Përhapja e frikës në lajme është bërë karrem për klikime edhe pse ato kanë efekt të dëmshëm në psikikën e lexuesve

20.01.2023. / 10:54
Autor/ica
Share
fear in media
fear in media

Gjithçka është e tmerrshme.

Skenari, ngjarja, heshtja, e kaluara... Sot, nuk ka më aksident trafiku që nuk është i tmerrshëm.

Njëherë kam klikuar në një titull që thoshte se kishte ndodhur një aksident i tmerrshëm, vetëm për të parë se ç'kuptim kishte fjala  "tmerrshëm".

1
Foto: Titujt në mediat vendore të gjetur me përzgjedhje të rastësishme dhe klikim

Nëse nisemi nga lajmi që kam lexuar, për shumë media në Ballkan tmerrshëm do të thotë ashtu. Në këtë aksident trafiku nuk pati të lënduar dhe dëmi material ishte i vogël.

Shumë media e kanë kuptuar se shkaktimi i zemërimit dhe frikës te njerëzit rrit lexueshmërinë.

Ekonomia e vëmendjes siguron terren pjellor për mbjelljen e frikës (angl. fearmongering).

Në vitet 1970, shkencëtari Herbert Simon argumentoi se "në një botë të pasur me informata, pasuria e informatave do të thotë mungesa e diçkaje tjetër: mungesa e gjithçkaje që konsumojnë informatat. Dihet se çka konsumojnë informatat: e konsumojnë vëmendjen e ndjekësve të tyre".

E kjo na sjell te konceptet "stërngarkesa me informata", dhe "ekonomia e vëmendjes". Në ekonominë e vëmendjes, vullneti i njerëzve për të përqendruar vëmendjen e tyre në disa stimuj informativë krijon vlerë pikërisht për këta stimuj.

Sepse kjo funksionon.

Shumë media e kanë kuptuar se shkaktimi i zemërimit dhe frikës te njerëzit do të rrisë lexueshmërinë. Kjo vlen sidomos në epokën e mediave sociale ku njerëzit pëlqejnë dhe transmetojnë një artikull që i ka shqetësuar, e shpesh ndodh të mos e kenë lexuar atë.

Sot, shembulli aktual është ajo që në Amerikë njihet si snowmageddon.

Në vendet me klimë kontinentale, po bie borë në pikë të dimrit. Dhe kjo është lajm.

Të jemi të qartë – kjo nuk është praktikë vetëm e mediave në Ballkan. Këtë mund ta quajmë trend i cili po përsëritet në media në mbarë botën. Një portal në Irlandë publikoi një lajm ku paralajmëronte reshjet e borës, vonesat dhe problemet në trafik, mbylljen e shkollave dhe, kujdes tani, temperaturën deri në -4 gradë (Sa për krahasim, do të përmendim se sipas klasifikimit klimatik të Köppenit, temperatura mesatare në rajonet kontinentale është nga -12 deri në 7 gradë).

2 

Me rëndësi të jetë e tmerrshme, pavarësisht se sa e pakuptimtë është. Dhe gjithçka bëhet e pakuptimtë për shkak të publikimeve në rrjetet sociale të cilat njerëzit i shpërndajnë me ëndje. Këto janë pamjet nga Irlanda për të cilat disa media kanë njoftuar për "rrezikun e verdhë".

3 

Snowmagedon nuk është e vetmja ngjarje që fut frikë dhe panik te lexuesit. Dikur, tema e terrorizmit ishte vegël tepër e fuqishme për të futur frikën në palcën e të gjithë atyre që ndiqnin mediat.

Shqetësimet për shkak të pasigurisë ishin të pranishme te çdo njeri, sepse nuk kishte siguri se mund të shkonit shëndoshë e mirë në një udhëtim dhe koncert dhe të ktheheshit të gjallë në shtëpi. Këtë e kishin të qartë lexuesit e mediave. Por kjo pasiguri nuk ishte arsye e mirë për t'i frikësuar më tej njerëzit.  Gjithsesi, ishte praktikë.

Duke lexuar ballinat e mediave kryesohe, mund të kuptohej se terrorizmi ishte një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.

E megjithatë, vrasjet që lidhen me terrorizmin janë pjesë e vogël e shkallës së përgjithshme të vrasjeve, sidomos në SHBA.

Nemil Dalal në artikullin e vet "Si e ushqejnë mediat frikën tonë nga terrorizmi" thotë se ekziston një asimetri e thellë mes raportimit të sulmeve terroriste dhe llojeve të tjera të vrasjeve, siç ilustrohet nga një mostër dyvjeçare e artikujve të ballinave të mbledhur nga New York Timesi.

sa
Burimi: Priceonomics / Nemil Dalal. Grafiku tregon mostrën e të dhënave dhe storieve të përcaktuara si "terrorizmi islamik" krahasuar me numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga vrasjet. Kini parasysh se të dhënat për këtë grafikon janë nga periudha 2015-2016.

Grafikoni paraqet gjendjen reale dhe "mediale". Numri i vdekjeve që për shkaktar kishin vrasjen në botë shënonte 90%, derisa numri i vdekjeve nga terrorizmi shënon rreth 10%. Nëse nisemi nga ballinat e New York Timesit, raporti është 50-50.

Përhapja e frikës është formë e manipulimit me lexuesit.

Përhapja apo shkaktimi i frikës është formë e manipulimit që shkakton frikë përmes përdorimit të thashethemeve të mëdha për rrezikun që kanoset.

Sipas psikologjisë evolutive, njerëzit i kushtojnë vëmendje rrezikut për shkak të vetëdijes për rreziqet që janë të rëndësishme për mbijetesë përgjatë evolucionit tonë. Sot nuk kemi frikë se do të na hajë ujku, por efekti rritet me evolucionin kulturor. Mediat i kënaqin apetitet tona për lajmet mbi rreziqet: vërshimet botërore, tërmetet e mëdha, trazirat qytetare dhe vala e tretë e Covid-19 (të gjitha këto paralajmërime ishin gjatë javës së shkuar!)

Çfarë efektesh psikologjike mund të ketë kjo?

Një nga pasojat është "sindroma e botës së keqe". Njerëzit e perceptojnë botën si më të rrezikshme, gjë që e pengon jetën e tyre të përditshme dhe optimizmin për të ardhmen. Efekti më pak i dukshëm që mund ta ketë shkaktimi i frikës është efekti i "përbashkimit rreth flamurit", i cili haset më shpesh te mbështetja e shtuar për udhëheqësit e tanishëm politikë.

Këto parime duhet të ndikojnë në vendimet për përhapjen e informatave dhe të jenë në qendër të praktikës bashkëkohore mediale.

Danah Boyd është partnere kërkimore në Microsoft Research, dhe ajo i paraqiti këto ide gjatë një simpoziumi në Nju Jork. Meqë po e përqafojmë plotësisht një shoqëri të rrjetëzuar, duhet të shikojmë se cilat parime duhet të ndikojnë në vendimet për të shpërndarë informata.

Këto tri parime duhet të jenë në qendër të praktikës bashkëkohore mediale:

  1. Gazetarët gjithmonë zgjedhin se çka do të mbulojnë dhe çka jo. Krijoni një shoqëri të informuar dhe të shëndetshme dhe përqëndrohuni në storie që i ndihmojnë publikut të kuptojë më mirë botën ku jetojmë.

  2. Mos i deformoni informatat, gjeni nuanca dhe saktësi.

  3. Kurrë mos harroni se gazetaria është e mirë publike. Tërë komunikimi është menaxhimi i përshtypjeve. Përdorni gjuhën dhe mesazhet për të luftuar kundër përshtypjeve të frikshme dhe për të rritur të kuptuarit e publikut.

Shoqëria varet nga informatat dhe këto informata mund të cënohen dhe të copëtohen nëpërmjet frikës.

Boyd konsideron se nuk ka asgjë neutrale në praktikën e raportimit, "Ndërsa shoqëria jonë bëhet më e rrjetëzuar, ne duhet t'i përmbahemi rëndësisë së krijimit të një shoqërie të shëndetshme. Çelësi është të mos lejoni që frika të marrë pushtetin".

Ocijenite kvalitet članka