Si mund t'u sjellin aplikacionet mobile dobi mediave

09.12.2020. / 11:47

Sektori i mediave sigurisht është një nga industritë me rritjen më të shpejtë në botë. Ky vit ka treguar edhe më shumë për rëndësinë e ekzistencës së mediave, si dhe për raportimin e vërtetë dhe në kohë të duhur.

Po kështu, me zhvillimin e teknologjisë, në domenin e aplikacioneve mobile mund të vërehet një rritje e përnjëhershme e popullaritetit dhe numri gjithnjë e më i madh i përdoruesve. Nuk është për t'u habitur se sektori i mediave është më se i përgatitur për t'i përvetësuar këto vegla mobile. Në thirrjen tonë të fundit për idetë inovative – USAID BMAP Media Innovation Lab – një numër i madh idesh të paraqitura ishin pikërisht aplikacionet mobile për media.

Në korrik të vitit 2020 Datareportal shënoi 5.15 miliardë përdorues unikë të pajisjeve mobile, që përbën 66% tê popullsisë globale. Sipas studimit,  të realizuar nga Yahoo, 90% e përdorimit të pajisjeve mobile vjen nga aplikacionet. Pritet që numri i përdoruesve të pajisjeve mobile të jetë 20 miliardë në vitin 2021.

"Kërkimet ndërdisiplinore, veçanërisht në studimet e gazetarisë, kanë filluar t'i shikojnë aplikimet në profesionin e gazetarisë nga perspektiva e prodhuesve dhe përdoruesve. Që nga fillet e tij, kërkimi shkencor i aplikacioneve dhe profesioni i gazetarisë pasqyrojnë trendet më të mëdha të hulumtuara në studimet e gazetarisë digjitale, duke zgjeruar njëkohësisht të kuptuarit e lajmeve mobile" – thuhet në publikimin Mobile Applications and Journalistic Work.

Nga fillimi i vitit 2000, mediat në mbarë botën filluan të eksperimentonin me aplikacione në zanatin e gazetarisë. Përmes eksperimentimit me aplikacione, mediat ofrojnë dhe ende zhvillojnë mënyra të ndryshme të shpalosjes së lajmeve. Që nga viti 2009 shënohet lulëzimi i aplikacionet mobile në zanatin e gazetarisë. Aplikacionet mobile u kanë mundësuar mediave dhe gazetarëve të kenë ide të reja lidhur me zanatin e gazetarisë.

Mediat tradicionale po e humbin popullaritetin, dhe dalëngadalë po zëvendësohen me platforma mobile dhe aplikacione që ofrojnë qasje të menjëhershme në krejt atë që përmbajnë mediat.

Shumë media të njohura botërore po përpiqen të përfshijnë aplikacione në punën e tyre të përditshme, dhe kështu të rrisin disponueshmërinë e përdorimit të mediave si burime të informimit. Kështu, për shembull, aplikacioni i CNN-it aktualisht është në dispozicion në të gjitha pajisjet mobile. CNN ka parë rëndësinë e aplikacioneve mobile, ndërsa dizajnin e vet e përshtatin vazhdimisht me trendet në botë, dhe kështu në vitin 2017 aplikacionin e tyre e kanë përshtatur që të ofrojë më shumë video përmbajtje.  Dizajni i tij user friendly është i përgatitur t'u mundësojë përdoruesve të jenë në hap me lajmet aktuale, vendore e ndërkombëtare. Kjo formë e avancimit të mediave ka hapur edhe një dritare për thithjen e të hyrave, të cilat me ndihmën e aplikacioneve realizohen në formë të reklamave.

Ndërsa mediat vazhdojnë të largohen nga burimet tradicionale të të hyrave të bazuara në letër, interneti po shndërrohet në strehë për shpërndarjen e përmbajtjes mediale. Me mënyrat e reja dhe inovative për tërheqjen e të hyrave, aplikacionet duken si hapësira të cilat do t'u mundësojnë mediave lexueshmëri më të madhe dhe mënyra për rritjen e të hyrave përmes reklamave. Sidomos nëse e marrim për bazë vitin 2020, i cili krejt shoqërinë e ktheu në një drejtim të ri me pandeminë. Ekspertët në fushën e marketingut digjital rekomandojnë përfshirjen e zhvillimit të aplikacioneve në fushatat e marketingut digjital, sepse ata besojnë se kjo është një nga mënyrat më të mira për të inkurajuar rritjen e biznesit tuaj me investim.

Pajisjet mobile janë bërë mjet i rëndësishëm i socializimit dhe informimit dhe në këtë drejtim aplikacionet po hapen si fushë për të cilën mediat mund të mendojnë edhe më shumë dhe të krijojnë ide inovative që mund të jenë të dobishme dhe informuese për publikun.

Për të krijuar aplikacionet më të mira, mediat duhet të bashkëpunojnë me programerët dhe bashkërisht të jenë në hap me peizazhin të larmishëm e ndryshues të teknologjive të telefonave celularë.

 

Ocijenite kvalitet članka