit masiv. Ai i kthen viktimat në aktorë pornografikë që në dukje japin pëlqim. Përdorimi i shprehjes 'pornografi' shtrembëron tutje dëmin tashmë të keqkuptuar sepse NCIID dhe pornografia amatore qarkullojnë pa dallim në faqet e filmave për të rritur... Duke e quajtur NCIID-in 'pornografi' njerëzve u lejohet në heshtje të konsumojnë atë që krijohet ose shpërndahet pa pëlqimin e tyre".

3. Nuk është argëtim

"Shprehja 'pornografi hakmarrëse' tërheq vëmendjen dhe është skandaloze – perfekte për titujt e gazetave. Ky lloj raportimi nuk korrespondon me përvojat e viktimave". – thotë Maddocks.

Raportimi i shpeshtë për këtë temë reduktohet te të famshmit që janë bërë viktima të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes intime, por problemi është shumë më i madh sepse përfshin viktima të tjera që luftojnë me këtë akt të dhunshëm të shpërndarjes në faqe të ndryshme pornografike që rrallë ose kurrë nuk raportohen. Në fakt, problemi si i tillë nuk raportohet, sepse viktimat as nuk duan që rasti i tyre të shfrytëzohet më tej përmes artikujve të mediave që do të flasin me shprehje të gabuara, siç është "pornografia hakmarrëse". Do të ishte e rëndësishme të ndryshohej narrativa dhe të përshtatej terminologjia për t'iu përgjigjur sfidës dhe problemit të vërtetë.

Imazhi i shtrembëruar i këtyre akteve çon në përhapjen e narrativës përmes mediave se gratë nuk duhet të shpërndajnë përmbajtjen e tyre intime, gjë që vendos barrën mbi gratë që kanë të drejtë dhe liri të xhirojnë veten në çfarëdo mënyre që dëshirojnë, por që kjo përmbajtje nuk duhet të shpërndahet pa pëlqim. Ato shpesh edhe detyrohen ose xhirohen pa leje, gjë që thellon tutje çështjen e tërheqjes së vëmendjes ndaj grave.

raportin e tyre të vitit 2017, Lobi Evropian i Grave foli për rëndësinë e ndryshimit të narrativës përmes së cilës do të tërhiqej vëmendja drejt autorëve. Kështu, ata përmendën disa shprehje që mund të jenë të rëndësishme për t'u futur në diskursin medial: përgjues online, groomer, regruter, creepshotter, voajer, etj.

"Mendoj se mediat mund të ketë ndikim të madh në çështje të këtilla dhe efekti i mediave shpesh neglizhohet. Nëse mesazhi është i drejtë, [ne] do të mund t'i destigmatizonim gratë e reja në këtë situatë dhe të ndikojmë që të rinjtë ta kuptojnë se shpërndarja e këtyre imazheve nuk është cool". – thanë nga Media Maker në një intervistë të zhvilluar për tezën e masterit të autores me titull "Kundër pornografisë hakmarrëse: një histori bashkëkohore e mendimit dhe veprimit".

4. Nuk është diçka e re

Shpërndarja e përmbajtjes me natyrë intime pa leje ose pëlqim nuk është diçka që doli me shpikjen e internetit. Për fat të keq, kjo formë e shpërndarjes është regjistruar më parë, kur në vitin 1953 fotografitë nudo të Marilyn Monroes u shfaqën pa pëlqimin e saj në numrin e parë të revistës Playboy. Me avancimin e teknologjisë, shpërndarja e përmbajtjes së paligjshme u bë më masive.

"Përmbajtja e kapur pa pëlqim tani është përgatitur dhe kataloguar në databaza të mëdha digjitale siç është creepshots.com, dyqan i vetëshpallur në një vend për imazhet e 'prapanicave, gjinjve, dekoltesë, këmbëve dhe fundeve të shkurtra' të grave". – thotë autorja në tekst.

Ka me qindra hapësira të tilla në internet që mbledhin përmbajtje intime të paligjshme sot, dhe grupe dhe hapësira të ngjashme ekzistojnë edhe në Ballkanin Perëndimor. Në mars të këtij viti, BIRN Serbia publikoi një storie hulumtuese për këtë temë me të dhëna dëshpëruese.

Me qëllim të paraqitjes së këtij problemi, më shumë se njëzet gra nga Serbia folën për tronditjen, frikën dhe turpin që i goditi si viktima të pornografisë hakmarrëse. Ajo që tregohet qartë në tekst është se përmbajtja e tillë përhapet përmes grupeve në Telegram, nga të cilat deri në 16 ishin aktive në kohën e hulumtimit.

5. Nuk është aq e thjeshtë

Sipas aktivistëve, shprehja "pornografi hakmarrëse" më së shpeshti perceptohet si një akt i kryer nga një ish i dashur xheloz, ku përjashtohen një sërë aktesh të tjera, si ndjekja e grave në rrjetet sociale, marrja e fotografive të profilit të tyre dhe shpërndarja e tyre përmes kanaleve të tjera, siç janë grupet e lartpërmendura në Telegram. Pra, ekzistojnë forma të ndryshme të marrjes dhe shpërndarjes së paligjshme të fotografive dhe videove të grave.

Do të ishte e rëndësishme të zgjerohej mbulimi medial dhe të tërhiqej vëmendja drejt të gjitha burimeve të përdorura nga ngacmuesit për të marrë video dhe imazhe, duke theksuar paligjshmërinë e këtyre akteve, duke kërkuar nga institucionet kompetente përgjigje dhe procedura konkrete që kanë për cak sulmuesit, me çka do të vendosej fokusi në mizoritë e ngacmuesit, dhe jo në viktimën që tashmë po i nënshtrohet torturës dhe ka pasoja të ndryshme psikologjike. Duhet të bëhet e qartë se ky është një problem i qartë i ekzistencës së dhunës gjinore në internet.

Siç shprehet autorja në fund të artikullit të saj: "Një ndryshim i vogël në fjalor mund të ketë ndikim të madh në politikat dhe qëndrimet publike".

Siç tha Aida Mahmutovic në një panel që diskutonte për shpërndarjen e paautorizuar të videove intime, të mbajtura si pjesë e forumit Internet Governance, nëse nga sot të paktën një person fillon të përdorë shprehjen "shpërndarja e përmbajtjes intime pa pëlqim" në vend të "pornografisë hakmarrëse", ndryshimi tashmë do të ndodhte. Nëse mediat do ta ndryshonin mënyrën se si shkruajnë për këtë temë, ky ndryshim do të ishte më se i mundur.

Vlerësoni cilësinë e artikullit