Rrëfimi medial në epokën digjitale

04.11.2020. / 11:26
Autor/ica
Share
Rrëfimi medial në epokën digjitale
Rrëfimi medial në epokën digjitale
Rrëfimi medial në epokën digjitale

Shumë gazetarë e kanë zgjedhur profesionin e tyre nga dashuria për të rrëfyer. Rrëfimi i tregimeve është mënyrë shumë e mirë për shkëmbimin e fakteve, ideve dhe bindjeve. Rrëfimi është vegël e shkëlqyer me të cilën arrihet deri te publiku dhe bindja e tyre në atë spektër të thellë emocional të cilin rrëfimi i treguar e ofron.

Gazetarët kanë hulumtuar mënyra të ndryshme se si rrëfimi i tregimeve mund të sjellë publik të ri duke tërhequr vëmendjen e publikut. McQuail (Media Performance, 1992) thotë se lajmet nuk janë të paanshme apo objektive. Ai po ashtu thotë se lajmet janë produkt i ndikimit shoqëror, sepse rezultati përfundimtar është proces selektiv. Para së gjithash, gazetarët me rastin e zgjedhjes së temave dhe këndeve të stories, e pastaj edhe redaktorët zgjedhin dhe vlerësojnë se cilat ngjarje janë mjaft të rëndësishme për mediat e tyre dhe për atë që duan të mbulojnë.

Por pikërisht me këtë ide të rrëfimit në gazetari kemi ardhur deri te gazetaria narrative dhe gazetaria e formave të gjata. Ky lloj i gazetarisë, ndryshe nga lajmet direkte, të cilat ofrojnë storien themelore, kush, çka, ku, kur dhe pse, ofron lajme narrative të cilat janë më të gjata dhe i mundësojnë gazetarit të përdorë më shumë elemente të shkrimit prozaik. Storiet të cilat konsiderohen narrative rëndom paraqiteshin në të kaluarën nëpër revista, dhe u mundësojnë gazetarëve t'i qasen temës në mënyra të ndryshme.

Rrëfimi digjital

Nga perspektiva historike, gazetaria gjithmonë ka qenë në kërkim të mënyra të ndryshme të kombinimit të formateve multimediale si mjete për krijimin e storieve bindëse. Për shembull, në fillim të shekullit XX, zhvillimi teknologjik u ka mundësuar gazetarëve të eksperimentojnë me formate audiovizuale.

Industria e gazetarisë po kalon nëpër ndryshime të vazhdueshme, e kjo është padyshim periudhë në të roli i dizajnit dhe i rrëfimit vizual është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Dizajnerët e lajmeve janë pjesë e rëndësishme e çdo redaksie moderne. Dikur storiet nga gazetat dhe revistat formësoheshin asisoji për të mundësuar rrjedhë të papenguar të tekstit. Storia rëndom përcillej me një varg fotografish që ishin përpara apo në fund të stories. Rallë ndodhte që fotografitë të ishin në mes të tekstit – besohej se ato e ndërpresin fillin e leximit.

Sot, pamja vizuale e stories është gjithnjë e më e rëndësishme. Dizajnerët të cilët punojnë në gazeta gjatë fazave më të hershme të procesit hulumtues, paraprakisht japin edhe një dimension tjetër, të ri,të stories. Ata kërkojnë shumë më shumë se fotografi, harta e videoklipe për të ofruar kënaqësi të plotë vizuale për publikun. Sot, shpesh vetë gazetari i ka këto shkathtësi dhe është edhe dizajner.

Mediat si The New York Times apo The Washington Post janë tejet të aftë për rrëfimin digjital. Një storie e tillë, megjithëse u prodhua katër vjet më parë, është shembull i shkëlqyer se si duket rrëfimi i cili përfshin mbështetjen e dizajnerit me fotografi e video. Gazetarja e New York Times-it, Anne Barnard, përmes stories së saj për Halepin, i sjell lexuesin në zemër të ngjarjeve dhe nuk i lë indiferentë. E ky është qëllimi i rrëfimit medial. T'i japësh shpirt tekstit dhe të zgjosh emocione te lexuesi.

Edhe një segment mjaft i rëndësishëm i storieve digjitale rrëfyese është përshtatja e formatit për pajisje të ndryshme digjitale. Një pjesë e madhe e publikut i lexon lajmet në telefonët e tyre celularë dhe çdo medium, pavarësisht se a transmeton lajme klasike apo storie të ndryshme rrëfyese të pasuruara me forma multimediale, këtë duhet ta ketë parasysh.

Shembull i mirë i një storieje të tillë është storia e Guardian-it për rritjen e lajmeve deep fake. Në këtë pasqyrim paralel, lexuesi ka mundësi të vazhdojë leximin e tekstit apo ta pasurojë atë me video dhe audio incizime të veglave të ndryshme interaktive.

Medium.com në fund të vitit 2019 duke analizuar se cilat janë hapat e radhës për rrëfyesit vizualë profesionalë, ka përmendur faktin se në dhjetë vitet e fundit është bërë e qartë se rrëfimi vizual është pjesë përbërëse e rrjedhës se çdo mediumi, por se shumica prej tyre ende nuk i kanë kuptuar tërësisht praktikat e mira.

Rëndësia e storieve rrëfyese me përmbajtje multimediale nënkupton qëndrueshmërinë e mediave në tregun bashkëkohor, përmirësim të lexueshmërisë / shikueshmërisë dhe rritje të profitit. Vitin 2020 po e lëmë pas dhe ai na solli një varg mënyrash të paparashikueshme, të reja të komunikimit, të cilat as që do të mund t'i imagjinonim kur parashikonim trendet në gazetari gjatë vitit të kaluar. Mbetet të shohim se cilat mënyra të rrëfimit na presin në vitin 2021.

Për fund, po ju shpalosim disa teknika të gazetarisë rrëfyese të cilat mund t'ju sjellin dobi.

1.    Krijo hapësirë dëgjimi

Për të rrëfyer storien, duhet të ofrosh hapësirë për të mbuluar të gjitha ato që një storie rrëfyese duhet t'i posedojë. Nuk po flasim këtu vetëm për një intervistë. Këtu nevojitet hulumtimi nga shumë kënde dhe shpalosja përmes shkrimit narrativ.

2.    Rrëfimi me mendje dhe zemër

Storiet rrëfyese tregohen me gjuhë poetike. Shpalosni të gjitha ato që keni marrë vesh për t'i dhënë shpirt stories, sepse vetëm kështu mund t'i përçoni emocione publikut.

3.    Mbështetuni në narrativë

Storiet e shkëlqyera digjitale rrënjën e kanë në narrativën e tyre. Bukuria e stories digjitale është se të gjitha ato storie verbale mund t'i shpalosni përmes artit të shkrimit narrativ.

4.    Forconi storien rrëfyese me fotografi dhe video

Fotografitë e mrekullueshme dhe videoklipet i lidhin elementet e stories, humanizojnë përmbledhjen dhe e bëjnë për vete publikun për të parë njerëz dhe vende të padukshme. Fotografitë janë porta të shpirtit të stories.

5.    Googloni tituj tërheqës dhe frymëzohu për titullin tuaj

Shpjegojuni lexuesve se për çka do të flisni në storien tuaj përmes titullit. Titulli duhet të jetë tërheqës dhe të sugjerojë vlera. T'u përgjigjet pyetjeve se përse duhet ta lexojnë storien tuaj dhe çka duhet të presë publiku.

6.    Merrni parasysh dizajne shumështresore

Dizajni është rrëfim në vete. Duhet ta keni parasysh se mënyra tradicionale e leximit nuk përdoret më. Njerëzit zakonisht e shfletojnë përmbajtjen tuaj duke kërcyer nga titulli në titull. Patjetër siguroni dizajn sharmant për përmbajtjet tuaja kryesore për të tërhequr publikun.

 

Ocijenite kvalitet članka