Rëndësia e barazpeshës mes komunikimit të shkruar dhe atij vizual në gazetari

05.07.2022. / 09:40
Autor/ica
Share
balance
balance

Mënyra se si komunikojmë me publikun po bëhet gjithnjë e më komplekse. Interneti është bërë thesar lajmesh dhe informatash. Komunikimi me publikun sot përfshin shumë elemente që janë pjesë e artikujve medialë. Sot ne komunikojmë me publikun përmes një sërë kanalesh komunikimi, e rrjetet sociale e kanë bërë këtë komunikim edhe më kompleks.

Me shfaqjen e internetit dhe të mediave online, mundësia e shqyrtimit të më shumë formave të komunikimit brenda një artikulli ka hapur një varg opsionesh për bartjen e informatave. Artikujt sot përbëhen nga elemente të ndryshme vizuale. Forma video dhe audio janë bërë pjesë përbërëse e bartjes së informatave, e infografikat dhe përgjithësisht vizualizimi i të dhënave bëhen mënyrë e domosdoshme për paraqitjen e shifrave komplekse që përbëjnë një pjesë të mirë të informatave që transmetojnë mediat. Sigurisht, fotografia as nuk e ka humbur as nuk do ta humbë ndonjëherë rëndësinë.

Shtrohet pyetja: sa e rëndësishme është përfshirja e të gjitha këtyre elementeve në raportimin e mediave sot, dhe si të ruhet barazpesha në përdorimin e komunikimit të shkruar dhe vizual gjatë bartjes së informatave.

Ç'është komunikimi me shkrim

Komunikimi me shkrim në gazetari është aftësi tejet e rëndësishme. Nuk ka medium që në ndonjë formë (më të shkurtë a më të gjatë) nuk e përdor komunikimin me shkrim.

Komunikimi me shkrim lidhet me procesin e bartjes së një mesazhi përmes simboleve të shkruara. Me fjalë të tjera, çdo mesazh i shkëmbyer mes dy ose më shumë personave që përdorin fjalë të shkruara quhet komunikim me shkrim.

Komunikimi me shkrim kërkon njohuri të teknikave të shkrimit, përdorimin e fjalorit dhe gjuhës. Ky komunikim pasqyron mënyrën se si mesazhet barten përmes karakterit të shkruar. Kur flasim për gazetarinë, flasim për shkrime specifike gazetarore.

Shkrimi gazetaror karakterizohet nga shkrimi konciz që tërheq vëmendjen, ndërsa përdoret për bartjen e informatave te publiku. Forma e shkruar e komunikimit është metoda më e njohur dhe më tërheqëse e transmetimit të lajmeve dhe në gazetari ajo përdoret që nga fillet e saj. Megjithëse shpejtësia dhe mënyra e plasimit të lajmeve ka ndryshuar me zhvillimin teknologjik, stili dhe parimet që përbëjnë shkrimin gazetaror kanë mbetur të pandryshuara.

Shkrimi gazetaror është stil i të shkruarit i cili përdoret për raportim të lajmeve në gazeta, emisione televizive, në radio e në internet. Ndryshe nga stilet e tjera të të shkruarit, të cilat mund të jenë fleksibile dhe rastësore, karakteristikat e shkrimit gazetaror dallohen shumë lehtë. Stili i shkrimit gazetaror i përshtatet një rrethi më të gjerë njerëzish sfondesh të ndryshme (arsimi, mosha, profesioni...). Stili gazetaror shpesh karakterizohet nga fjali të shkurtra dhe përgjigje për pyetjet: kush, çka, ku, kur, si.

Ç'është komunikimi vizual

Ndryshe nga komunikimi me shkrim, komunikimi vizual vë në pah përdorimin e efekteve vizuale në bartjen e mesazhit te një publik i synuar, që ka përparësi dhe përfitime të shumta si në rrafshin individual ashtu edhe në atë profesional.

Gazetaria vizuale është praktikë e kombinimit strategjik të fjalëve dhe imazheve për bartjen e informatave. Gazetaria vizuale bazohet në idenë se në epokën e ndryshimeve të shpejta, fjalët shpesh nuk arrijnë të jenë në hap me konceptet. Komunikimi vizual sot është një nga aftësitë më të rëndësishme që çdo gazetar duhet ta zotërojë.

Mënyra se si njerëzit i konsumojnë informatat e tyre ndryshon në mënyrë dramatike çdo ditë. Me rritjen e mediave siç janë blogët, rrjetet sociale dhe video streamingu, mënyra se si ju arrini te publikun tuaj nuk është e njëjtë si më parë.

Barazpesha mes komunikimit të shkruar dhe atij vizual

Imazhet mediale, komunikimi vizual mund të kenë ndikim të madh në mënyrën se si publiku i kupton lajmet, dhe e njëjta gjë ndodh edhe me komunikimin me shkrim. Gjithçka varet nga mënyra se si e përdorni. Përmbajtja tërheqëse vizuale shkakton reagime momentale emocionale dhe ka aftësinë të tërheqë vëmendjen, gjë që lë përshtypje shumë më të gjatë se komunikimi i shkruar. 

Edhe pse elementet vizuale përpunohen shumë më shpejt dhe i lënë përshtypje publikut, teksti ofron të kuptuarit më të mirë të temës për të cilën është raportuar. Krijimi i barazpeshës mes tekstit dhe përmbajtjes vizuale është kombinim i të kuptuarit dhe metodës më të mirë të dërgimit të përmbajtjes, pritjeve të publikut, peshës së elementeve dhe dërgimit.

Dizajneri dhe artisti medial Petar Dahmen në një rast deklaroi: "Ideja është të bëhen imazhe që janë të rëndësishme për një storie, në vend se të kërkohen më pas elemente vizuale që 'përshtaten'".

Aty qëndron rëndësia e barazpeshës mes komunikimit të shkruar dhe atij vizual. Qëllimi nuk është të përmbytet publiku me elemente vizuale vetëm për ta tërhequr dhe për të klikuar, zakonisht, në ndonjë artikull online. Qëllimi është dhe duhet të mbetet në përputhje me nevojat e temës për të cilën raportohet.

Kombinimi i fotografive, videove, vizualizimeve dhe tekstit në ekran mund të përpunohet me kujdes për të kornizuar problemin dhe për të tërhequr publikun, duke paraqitur në të njëjtën kohë përgjigje për problemin së bashku me provat, pasqyrën dhe madje edhe kufizimet.

Kur bëhet fjalë për bashkimin e elementeve vizuale dhe tekstit, është e rëndësishme të keni parasysh pritjet e publikut tuaj.

Një mënyrë për të menduar për barazpeshën mes tekstit dhe elementeve vizuale është përdorimi i një shkalle të thjeshtë. Vendosni tërë përmbajtjen vizuale në njërën anë dhe elementet tekstuale në anën tjetër. Krahasojini. Kini parasysh peshën vizuale kur i analizoni. Edhe pse në faqe apo në ekran mund të ketë vetëm disa fjalë, madhësia, ngjyra dhe pozicioni i këtyre elementeve mund t'i japin tekstit prani të madhe. Pesha vizuale mund të luajë rol në atë se sa të mëdha (apo të vogla) janë imazhet dhe teksti në marrëdhënien e tyre.

Ja disa këshilla për të cilat duhet menduar kur bëhet fjalë për gjetjen e barazpeshës.

1.     Nëse nuk ju duhen fjalët, mos i përdorni. Në vend të tyre, përdorni fotografi ose video që përshkruajnë atë për të cilën do të shkruanit.

2.     Paraqitni vizualisht informatat vizuale. Mos i përshkruani gjërat që mund t'i tregoni.

3.     Mos përdorni fjalë të panevojshme dhe mos përsërisni fotografi.

4.     Bëjeni tekstin vizual ose shndërrojini elementet vizuale në tekst nëse dizajni ju duket i shtrembëruar.

5.     Nëse nuk e dini se sa tekst ju duhet, përpiquni të mbuloni të njëjtën sipërfaqe me elementet vizuale dhe me tekst për të krijuar një "barazpeshë të dukshme".

Mbani mend: elementet vizuale janë gjithashttu pjesë e komunikimit. Shfrytëzoni potencialin e tyre. Barazpesha, sipas Simon Scarrit, zëvendësudhëheqës i grafikës në Reuters dhe Marco Hernandezit, dizajner i vizualizimit të të dhënave, arrihet duke mos sforcuar as njërën as tjetrën. "Nëse storia nuk ka dobi nga grafika, nuk e bëjmë".

Ajo që ata gjithashtu konkludojnë është fakti se teknologjia zhvillohet çdo ditë dhe se duhet përcjellë nevojat e publikut, e ato përfundimisht shkojnë drejt shkrijes së të gjitha metodave dhe aftësive në gazetari. Publiku po ndërvepron gjithnjë e më shumë me lajmet në mënyrë më interaktive dhe gjithëpërfshirëse, dhe në këtë proces barazpeshimi dhe parashikimi i teknikave të komunikimit që i përshtaten publikut bëhet qenësor.

Ocijenite kvalitet članka