

Pew Research Center, organizatë kërkimore amerikane, së fundmi ka publikuar një raport mbi konsumin e lajmeve përmes mediave sociale dhe platformave digjitale. Këto hulumtime ofrojnë një pasqyrë të trendeve dhe shprehive aktuale të amerikanëve kur bëhet fjalë për konsumin e lajmeve.
Sipas raporteve, platformat digjitale mbeten burimi kryesor i lajmeve për amerikanët. Gjysma e të rriturve amerikanë së paku ndonjëherë marrin lajme nga mediat sociale. Kur bëhet fjalë për atë se ku i marrin amerikanët rregullisht lajmet e tyre në mediat sociale, Facebooku i tejkalon të gjitha mediat e tjera sociale. Rreth një e treta e të rriturve amerikanë (31%) thonë se marrin rregullisht lajme nga Facebooku, dhe 26% nga platforma YouTube.
Kur shikohet përqindja e përdoruesve të rrjeteve sociale që ndjekin rregullisht lajmet në këto rrjete, disa rrjete dallohen si burimi i preferuar i lajmeve për shumicën e përdoruesve të tyre, pavarësisht faktit se audienca e tyre e përgjithshme mund të jetë relativisht e vogël. Kështu, ta zëmë, X (Twitter) përdoret nga rreth 27% e njerëzve, por pothuajse gjysma e këtyre përdoruesve (53%) e përdorin rregullisht këtë rrjet për të ndjekur lajme.
Por, ekziston një trend i rënies së numrit të përdoruesve të Facebookut që marrin rregullisht lajme në këtë platformë. Pjesa e përdoruesve të Facebookut që thonë se marrin rregullisht lajme në faqe është ulur me 7% që nga viti 2020, nga 54% në 47% në vitin 2021. Kjo mund të dëshmojë për ndryshimet në mënyrën se si përdoruesit i shfrytëzojnë mediat sociale për t'iu qasur lajmeve dhe mund të ketë të bëjë edhe me ndryshimet që ndodhin në këtë platformë për të cilën kemi shkruar së fundmi.
Më shumë se gjysma e amerikanëve (56%) thonë se shpesh marrin lajme nga pajisjet digjitale si telefonat, kompjuterët ose tabletët, krahasuar me 49% në vitin 2021. Përqindja e përdoruesve që thonë se shpesh marrin lajme nga televizioni (rreth 30%), shtypi (rreth 10%) dhe radioja (rreth 15%) ishte më konsistente gjatë vitit të kaluar.
Ndër platformat digjitale, webfaqet ose aplikacionet e lajmeve gjithashtu janë burimi i preferuar i lajmeve, ku një e katërta e të rriturve amerikanë preferojnë të marrin lajme në këtë mënyrë, krahasuar me 15% që preferojnë kërkimin, 12% që preferojnë mediat sociale dhe 6% që thonë se preferojnë podcastet.
Kjo duket si e dhënë e rëndësishme kur shikohet se në cilat platforma digjitale duhet të përqendrohemi, ose në cilat duhet të investohet më shumë zhvillim. Duket se webfaqet direkte të mediave dhe aplikacionet e tyre nuk janë vende për t'u shpërfillur për të marrë lajme, por ato duhet t’u përshtaten nevojave të përdoruesve.
Ndërsa teknologjia, mediat digjitale dhe sociale vazhdojnë të zhvillohen, mund të presim që këto trende do të vazhdojnë të rriten. Këto studime ofrojnë njohuri të vlefshme për gjendjen aktuale të konsumit të lajmeve, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes së këtyre trendeve për të kuptuar më mirë të ardhmen e industrisë së mediave.
Për mediat në Ballkanin Perëndimor, këto studime mund të jenë veçanërisht të dobishme sepse ato ofrojnë njohuri për trendet dhe shprehitë e konsumit të lajmeve në Shtetet e Bashkuara, të cilat shpesh u prijnë trendeve globale. Përveç kësaj, ky hulumtim mund t'u ndihmojë mediave në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë më mirë se si po ndryshon industria e mediave dhe si mund të përshtaten ato me këto ndryshime.