Shkathtësitë digjitale të gazetarëve/eve: 8 shkathtësi të nevojshme për punë në media

16.07.2021. / 10:55
Autor/ica
Share
Digital Skills
Digital Skills

Një numër i madh platformash, aplikacionesh e softuerësh që sot përdoren në gazetari nënkuptojnë më shumë mundësi për plasimin e lajmeve dhe angazhimin e pubilkut.
Nga ana tjetër, kjo po ashtu nënkupton një nevojë të paparë për njohuri dhe shkathtësi të reja për gazetarë/e.
Cilat shkathtësi mund t'i konsiderojmë si shkathtësitë themelore digjitale të gazetarëve/eve?

1. Intervistimi

Përse intervistimi u gjend në listën e shkathtësive (madje digjitale), nëse gazetarët/et kanë zhvilluar intervista që kur ka ekzistuar bota?  Sot ka gjithnjë e më shumë prej atyre që janë mësuar t'i bëjnë të gjitha me mesazhe, me Facebook, Twitter apo çkado tjetër. Numri i njerëzve të cilët mund të flasin drejtpërdrejt me dikë – kjo po bëhet sfidë e madhe për gazetarinë.
Ian Carter, drejtor i redaksisë në Kent Media Group, thotë se hendeku është gjithnjë e më i madh: "Numri i paraqitjeve vjen duke u zvogëluar, e njerëzit që paraqiten zakonisht kanë shumë shkathtësi teknike, por jo edhe shkathtësi komunikimi për të biseduar me njerëz dhe për të kërkuar storie. Kjo ka ndryshuar".
"Dy gjërat më të rëndësishme që i kërkoj nga reporteri janë shkathtësia për të zhvilluar bisedë sy me sy me njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Edhe kjo është diçka që vërtet ka ndryshuar gjatë disa viteve të fundit, sepse na vijnë njerëz me shumë shkathtësi teknike. Por, duke qenë se ata jetojnë në rrjetet sociale, absolutisht tmerrohen kur duhet ta hapin telefonin dhe të flasin me dikë sy më sy", thotë Carter.

2. Storytelling

Rrëfimi i tregimeve me mundësitë të cilat na i ofrojnë veglat digjitale dhe formatet krejt të reja të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e storieve mediale është ajo që publiku e çmon dhe e shpërblen shumë.
Veglat të cilat storien mund ta bëjnë interaktive, vizuale dhe zanore ofrojnë përjetim krejt të ri të gazetarisë dhe përmbajtjes mediale. U takon gazetarëve që me njohuritë, me intuitën e tyre të gjejnë storie të mira, të mësojnë të përdorin vegla që ofrojnë mundësi me kushtin që të dijnë paraprakisht se cilat janë ato mundësi dhe në ç'mënyrë janë të mira për ta.

3. Vërtetimi dhe konfirmimi i fakteve

Mes lajmeve të fundit, ndërsa informatat dhe thashethemet përhapen në internet dhe rrjete sociale, vërtetimi i fakteve është shkathtësi jashtëzakonisht e rëndësishme. Kjo është ajo që gazetarët duhet ta përmirësojnë vazhdimisht.
Roli i gazetarëve në zbulimin e fakteve është shumë i rëndësishëm në platformat digjitale, pavarësisht nëse flasim për caktimin e datës ose vendit të një fotografie a videoje apo thjesht për plotësimin e raporteve të shkruara për ngjarjen. Kemi shembuj pothuajse çdo ditë në media, dhe tashmë e kemi përmendur njërin prej tyre në Balkansmedia.org kur lajmet e rreme për vdekjen e Ratko Mlladiqit u publikuan në shumë portale rajonale.
Sot, ka përpjekje të vazhdueshme për të lidhur publikun me median dhe rrethanat e lajmeve duke marrë përmbajtjen e dëshmitarëve okularë dhe duke e përdorur atë në lajme. Në internet ka një numër të madh veglash për vërtetimin e autenticitetit të fotografisë, datës kur u shkrep fotografia.  Në rrethana kur shpejtësia e mbulimit të lajmeve është e rëndësishme, aftësia e gazetarëve për të vërtetuar shpejt dhe me efikasitet faktet është thelbësore dhe do të vazhdojë të jetë po aq e rëndësishme në të ardhmen.

4. Optimizimi për makinat e kërkimit (SEO)

Të dini të krijoni lajme që do të jenë interesante për publikun, por edhe të rrisin shikueshmërinë e medias në makinat e kërkimit është shkathtësi e mirë që asnjë redaktor nuk do ta refuzonte në redaksinë e vet.
Specifikat e SEO-së ose optimizimit për makina kërkimi janë rregullat e rangimit që ndryshojnë pothuajse çdo ditë. Çdo vit ndodhin 500 deri në 600 ndryshime të algoritmit të Googleit. Për pozicionim të përmbajtjes në makinë, Google merr parasysh rreth 200 parametra. Ju mund të jeni gazetar i aftë i SEO-së vetëm nëse vazhdimisht mësoni dhe aplikoni ato që keni mësuar.

5. Rrjetet sociale dhe live-streaming

Publiku shpesh i sheh lajmet e fundit në rrjete sociale dhe në portale të lajmeve. Të kesh profil të zhvilluar dhe komunikim të mirë me publkun dhe kolegët është avantazh i mirë konkurrues kur kërkon punë si gazetar.
Një nga veçoritë që është e mirë për publikun sepse përfshihet në ngjarje, por edhe për gazetarin sepse kontribon në vërtetësinë por edhe në media përmes ndërtimit të besimit dhe popullaritetit është live-streaming.
Të dish si të reagosh mirë dhe shpejt, të kuadrosh dhe t'i përshtatesh rrjetit dhe formatit (horizontal dhe vertikal) dhe krejt kjo në kohë të shkurtë, ndërsa zgjat transmetimi i drejtpërdrejtë, është shkathtësi mediale e së ardhmes.

6. Blogimi në platformën vetanake

Të shkruash në blogun tënd nuk është vetëm përmirësimi i shkathtësive tuaja të të shkruarit, por edhe mënyrë për të eksperimentuar me analiza në internet, për të ndërtuar publiku rreth një teme të veçantë dhe për të promovuar përmbajtjen për të mbuluar publik sa më të gjerë.  
Krijimi i portofolit është plan i mirë për këdo që dëshiron të përfshihet në media. Shkathtësi shtesë që menaxhimi i një mediumi të vogël, siç është blogu, sjell me vete janë shumë më shumë shkathtësi redaktoriale, njohuri marketing dhe ato mediale.

7. Siguria e informatave

Tema e nxehtë aktualisht është siguria e informatave. Kështu edhe do të mbetet ngase phishingu dhe shumë sulme të tjera sa vijnë e rriten.
Pavarësisht nëse ndodhin në internet apo veglave që përdorin, gazetarëve gjithmonë u është dashur të mendojnë mirë se si e ndajnë informatën, sidomos kur bëhet fjalë për burime anonime. Për shkak të mënyrave inovative dhe gjithnjë e më dinake të vjedhjes së informatave, llogarive në internet dhe vjedhjes së të dhënave, prioritet është që gazetari të mbrojë veten, e me këtë edhe mediumin ku punon.

8. Shkathtësitë themelore të gazetarisë

Ajo që është e rëndësishme të dihet është se nuk ka platformë digjitale, aplikacion, medium apo shkathtësi digjitale që mund të zëvendësojë shkathtësitë themelore të gazetarisë.
Sipas studimit që e realizoi Instituti Reuters, kushtet të cilat duhet t'i përmbushin gazetarët e rinj mund të klasifikohen në tri kategori:

  • cilësitë personale,
  • cilësitë tradicionale,
  • shkathtësitë e reja teknike.

Cilësitë tradicionale të gazetarëve janë po aq të rëndësishme për shumë redaktorë sa ato personale. Kërkesat themelore që duhet t'i plotësojë çdo gazetar ende përfshijnë shkathtësitë hulumtuese, si dhe përdorimin e gjuhës me shkathtësi e vetëbesim.
Andreas Wolfers, shef i Henri-Nannen-Schule në Hamburg, thotë: "Teksti është forma gazetareske ku më së miri mund të testohen shkathtësitë e llojllojshme. Shkathtësia më e rëndësishme është zvogëlimi i kompleksitetit. A mund të hyjë dikush në thelbin e temës me gjysmë faqe? Për ta bërë këtë, duhet të jemi të aftë ta përdorim gjuhën".

Shkathtësitë që i kemi renditur si tetë shkathtësitë themelore digjitale janë vetëm një pikë në oqeanin e atyre që mund të përvetësoni dhe që mund t'ju duhen në ndonjë çast. Nuk mund të jemi të mirë në gjithçka, as nuk është realiste të kemi qindra shkathtësi të zhvilluara, por një kombinim i shkathtësive themelore gazetarore me dy ose tre shkathtësi digjitale është i mjaftueshëm për një gazetar të suksesshëm.

Ocijenite kvalitet članka