Sulmet digjitale dhe përgjimet ndaj gazetarëve: Rasti i gazetarit maroken

02.07.2020. / 08:56

Se sa është e rëndësishme siguria digjitale e gazetarëve tregojnë të gjitha tekstet të cilat i kemi shkruar vetëm vitin që lamë pas. Sfidat të cilat u dalin gazetarëve gjatë raportimit për tema të ndryshme kërkojnë kujdes të shtuar. Gazetarët shpesh raportojnë për temat siç është korrupsioni, luftërat, aferat e ndryshme politike, dhe të gjitha këto tema shpesh vënë në fokus pikërisht gazetarin i cili ka raportuar për to. Në lidhje me këtë, gazetarët përballen me presione të ndryshme, me përpjekje të zbulimit të burimeve të informacioneve, me thyerje të pajisjeve digjitale.

Pikërisht gazetari maroken, Omar Radi, u përball me sulme të pabesueshme pasi shkroi tweet-in kritik për shkak të të cilit u vu në përgjim për një vit të tërë e telefoni i tij u infektua me një softuer shumë të sofistikuar spiunimi të zhvilluar nga kompania izraelite e inteligjencës NSO, thuhet në raportin e zhvilluar nga Amnesty International. Për shkak të tweet-it të tij, Omar u dënua me katër muaj burg me kusht dhe iu desh të paguante gjobë. 

"Hetimi i ri zbuloi se telefoni e tij shumë herë ishte bërë cak me ndihmën e softuerit spiunues Pegasus të kompanisë izraelite NSO Group nga janari i vitit 2019 deri në janar të vitit 2020. Vegla heshturazi i ofron sulmuesit qasje të plotë në mesashe, emaila, media, mikrofon, kamerë, thirrje e kontakte", – thuhet në raport. 

Edhe më parë ishin dokumentuar sulmet përmes softuerëve të ngjashëm maliciozë të NSO-së kur flasim për akademikun dhe aktivistin maroken, Maati Monjib.

Se deri te të dhëna të këtilla malicioze mund të vihet thjesht duke surrfuar në internet, u dëshmua edhe në këtë rast.

"Duke surfuar në internet, gazetari me siguri pa qenë i vetëdijshëm i ka dhënë kontroll të plotë mbi pajisjen e tij autoriteteve marokene, për të cilat besohet se janë klientë të Grupit NSO nga viti 2018.  Kjo ka qenë një kthesë shumë ironike e ngjarjeve, meqë Grupi NSO vetëm tri ditë më parë kishte publikuar politikën e re në lidhje me të drejtat e njeriut pas një varg keqpërdorimesh të raportuara të teknologjisë së tij" – thuhet në një tekst në faqen Forbidden Stories.

"Shteti jua kontrollon të kaluarën, të tashmen, fotografitë tuaja, tekstin tuaj", – thotë Radi për Forbidden Stories.

Si duket ky sulm digjital?

"Metoda e cila shfrytëzohet ishte tejet e poshtër, zhvillohej për disa milisekonda, pa lënë kurrfarë gjurme. Krejt çka duhej të bënte Radi ishte të klikonte në uebfaqen e pakodifikuar (HTTP në vend të HTTPS-së). Derisa e bëri këtë, trafiku i tij i internetit në telefon 4G/LTE u orientua në uebfaqen tjetër e cila ia instaloi softuerin spiunues para se ta kthente te vendi paraprak të cilit provonte t'i qasej", –raporton Forbidden Stories. 

(Foto: Si duket sulmi "network injection". - burimi Amnnesty International)
Foto: Si duket sulmi "network injection". - burimi Amnnesty International

Bill Marczak nga Citizen Lab tregon se është e tmerrshme që shkuarja pa të keq në ndonjë uebfaqe të cilën rëndom e vizitoni përditë mund të jetë vend i infektimit.

Metoda e mëhershme për cënimin e sigurisë digjitale dhe sulmet ishte dërgimi i qëllimshëm i mesazheve tekstuale me linkë maliciozë, ku duhej të klikonit që telefoni juaj të infektohej. Por me këtë metodë, hapat e infektimit janë shumë më subtile dhe më të zorshme për t'u zbuluar.

Janë gjithnjë e më të shpeshta dhe më kreative sulmet të cilat u bëhen gazetarëve në mbarë botën. Hakerët, të cilët shpesh qëndrojnë afër strukturave qeverisëse, siç ishte rasti i Omar Radit, investojnë shumë mund që sulmet të jenë sa më të heshtura e më të pavërejtura. Në lidhje me këtë, ekspozimi i gazetarëve është gjithnjë e më i madh dhe siguria në sferën digjitale po bëhet gjitnjë e më e paqëndrueshme.

Kur bëhet fjalë për parandalimin e sulmeve të këtilla, Radi thotë: "më kurrë nuk klikoj në linkë, kurrë nuk hap datoteka të bashkëngjitura, nuk përdor USB të cilët vijnë nga burimet e jashtme".

Eksperti për sigurinë kibernetike i cili i këshillon mediat në Ballkan në kuadër të Programit të USAID-it Balkans Media Assistance, Robert Todoroski, thotë se profesioni i gazetarisë me vete bart shumë rreziqe për të cilat fatkeqësisht gazetarët nuk e dijnë se ekzistojnë. 

"Më parë gazetarët përcilleshin fizikisht, mbikëqyreshin, nganjëherë u merrej apo u vidhej ndonjë fletore, e sot gazetarët përballen me një përcjellje tjetër, e cila përfshin gjurmët digjitale në internet.  Mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të ardhur deri te informacionet për dikë është përmes internetit, e fatkeqësisht prania jonë në rrjetën e madhe është gjitnjë e më e madhe – rrjetet sociale, komunikimet me mail, kërkimet e internetit, dhe bëhet shumë e thjeshtë të përcillen interesat e personit të targetuar" – thotë Todoroski.

Me një vizitë të thjeshtë që i bëni uebfaqes suaj të preferuar mund të futeni në softuerin spiunues (spyware). "Shkurt, spyware ka për qëllim të ndërhyjë dhe të marrë kontrollin mbi kompjuterin apo telefonin tuaj pa dijeninë apo lejen tuaj" – shton Todoroski.

Disa prej këshillave që i jep Todoroski për sigurinë shtesë të gazetarëve është para së gjithash që ata të jenë të vetëdijshëm se janë gjithmonë në grupin e targetuar. Se telefonat e mençur dhe kompjuterët, si vegla themelore të çdo gazetari, duhet të jenë personalë, t'i përdor vetëm një person. Natyrisht, rekomandohet edhe autentifikimi i dyfishtë, kodifikimi i të dhënave, rrjeti privat (VPN), si dhe kujdesi te shkëmbimi i fajlëve me të tjerë. Asnjëherë mos shkëmbeni fajla haptazi, që secili që e merr linkun të mund t'u qaset atyre. Ato të dhëna dërgoni në mënyrë të personalizuar. Mos përdorni fjalëkalime të njëjta për llogari të ndryshme. 

Ocijenite kvalitet članka