

Para disa ditësh, duke përcjellë një program televiziv, pashë se raporti kishte titra të posaçme sepse mysafiri ishte personi me dëgjim të dëmtuar. Ai emision ishte realizuar konceptualisht me raporte të shkurta, dhjetëminutëshe, ku bëhej fjalë për tema të ndryshme jetësore. Emisioni kurrë nuk kishte pasur titra deri te episodi ku mysafir ishte personi me dëgjim të dëmtuar.
U befasova përnjëherë që kishin përfshirë titra, e pastaj pyeta veten se a do të vlente kjo vetëm për këtë video apo do të shndërrohej në praktikë edhe për video të ardhshme. Sepse nëse si gazetar/e, medium a producent/e deri atëherë nuk kanë ditur më shumë për rëndësinë e qasjes inkluzive ndaj përmbajtjes mediale, mbase pas këtij raporti e kanë kuptuar këtë gjë. Për fat të keq, praktika e episodeve vijuese më bindi shumue shpejt se bëhej fjalë vetëm për një përjashtim.
Ky shembull më shtyu që sot të shkruaj për rëndësinë e përmbajtjes inkluzive, me fokus të veçantë te videot dhe personat me dëgjim të dëmtuar.
Mbi 466 milionë persona në mbarë botën janë me vështirësi dëgjimi.
Që përmbajtja e plasuar nga mediat të jetë inkluzive, ajo duhet të mbulojë një sërë elementesh që përfshijnë konsumin më të lehtë të asaj përmbajtjeje për personat me vështirësi të llojllojshme.
Siç thotë kolegia Irena në tekstin Gazetaria inkluzive është e nevojshme në të gjitha mediat, "gazetaria inkluzive është një varg diskursesh normative, redaktoriale dhe praktikash raportimi të cilat u paraqitën e u zhvilluan për të ofruar shumëllojshmëri zërash në sferën e gazetarisë. Redaktorët kanë përgjegjësi dhe obligim t'i kushtojnë kujdes kësaj qasjeje të raportimit, e që gazetarëve të tyre t'u ofrojnë edukim shtesë që kjo formë e raportimit të shndërrohet në praktikë të përditshme e jo në një përjashtim".
Për t'i kuptuar nevojat e personave me vështirësi, provoni të shikoni ndonjë video duke ulur volumin apo duke mbyllur sytë. Do të shihni se sa shumë gjëra kuptohen me vështirësi. Që përmbajtja të jetë në dispozicion për personat me dëgjim të dëmtuar, producentët do të duhej të organizohen që në ekran të shfaqet interpretuesi i gjuhës së shenjave, titujt dhe titrat.
Dallimi mes titujve dhe titrave
Nga fillimi i viteve 1970, titrat u futën për t'iu përshtatur shikuesve të shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar të cilët shikojnë televizion, ndërsa deri në vitet 1980 ato u bënë kusht i domosdoshëm për transmetimet televizive në SHBA dhe më gjerë.
Titujt dallojnë nga titrat duke qenë se ato kanë për qëllim të sigurohen që publiku të mund t'i kuptojë të gjitha segmentet e rëndësishme të zërit në video, që mund të përfshijë më shumë se zërin e transmetuar (zëri i folësit). Zërat që nuk janë pjesë e të folurit që janë të domosdoshme për të kuptuar përmbajtjen duhet të përfshihen në tituj të duhur dhe zakonisht shfaqen brenda kllapave.
Titrat u shfaqën kur filmat pa zë kaluan në filma me zë për t'iu përshtatur publikut të huaj që nuk kuptonte gjuhën e filmit.
Edhe sot e kësaj dite titrat zakonisht lidhen me përkthimet nga gjuhë të tjera. Por, titrat vetvetiu nuk janë inkluzivitet i plotë për personat e shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar, sepse ato nuk përcjellin informatat e tjera për zëra të ndryshëm që shfaqen në video.
Titrimi përfshin sinkronizimin e tekstit me përmbajtjen audio të videos. Është më i shpeshtë se gjuha e shenjave sepse të gjithë personat me dëgjim të dëmtuar nuk e dijnë këtë gjuhë, e as nuk ekziston një version unik standard i gjuhës së shenjave. Nga ana tjetër, lëvizjet e gjuhës së shenjave mund të mos paraqiten me lehtësi.
Titujt dhe titrat në video u mundësojnë qasje të plotë personave me dëgjim të dëmtuar në përmbajtjen e prezentuar nga mediat. Qasshmëria e përmbatjes është edhe obligim i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian përmes Direktivës së Shërbimeve Mediale Audiovizuale, ndërsa qasshmëria pasqyrohet si çështje e rëndësishme edhe në shumë dokumente të ITU-së në nivel ndërkombëtar.
Për të bërë tituj dhe titra funksionale, kushtojuni vëmendje këtyre elementeve:
- Përdorni një apo dy rreshta të tekstit
- Shkruani fjalët e sakta të folësve, duke përfshirë zhargonin dhe gabimet gramatikore
- Vetëm në disa raste redaktoni disa fjalë për të lehtësuar shpejtësinë e leximit
- Shtoni përshkrimin e efekteve zanore të cilat ndihmojnë në të kuptuarit e përmbajtjes
- Sinkronizoni titrat me përmbajtjen zanore
- Përdorni font dhe madhësi të thjeshtë të shkronjave
- Siguroni kontrast të madh mes tekstit dhe sfondit
- Përdorni shkronja të mëdha dhe të vogla
- Përdorni fontin kursiv për shenjimin e rrëfyesit, zërat jashtë ekranit, efektet zanore dhe informatat tjera vitale të cilat prezentohen me zë
Mund të shtoni edhe transkriptin tekstual të krejt përmbatjes së videos, të cilin personat me dëgjim të dëmtuar mund ta lexojnë më vonë dhe kështu të mbushni "zbrazëtitë" në të kuptuarit e pjesëve të caktuara të videos.
Përgjegjësia e çdo mediumi është inkluziviteti
BBC-ja ka krijuar udhëzime të hollësishme se si duhet të titrohet videoja, e që mund t'ju ndihmojë që përmbajtja juaj të jetë më inkluzive.
Siç thonë në fillim të udhëzimeve, "titrat pikësëpari u dedikohen shikuesve me dëgjim të dëmtuar, por ato i përdorin edhe shumë njerëz të tjerë: rreth 10% e shikuesve të transmetimit rregullisht përdorin titra, e kjo shkon deri në 35% për disa përmbajtje online. Shumica e këtyre shikuesve nuk janë me dëgjim të dëmtuar".
Nëse merrni parasysh këtë fakt, dhe se shumë njerëz që nuk kanë vështirësi për të përcjellë përmbatjen megjithatë përdorin ndihmesa shtesë (titra), vetëm pyeteni veten se sa dobi dhe nevojë kanë personat me dëgjim të dëmtuar.
Andaj, sigurohuni që çdo përmbajtje vizuale që krijoni të jetë inkluzive dhe në dispozicion të çdo shikuesi.
Në fund, mediat kanë përgjegjësi që pa diskriminim dhe status të pabarabartë t'i mundësojnë secilit qasje në përmbajtjen e tyre. Siç pritet që mediat të mos përhapin gjuhë të urrejtjes apo të mos diskriminojnë përmes asaj për të cilën raportojnë, asisoji çdo medium e ka për obligim të sigurojë qasjen dhe qasshmërinë e përmbajtjes.
Sot keni edhe mënyra të thjeshta për të përfshirë titra në sferën digjitale, e për këtë do t'ju ndihmojnë një grumbull veglash. Platforma YouTube ka mundësinë e futjes së drejtpërdrejtë të titrave dhe redaktimit ose shtimit të fajlit srt.
Më parë kemi shkruar për veglat e ndryshme që ofrojnë titrim të thjeshtë dhe shtim të titujve, e disa prej tyre kanë edhe njohjen automatike të zërit dhe shndërrimin e tij në titra. Ajo që shpesh paraqet problem është njohja e zonës suaj gjuhësore, por besojmë se edhe ky segment do të përmirësohet shumë shpejt. Dje ju sollëm një storie për veglën Piktostory, e cila është e shkëlqyer për video të shkurta dhe e cila ju mundëson edhe titrim automatik në kroatisht, serbisht e maqedonisht. Përveç kësaj, kemi shkruar edhe për veglat si Headliner, VN Video Editor, Wochit, Motionbox, Clipchamps, e kështu me radhë.