Si duket qasshmëria digjitale në praktikë

09.02.2024. / 10:31

 Qasshmëria digjitale e webit është shumë larg asaj që vërtet u duhet njerëzve.

Anketa vjetore e një milion webfaqeve më të popullarizuara të cilën e realizoi WebAI dha rezultate dëshpëruese.

  • Faqja mesatare në vitin 2023 ka 50 gabime në qasshmëri.
  • Ballinat janë bërë më komplekse, me 10% më shumë elemente se më parë, por qasshmëria është rritur vetëm për 1,6% ndër vite.
  • Pothuajse 100% e faqeve vazhdojnë të kenë së paku një gabim të qasshmërisë.

Ndërsa shkalla e gabimeve të pavërejtura ishte shumë e ulët, 20,7% e faqeve kishin rreth 5 gabime të zbuluara dhe 30,8% prej tyre kishin rreth 10 gabime. Shumica e gabimeve u përkasin vetëm disa kategorive.

Gabimet më të shpeshta të njëjta në 5 vitet e fundit

96,1% e të gjitha gabimeve të zbuluara hyjnë në këto kater kategori. Këto gabime më të shpeshta janë të njëjta në 5 vitet e fundit. Zgjidhja e vetëm këtyre pak llojeve të problemeve do të përmirësonte ndjeshëm qasshmërinë digjitale në web.

Teksti me kontrast të ulët

Teksti me kontrast të ulët (thënë teknikisht, nën pragjet WCAG 2 AA) u gjet në 83,6% të ballinave. Ky është problemi më i shpeshtë i qasshmërisë. Mesatarisht, çdo ballinë kishte 30,4 raste të ndryshme të tekstit me kontrast të ulët.

Fotografitë dhe ALT teksti

Mostra përmbante më shumë se 43 milionë fotografi apo mesatarisht 43,4 fotografi për ballinë të webfaqes. Numri i fotografive u rrit për 9,1% gjatë vitit të kaluar, teksa ballinat po bëhen më grafike dhe më pak tekstuale. 22,1% e të gjitha fotografive në ballinë (mesatarisht 9,6 për faqe) nuk kanë përshkrim ose tekst alternativ. Më shumë se gjysma e fotografive pa ALT tekst kishin link në to, por as linkët nuk ishin përshkrues.

10,9% e fotografive me tekst alternativ kishin tekst alternativ të dobët ose përsëritës, ku emri i fajlit ishte "foto", "grafika", "bosh".

Këto të dhëna tregojnë se më shumë se një e treta e fotografive në ballina nuk kanë fare përshkrim, ose përshkrimi është i dobët dhe përsëritet me fotografitë ngjitur.

Titujt

Janë zbuluar mbi 24,7 milionë tituj (mesatarisht më shumë se 24 për ballinë).

Numri i titujve në ballinat e analizuara u rrit me 6,8% nga 23,2 milionë në vitin 2022. Prania e të gjitha niveleve të titujve gjithashtu u rrit (H1 H2... titujt).

Titujt janë mekanizmi primar i cili u ndihmon përdoruesve të lexuesit të ekranit të lëvizin nëpër përmbajtje.

Prandaj zbatimi i tyre i duhur ka rëndësi (edhe për optimizmin SEO). 20,1% e ballinave kishin më shumë se një titull h1 që paraqit rritje krahas 19,6% në vitin 2022. Nëse do ta shpjegonim këtë me terma laikë, është sikur një produkt të ketë dy emra, pra një produkt të quhet çokollatë dhe patatina.

Kishte 1.146.080 raste të niveleve të anashkaluara të titullit (p.sh. kërcimi nga <h2> në <h4. Ky është edhe gabim SEO sepse duhet të keni h3 që të mund të përdorni h4 në tekst.

Ky tekst ka disa nivele të tagëve H:

  • H1 Si duket në praktikë qasshmëria digjitale (titulli i plotë i tekstit)
  • H2 Gabimet më të shpeshta të njëjta në 5 vitet e fundit
  • H3 Teksti me kontrast të ulët
  • H3 Fotografitë dhe teksti ALT
  • H3 Titujt
  • H3 Linkët
  • H2 Si ta zbatojmë në praktikë qasshmërinë digjitale

Edhe nëse nuk mendoni për qasshmërinë digjitale  dhe optimizimin SEO, ky nivel titulli e bën të lehtë të kuptohet se për çka flet teksti.

Nivelet e anashkaluara të titullit janë të pranishme në 42,2% të të gjitha faqeve dhe 7,9% e faqeve nuk kishin fare tituj.

Linkët

17,3% e faqeve kishin tekst të paqartë të linkëve si "kliko këtu", "më shumë", "vazhdo", etj. Ky përshkrim nuk i tregon përdoruesit se ku po shkon. Teksti më i mirë i ankoruar (anchor text) ka ndikim të madh në SEO dhe sa më i mirë të jetë përshkrimi i linkut, aq më e qasshme dhe e optimizuar është faqja, dhe bëhet vetëm një punë.

Si ta zbatojmë në praktikë qasshmërinë digjitale

Gareth Ford Williams dhe Charlie Turrell kanë themuar ekipin e parë të qasshmërisë digjitale në BBC dhe kanë krijuar Champions of Accessibility Network për t'i nxitur njerëzit të mendojnë dhe të flasin për pengesat në qasjen në informata dhe lajme.

Këshilla e tyre për të filluar me qasshmërinë digjitale, sidomos për mediat me burime të kufizuara dhe ekspertizë teknike, është të bëjnë diçka ndryshe.

"Bëni diçka ndryshe. Edhe nëse kjo do të thotë që sa herë që postoni diçka vizuale, të pyesni veten 'A ka titra?' Punoni në këtë drejtim. Pastaj, kur ju bëhet shprehi dhe natyrë e dytë, bëni diçka tjetër".

Në këtë intervistë thuhet se teksti alternativ është diçka për të cilën gazetarët mund të punojnë që tash.

Ford Williams deklaron se ALT teksti gjithmonë duhet të pasqyrojë qëllimin e përdorimit të imazhit.

“Kur bisedoja me gazetarët, u thosha: 'Cili ishte qëllimi i përdorimit të asaj fotografie?’ Ata fillonin të shpjegojnë: ‘E po, ne menduam se ishte shumë interesante sepse tregon marrëdhënien mes kësaj dhe asaj që po ndodh, e ajo po shikon andej sepse ajo e ka pasur ndjesinë dhe kjo shfaq këtë energji…’ Ata më tregonin historinë e fotografisë, dhe unë zakonisht i ndalja dhe thjesht u thosha: ‘Shkruajeni këtë sepse e keni ALT tekstin’".

ALT teksti përmendet si elementi i parë me të cilin mund të punohet sepse është i thjeshtë. Arsyeja tjetër është sasia e madhe e fotografive që mediat i publikojnë. Nëse e optimizojmë një sasi të madhe të përmbajtjes, ndikimi në tërë webfaqen do të jetë shumë pozitiv.

Williamsi dhe Turrelli kanë rekomanduar vegla që ata i përdorin në punën e tyre, të cilat janë në dispozicion për të gjithë.

"Unë përdor veglën për kontrollimin e tekstit alternativ, të cilën mund ta shkarkoni në Chrome. Përdor një vegël për kontrollimin e kontrastit të ngjyrave dhe një vegël për kontrollimin e titujve. Unë nuk jam aspak e aftë në çështjet teknike. Nuk keni nevojë të jeni programer për t'i përdorur këto", tha Charlie Turell.

Zbatimi i këtyre 4 parimeve në punën e përditshme (titujt, alt tagët në imazhe, linkët dhe kontrasti i ngjyrës së sfondit dhe shkronjave) mund të përmirësojë shumë webfaqen dhe qasjen në të.

Argumenti për të filluar menjëherë me zbatimin e këtyre praktikave është se ato nuk kërkojnë ndonjë angazhim shtesë pasi janë pjesë e rutinës së shkrimit, siç është rasti në këtë tekst.

Vlerësoni cilësinë e artikullit