

A e keni ditur se nëse shtoni video në faqen tuaj ju mund të rrisni drastikisht përpjekjet tuaja SEO dhe të nxisni më shumë njerëz të vizitojnë faqen tuaj?
Kolegia Irena Omazić ka shkruar më parë se si e përdorim videon për të promovuar përmbajtjen mediale, duke thënë: "Qëllimi kryesor i video përmbajtjes është të tërheqë sa më shumë njerëz në mediumin tonë. Nëse me këtë tërheqim publik të ri, aq më mirë. Pasojë e numrit më të madh të njerëzve në faqen tuaj janë rezultatet më të mira dhe hapësira reklamuese më atraktive".
Videoja shpejt po shndërrohet në një nga format më të rëndësishme të përmbajtjes së marketingut (content marketing) dhe prania e saj mund të shtojë apo të ndërpresë përpjekjet tuaja për optimizim.
Cila është pesha e videos në kërkim?
E si mund të përmirësojë videoja rangimin organik të faqes suaj?
SEO-ja dhe videoja
Baza e SEO-së është përshtatja e strategjisë suaj brenda përmbajtjes me atë së cilës algoritmi i makinës së kërkimit i jep prioritet.
Google shfaq miniaturën e videos pranë rezultateve të kërkimit, e sipas BrightEdgeit gjasat janë për 26% më të mëdha që përdoruesit të klikojnë në këtë listë. Prania e miniaturës e bën rezultatin "segment të dalluar", e segmentet e dalluara zakonisht kanë nivele më të larta klikimi kundrejt segmenteve standarde.
Google gjithashtu u jep përparësi rezultateve të kërkimit me video ndaj rezultateve pa video. Edhe pse Google nuk e ka konfirmuar deklarativisht këtë ide, shumë ekspertë pajtohen se rezultatet SEO e konfirmojnë se kjo është e vërtetë.
Videoja gjithashtu u ndihmon vlerave të tjera metrike për të cilat e dijme se Google i merr parasysh në rangim. Dy metrikat më të rëndësishme për SEO-në janë koha që përdoruesit kalojnë në faqen tuaj dhe numri i linkëve që lidhen me domenin tuaj, derisa videoja pothuajse gjithmonë i përmirëson këto dy shifra. Studimet tregojnë se njerëzit shpenzojnë dy herë më shumë kohë në një faqe me video sesa pa të, e sa më e madhe të jetë cilësia e përmbajtjes suaj aq më të mëdha janë gjasat që do të keni linkë kthyes.
Krejt kjo në përkthim do të thotë se videoja si format medial shfrytëzon SEO-në përmes përdorimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, sepse videoja vetvetiu ndikon në rangim, e ndikon edhe në faktorë të tjerë që hyjnë në sistemin e përzgjedhjes të Googleit.
Algoritmet e Googleit u japin gjithnjë e më shumë prioritet faqeve me video, e këtë ju nuk duhet ta shpërfillni. Nëse dëshironi të bëni gjithçka që mundeni që mediumi juaj të paraqitet ndër rezultatet e para, përfshini video, sepse 93% e përvojës online nis me makina kërkimi.
Si të përdorni videon për të përmirësuar SEO-në?
Para së gjithash, videoja juaj duhet të jetë me cilësi të lartë, e orientuar drejt qëllimit tuaj specifik. Mos bëni video vetëm që ajo të paraqitet aty, sepse videoja vetvetiu nuk përbën shpëtim për faqen tuaj.
Videot me cilësi të ulët me shumë pak apo pa kontekst do t'ju ulin rangimin sepse makina e kërkimit nuk dëshiron t'i çojë njerëzit në një faqe të padobishme. Në fillim më shumë njerëz mund të shohin faqen tuaj në faqet me rezultatet e kërkimit (SERP), por nëse faqja juaj nuk kënaq qëllimin e tyre, shumë shpejt do të ikin prej saj. Kjo do të rrisë shkallën e ikjes nga ballina e faqes suaj dhe do t'i dërgojë mesazh algoritmit se faqja juaj nuk ia vlen për t'u kthyer tek ajo.
Në vazhdim lexoni disa këshilla që mund t'ju ndihmojnë të optimizoni videon.
1. Përdorni video në faqen tuaj.
Nëse tashmë prodhoni video, publikojini në faqen tuaj. Zgjedhni me kujdes kategorinë dhe vendin ku duhet të jetë ajo video.
Ndërsa shpërndani përmbajtjen tuaj për qëllime të SEO-së, po atë përmbajtje mund ta riorientoni tjetërkund për të mbushur pjesën tjetër të strategjisë suaj të marketingut. Atë mund ta publikoni në rrjetet sociale, në YouTube, LinkedIn, e në vende të tjera.
2. Jepini kontekst videos suaj.
Videoja vetvetiu nuk do të bëjë shumë. Futeni në tekstin i cili plotëson temën të cilën e shtjelloni. Mund të shtoni edhe transkriptin e videos suaj për të synuar më shumë fjalë kyç, dhe për ta kthyer tërë grafikën vizuale në një JPEG që mund të shkarkohet. Sa më shumë që Google të kuptojë se si videoja juaj përshtatet në përmbajtje në faqe, aq më të mira do të jenë rezultatet tuaja.
3. Sigurohuni që videoja juaj edukon.
Videon mund ta prodhoni duke vendosur aty të gjitha përgjigjet e rëndësishme për temën të cilën e shtjelloni. Nëse vazhdimisht u përgjigjeni pyetjeve të parashtruara, ju bëheni autoritet dhe mund të arrini besueshmëri për shkak të vlerave që ju ofroni. Makinat e kërkimit e shohin këtë dhe fillojnë të promovojnë faqet tuaja edhe më shumë.
4. Jini konsistentë.
Këmbëngulja dhe konsistenca janë qenësore për korrjen e rezultateve. Përpiquni të jini konsistentë në ofrimin e vlerave dhe punoni për rangim jo vetëm me një fjalë kyç, por edhe me fjalë të tjera relevante të cilat i përgjigjen synimit të kërkimit nga publiku juaj. E mira është që kjo do t'ju motivojë të krijoni më shumë përmbajtje kur e shihni se sa mirë funksionin ajo që keni prodhuar në periudhën paraprake.
5. Mos harroni detajet teknike.
Mos harroni të jepni informata të sakta në sfond që makinat kërkuese për indeksim të dijnë të kategorizojnë dhe t'i japin prioritet videos suaj.
YouTube përdor informata të ndryshme për përpunimin e rangimit tuaj:
- Informatat për tagun e titullit
- Kohëzgjatja e qëndrimit të publikut
- Fjalët kyç në tagun e përshkrimit
- Tagët
- Kohëzgjatja e videos
- Numri i abonentëve pas shikimit
- Komentet
- Pëlqimet dhe mospëlqimet
Të gjitha këto nuk janë nën kontrollin tuaj, por punoni me ato që mund t'i kontrolloni për t'u siguruar se keni bërë gjithçka që keni mundur për t'i ndihmuar videos suaj të rangohet më mirë.
Google përdor një varg shumë më tradicional algoritmesh për rangimin e videove. Ende janë të rëndësishme metadatat që përdorni, por edhe linkët drejt videos.
Por për t'u ranguar mirë në çdo pozitë, mbani mend se përmbatja e videos duhet të jetë bindëse dhe t'u përgjigjet pyetjeve kryesore. Krijoni video të cilat bëjnë që njerëzit të duan më shumë video. Mos ngurroni të përfshini video nga kanale të tjera në listën tuaj për riprodhim. Mendoni për fushatat me pagesë për të rritur kohën e shikimit të videove tuaja. Promovoni videon në më shumë kanale për të rritur kohën e shikimit dhe për të tërhequr linkë drejt videove.