

Si ta vlerësojmë një medium i cili publikut të vet gjithmonë i jep gjysmëinformata?
Këtë pyetje me siguri ia bën vetes çdo person me vështirësi i cili dëshiron të jetë i informuar. Softuerët për leximin e përmbajtjes së ekranit në shumë portale nuk kanë shumë për të lexuar pjesën vizuale të informatave.
Qasshmëria digjitale nuk është emri dhe mbiemri i personit në fotografi, i shkruar në legjendën e fotografisë. Pse? Sepse nuk i jep kurrfarë konteksti informatës, e konteksti me siguri ekziston.
Si të shkruani përshkrime të mira të fotografive
Alex Chen, UX dizajner dhe shkrimtar me fokus në përdorshmërinë dhe qasshmërinë, ka përpiluar një udhëzues për të shkruar përshkrime të mira fotografish. Sipas tij, udhëzuesi u shkrua me ndihmën e këshillave të Bex Leonit dhe Robin Fanningut dhe me ndihmën e një sondazhi online me persona të verbër dhe me shikim të dëmtuar.
Udhëzuesi bazohet në parimin:
Objekti – veprimi - konteksti
- Objekti është fokusi kryesor.
- Veprimi përshkruan atë që po ndodh, zakonisht atë që objekti po bën.
- Konteksti përshkruan mjedisin përreth.
Kjo qasje rekomandohet sepse e bën përshkrimin objektiv, konciz dhe përshkrues.
Ai duhet të jetë objektiv që njerëzit të cilët përdorin përshkrimin të mund të formojnë mendimin se çka do të thotë imazhi. Ai duhet të jetë konciz që njerëzve të mos u duhet shumë kohë për të absorbuar tërë përmbajtjen, veçanërisht nëse ka më shumë imazhe. Dhe duhet të jetë mjaft përshkrues për të përshkruar të gjitha aspektet thelbësore të imazhit dhe informatat që ai përcjell.
Në artikullin e tij, Chan thekson se "Ajo që konsiderohet "thelbësore" ndonjëherë mund të jetë subjektive. Në hulumtimin tim, disa njerëz preferonin përshkrime shumë të shkurtra, të tjerët preferonin sa më shumë detaje vizuale. Këshilla ime më e mirë në këtë fushë është të jeni përshkrues aq sa ka nevojë audienca juaj.
Ju e njihni më së miri audiencën dhe përmbajtjen tuaj. Nëse puna juaj është tejet vizuale dhe audienca juaj është e interesuar, shtoni më shumë detaje. Nëse juve dhe audiencës suaj i intereson më shumë përmbajtja jovizuale, bëjeni atë të shkurtër."
Përshkrimet diskriminuese dhe objektive të fotografive – cili është dallimi?
Përshkruani ato që mund t'i shihni, e ato janë pamjet fizike dhe veprimet, jo ato që bazohen në interpretime ose gjykime.
Për shkak të frikës nga gabimet, priremi të shmangim diskutimet rreth etnisë, racës, gjinisë, invaliditetit dhe moshës që të mos gjykojmë dhe të përdorim gjuhën e gabuar.
Ju pëlqeftë apo jo, këto karakteristika mund t'i dalloni menjëherë kur e shihni fotografinë.
Këto janë informatat që personat me vështirësi duhet të marrin që të jenë në gjendje të interpretojnë vetë informatën.
Në portalin Accessible Publishing qëndron rekomandimi: "Për të qenë objektivë, sugjerojmë përdorimin e terminologjisë së mëposhtme për të përshkruar tonin e lëkurës:
- Lëkura e çelët
- Ngjyra gjysmë e çelët e lëkurës
- Ngjyra e mesme e lëkurës
- Ngjyra e mesme e errët e lëkurës
- Ngjyra e errët e lëkurës
Ky është i njëjti sistem i përdorur për të shenjuar emojit me tone të ndryshme të lëkurës. Po ashtu, mund të përdorni terma si e zezë, e bardhë, aziatike, e Lindjes së Mesme etj., por vetëm nëse kjo mund të përcaktohet në tekstin përreth."
Një shembull i përshkrimit objektiv është dhënë në Accessible Publishing.

Shembulli i përshkrimit të rekomanduar nga Accessible Publishing: Një djalë i ri me lëkurë të çelët me një xhaketë lëkure të zezë, me gjatësi mesatare, qëndron në shkallë, jashtë, përballë një hekurudhe. Duart i ka në xhepa, teksa shikon pak anash.
Në këtë përshkrim tregohet qartë ngjyra e lëkurës së të riut në fotografi pa pasur frikë se do të etiketohet në media ose se do të diskriminohet. Meqë ka pak kontekst në fotografi (i riu është në groplan), informata në lidhje me ngjyrën e tij të lëkurës mund të jetë e rëndësishme dhe është pjesë e nevojshme e informatës.
Për sa kohë që përshkrimi është pjesë e informatës, dhe jo vetëm përshkrim i fotografisë, detajet kanë rëndësi.
Në shumë situata, përmendja e racës ose gjinisë mund të mos jetë aspak e rëndësishme. Është e zakonshme t'i përmendni personat si "gra" ose "burra", por ekziston rreziku që ata të klasifikohen gabimisht. Më mirë është të thuani "person" ose "njerëz" e pastaj të flisni për karakteristikat fizike në vend se t'ia atriboni gjininë secilit person në fotografi (p.sh. thuani "person me flokë të gjatë" në vend se "grua" ose "personi që përfaqëson gruan").
Ekziston një ekuilibër delikat mes gjuhës gjithëpërfshirëse dhe përshkrimit të hollësishëm.
Shmangni përshkrimin e moshës kur përshkruani numra ose dekada sepse dikush mund të duket i ri, por është në moshë madhore. Në vend të kësaj, është më mirë të përdoren terma si foshnja, vogëlushi, adoleshenti, i rrituri, mosha e mesme, etj.
Censura në përshkrimin e fotografive
Problemi me të cilin përballen njerëzit me vështirësi të printit është censura ose tëhollimi i përmbajtjes.
Fotografia që përmban materiale shqetësuese ose kontroverse shpesh nuk përshkruhet objektivisht dhe plotësisht. Personat me vështirësi në përshkrim presin të njëjtën qasje në përmbajtje dhe duhet t'u jepet mundësia të marrin vendime dhe gjykime duke u bazuar në të njëjtën informatë si njerëzit që e shohin qartë fotografinë.
Shembulli që e përmend Accessible Publishing është fotografia e një eksponati muzeu.

Shembulli i legjendës së fotografisë që është e dukshme në webfaqe:
Argëtimi i satirëve mjekrroshë. Detaj i psikterit antik me figurë të kuqe (ftohësi i verës), ku nënshkruhet Dourisi si piktor. Data rreth 500-490 p.e.s. Aktualisht në Muzeun Britanik.
Shembulli i alt përshkrimit të fotografisë:
Katër satirë lakuriqë pinë dhe kënaqen. Njëri mbështetet në duar, duke balancuar kantarosin në falusin e tij të ngritur. Njëri mbush verë në kantaros, tjetri qëndron pas tij, duke mbajtur kantarosin mbi kokë. Në të djathtë, satiri i katërt vallëzon rreth kantarosit, të vendosur në tokë.
Sado që përshkrimet eksplicite të fotografive mund të na duken të ekzagjeruara, kjo fotografi është thelbësore sepse është vepër arti jashtëzakonisht e vlefshme që pasqyron kulturën e kohës. Dhe mu ky eksplicitet është pjesë e veprës artistike dhe pjesë e informatës.
Pse janë të dobishme përshkrimet e fotografive?
Fotografitë digjitalisht të qasshme arrijnë te më shumë njerëz!
Në mungesë të hulumtimeve për Ballkan, ne do të përdorim të dhëna për Kanadanë ku 1 në 5 persona kanë vështirësi të printit dhe kjo është pjesë e konsiderueshme e popullsisë (sipas Accessible Publishing).
Është tejet e rëndësishme të theksohet se kjo shifër nuk përfshin as popullatën e moshuar, dhe shumë prej tyre kanë përkeqësim të shikimit. Pa fotografi digjitalisht të qasshme, shumë prej këtyre njerëzve nuk kanë qasje të plotë në informata. Për ta kjo përbën sfidë, për media kjo mund të jetë e dëmshme.