Si ndërtojnë besimin në media artikujt "help me" dhe SEO-ja

21.07.2023. / 10:31
Autor/ica
inform me
inform me

Rritja e optimizimit të përmbajtjes SEO nuk ndodhi në vakum. Ajo ndoqi trendet e sjelljes së njerëzve online.

Prandaj është në interes të redaksive të investojnë në SEO, për të mirën e tyre dhe për të mirën e publikut të cilit i shërbejnë.

E mira për ta është një kanal i ri për rritjen e trafikut në uebfaqe, për publikun – sepse ata kanë një burim të besueshëm informatash që u nevojiten. 

Trafiku në internet dhe besimi i publikut

Modeli bazë i biznesit të një portali të lajmeve është të shkruarit për tema aktuale.

Problemi me këtë model është se në 99% të rasteve, artikujt kanë jetëgjatësi të vogël. Në fillim kemi një kërcim të trafikut në artikull, dhe pastaj trafiku bie ndërsa artikulli plaket. Vijnë temat e tjera aktuale, ndërsa të vjetrat shërbejnë si arkivë. Mediumit nuk i ndihmojnë shumë në aspektin e biznesit dhe të marketingut.

Për të ruajtur të njëjtin nivel të trafikut pavarësisht sezonit, zgjidhja e vetme është të vazhdohet me publikimin e numrit të njëjtë ose më të madh të lajmeve. Ky model është i nevojshëm, sidomos nëse po ndërtoni medium të komunitetit ku ekziston nevoja për lajmet që nuk mund t'i gjeni në portale të tjera. 

Nëse mediumi do ta ruante modelin bazë të publikimit të lajmeve dhe këtij modeli do t'i shtonte artikuj "help me" dhe të gjitha elementet e gazetarisë shërbyese, ky do të ishte një burim i ri i vazhdueshëm i trafikut në uebfaqe. 

Me këtë veprim, mediumi do të bëhej një burim gjithëpërfshirës informatash për publikun e tij. Jo ekskluzivisht burim lajmesh të ngjarjeve ditore. 

Nuk janë storiet më seksi në publik, por kanë ndikim të hatashëm

Mandy Jenkins, menaxhere e përgjithshme në McClatchy dhe publikuese e mediave të tij lokale Mahoning Matters dhe The Longmont Leader, tha: "ne në mediat lokale jemi shpesh kanal mes institucioneve dhe njerëzve. Ky është pozicion të cilin duhet ta shfrytëzojmë për të prodhuar gazetari shërbyese që i ndihmon publikut tonë të lundrojë në sisteme jotransparente që po ndryshojnë shpejt.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për regjistrimin e papunësisë, regjistrimin për të votuar ose testimin për Covid, publiku ynë has në shumë çështje për të cilat faqet zyrtare të qeverisë shpesh nuk janë të pajisura mirë për të shpjeguar: Çka është kjo? Ç'do të thotë kjo për mua? Ç'duhet të bëj unë?"

Sipas saj, mediat mund t'i japin publikut informatat që u nevojitet për të gjetur veten në jetën e përditshme.

Në një parashikim tradicional për NiemanLab.org, Jenkins përmendi shembuj të përdorimit të gazetarisë shërbyese dhe ndërtimit të besimit me ndihmën e këtij formati. “Kur pandemia e koronavirusit goditi për herë të parë Ohaion veriore në fillim të pranverës, ekipi ynë në Mahoning Matters po ndërtonte burime për tema si porositja nga restorantet lokale dhe edukimi i fëmijëve në shtëpi, si dhe përditësimi i FAQ-ëve të vlefshme. Morëm të njëjtën qasje në përpilimin e udhëzuesve tanë për votues për zgjedhjet e nëntorit - duke përfshirë përmbajtjen për pyetjet dhe kandidatët në fletëvotim, si dhe bazat se si të regjistrohemi për të votuar".

Një listë e thjeshtë e restoranteve që ofrojnë dërgesa dikujt mund t'i duket si përmbajtje që nuk ka shumë vlerë. Por nëse marrim parasysh rrethanat se lockdowni zgjati shumë, se industria e shërbimeve ishte në një pozitë shumë të vështirë dhe se njerëzit kishin nevojë për informata, artikulli i ndihmës në formën e një liste restorantesh (orari i tyre i punës dhe kontaktet për porosi) që është gjithmonë në dispozicion dhe e përditësuar, është një ndihmë e jashtëzakonshme.

Jenkins i tha NiemanLab.org se kjo qasje është si llotari kur keni vetëm dy punëtorë të rregullt në redaksi, por gjithsesi ia vlejti. Artikujt "help me" në fjalë janë storiet më të vizituara të vitit në Mahoning Matters, duke u shërbyer lexuesve dhe duke tërhequr audienca të reja përmes shpërndarjes nëpër rrjete sociale dhe kërkimit.

“Këto nuk janë storiet më seksi aty, por ky lloj i punës është vendi ku sivjet (2020) është ndjerë pjesa e madhe e ndikimit të gazetarisë lokale, dhe duhet të presim që ky trend të vazhdojë”, tha Jenkins.

Dëgjimi i publikut dhe i informatave kthyese

Arsyeja për theksimin e shtuar të gazetarisë shërbyese nuk është vetëm sepse kjo është punë e mirë apo obligim për mbrojtjen e lexuesve nga faqet e dyshimta të cilat janë të optimizuara për SEO. Përmbajtjet e këtilla u ndihmojnë lexuesve të gjejnë zgjidhje të mira për problemet nga jeta reale, e mediave u mundëson të lidhen me lexuesit e tyre. 

Redaksitë më të vogla mbase nuk mund të shtyhen me kompanitë e mëdha në aspektin e marketingut SEO, por brendi medial vazhdon të ketë ndikim të madh te lexuesit.

Kur dikush googlon informata të cilat i duhen në komunitetin ku jeton, vjen deri te njohja e brendit medial dhe njohja e ekspertizës", thotë Megan Griffith-Greene, redaktore e gazetarisë shërbyese në The Philadelphia Inquirer. "Kjo na jep përparësi të natyrshme kundrejt disa vendeve rastësore që ju i klikoni. Kjo në fakt i shkon [drejt] ndihmës në ndërtimin e besimit edhe brenda komuniteteve tona".

Në artikullin e American Press Institute thuhet se ata që kanë eksperimentuar deri më tani me artikujt "help me" dhe me gazetarinë shërbyese theksojnë disa leksione të cilat mund të jenë të dobishme për ata që po mendojnë për projekte të ngjashme.

Këto katër leksione përsëriten më shpesh:

  • Njihini njerëzit atje ku ata gjenden – edhe nëse kjo nuk është në platformën tuaj kryesore. 
  • Pyesni njerëzit se çfarë informatash u duhen – nëse dëshironi t'i kuptoni.
  • Bashkëpunoni dhe komunikoni me grupe apo shoqata të komunitetit lokal për të parë se çka u mungon njerëzve.
  • Informatat dhe pasqyrat e aktiviteteve aktuale shfrytëzoni në projektet e ardhshme.

Nëse bëhen siç duhet, artikujt "help me" u dalin në ndihmë lexuesve atje ku ata kërkojnë zgjidhje. Kjo kërkon dëgjimin e sjelljes së publikut dhe informata kthyese. 

Dëgjuesi i mirë i cili është i gatshëm të ndihmojë meriton gjithmonë besim, edhe atëherë kur flasim për një portal lajmesh. 

Rritja e optimizimit të përmbajtjes SEO nuk ndodhi në vakum. Ajo ndoqi trendet e sjelljes së njerëzve online.

Prandaj është në interes të redaksive të investojnë në SEO, për të mirën e tyre dhe për të mirën e publikut të cilit i shërbejnë.

E mira për ta është një kanal i ri për rritjen e trafikut në uebfaqe, për publikun – sepse ata kanë një burim të besueshëm informatash që u nevojiten. 

Vlerësoni cilësinë e artikullit
Sugjeroni një temë të re