

Me përhapjen e teknologjive të përkthimit makinerik në internet janë bërë të zakonshëm edhe përkthyesit automatikë të titrave. Në bazë të të mësuarit të thellë, këto programe kompjuterike analizojnë rregullat fonetike dhe semantike për të dhënë rezultate të sakta.
Që nga lansimi i algoritmit të ri të veglës Google Translate në vitin 2016 të gjitha teknologjitë u bënë edhe më të sakta në përkthimin e fjalëve, frazave dhe fjalive të shkurta. Por, vegla të tilla ende nuk ofrojnë përkthime përsosmërisht të sakta dhe janë kryesisht më të zhvilluara për gjuhët si anglishtja, frëngjishtja e spanjishtja. Sidomos paraqiten probleme me rastin e përdorimit të gjuhëve nga hapësira jonë gjeografike.
Edhe pse softuerët për përkthim dhe titrim mund t'ju kursejnë shumë kohë, ato megjithatë kanë nevojë për përmirësime nga dora e njeriut. Prandaj, gjithmonë kini parasysh se duhet ta kontrolloni gjuhën e përkthyer nëse dëshironi të keni saktësi.
Softueri Checksub
Checksub është kompani franceze e specializuar në shërbimet e titrimit që nga viti 2017, ndërsa ata kanë zhvilluar një redaktor automatik të titrave për krijim të thjeshtë të titrave për çfarëdo videoje.
Checksub është gjenerator titrash që transkripton dhe përkthen automatikisht videot tuaja. Ju po ashtu mund të redaktoni, të sinkronizoni e të personalizoni me lehtësi titrat tuaj duke përdorur një interface të zgjuar dhe të lehtë.
Karakteristikat kryesore përfshijnë transkriptimin e të folurit në tekst, përkthimin makinerik, shënjime kohore intuitive dhe një vegël për prerje.
Ky softuer ofron përkthime në 190 gjuhë botërore, duke përfshirë BHSCG, maqedonish dhe shqip.
Sigurisht, titrat mund t’i shkruani manualisht, të shtoni srt, apo thjesht ta përdorni opsionin e shtimit automatik të titrave në atë gjuhë që ju nevojitet. Titrat pastaj mund t'i rregulloni vizualisht duke ndryshuar fontin, madhësinë, ngjyrën, animacionin.
Përkthimin automatik mund ta bëni me shumë lehtësi.
1. Bartja dhe vendosja
Projekti i ri fillon me importimin e videos suaj në platformë. Pastaj përcaktoni titrat në gjuhët që ju dëshironi. Të gjitha të dhënat janë të kodifikuara dhe të sigurta.
2. Përpunimi i titrave
Pasi ta konfirmoni projektin, nis përkthimi ndërsa në email do t'ju vijë njoftimi se përkthimi është gati.
3. Titrat janë gati
Pasi ta pranoni emailin se titrat janë gati, mund t'i rregulloni ato online, të gjeneroni fajlin me titra (SRT, VTT, Docx, TXT,...) apo drejtpërdrejt të eksportoni videon e re me titrat e integruara.
Pasi të arrini t’i integroni titrat, zgjidhni fontin, ngjyrën dhe sfondin që më së shumti i përshtatet kreacionit tuaj.
Siç thonë nga kjo platformë në rubrikën FAQ, titrat përpunohet zakonisht për 12 deri në 48 orë e 10 minuta. Për titrat e huaja, pasi t'i zgjidhni ato, duhet të shtoni nja 2 ditë për përkthim dhe lekturim. Natyrisht, koha e nevojshme për përpunimin e titrave varet nga kohëzgjatja e projektit tuaj. Nëse keni projekt më të madh, mund t'i kontaktoni për të vlerësuar kohën e realizimit. Edhe pse ky proces është më i ngadaltë, saktësia e përkthimit dhe profesionalizmi më i madh i rezultateve është ajo që garantohet nëpërmjet pritjes.
Regjistrimi dhe puna
Para se të filloni me përdorimin e këtij softueri, duhet të regjistroheni në faqen e tyre. Këtë mund ta bëni përmes llogarive tuaja në Google e Facebook, apo duke shkruar emailin dhe fjalëkalimin e ri.
Në fillim do t'ju parashtrohen disa pyetje rreth asaj se me çka merreni dhe për çka ju duhen titrat.
Pasi t'u përgjigjeni këtyre pyetjeve, automatikisht do të orientoheni drejt interfaceit të softuerit Checksub.
Pasi të shtoni videon, do t'ju çelet një hapësirë për zgjedhjen e gjuhës së videos dhe zgjedhjen e gjuhës për titrim.
Pasi ta bëni zgjedhjen dhe të klikoni te Next, do t'ju duhet të zgjidhni njërën nga dy metodat e ofruara të titrimit:
1. Gjeneroni titra automatikisht
2. Porosisni titra profesionale
Pasi të zgjidhni opsionin e gjenerimit automatik të titrave dhe ta konfirmoni këtë, do të nisë procesi juaj i titrimit.
Kur të pranoni emailin se titrat tuaja janë gati, mund të kontrolloni saktësinë e përkthimit, dhe të shtoni karakteristika të tjera si fonti, madhësia, ngjyra.
Çmimi
Checksub vjen në tri paketa: falas, Junior dhe Biznes.
Paketa falas ofron deri në 5 minuta titrim në muaj, vetëm një përkthim për projekt dhe vetëm një projekt në muaj. Projekti mund të ruhet deri në 30 ditë, ndërsa hapësira për ruajtje është 2 GB. Brenda platfromës mund të punojë vetëm një përdorues/e.
Në paketën falas mund të ndryshoni madhësinë e videos, të prisni e të redaktoni videon, të përshtatni stilin e titrave, ndërsa videon mund ta eksportoni me vulë dhe me cilësinë deri në 720 p.
Paketa Junior kushton 8 dollarë në muaj, dhe ofron 360 minuta titrim në vit, deri në 1 përkthim për projekt, projekte të pakufizuara, hapësirë 20 GB dhe një përdorues/e.
Brenda paketës mund të ndryshoni madhësinë e videos suaj, të redaktoni videon, të përshtatni stilin e titrave. Eksportin mund ta bëni pa vulë dhe përveç videos mund të eksportoni edhe fajlin .srt e .vrt. Cilësia e eksportit është deri në 4K, ndërsa edhe skriptën mund ta ktheni në titra.
Paketa Business i përshtatet çdo përdoruesi, dhe çmimi gjithashtu u përshtatet nevojave tuaja. Në këtë paketë mund të ndryshoni madhësinë e videove tuaja, t'i përpunoni videot, ta përshtatni stilin e titrave, të ruani fontet tuaja të personalizuara.
Eksportin mund ta bëni pa vulë, e po ashtu mund të eksportoni edhe fajlë të ndarë .srt e .vrt. Videoja është me cilësinë deri në 4K.
Në paketëm Business gjithashtu mund të bartni me lehtësi skriptën në titra, si dhe automatikisht të incizoni dhe të merrni ndihmën e personalizuar nga ekspertë të gjuhëve lokale.
Nëse dëshironi që projektet tuaja të titrohen nga profesionistë, çmimi do të llogaritet sipas gjatësisë së vidoes dhe gjuhëve të kërkuara. Këtij opsioni mund t'i qaseni në fillim, kur shkoni te hapja e videos suaj, dhe zgjidhni opsionin "Nga profesionistë", për të marrë vlerësimin e duhur.
Edhe pse fakti i pritjes së përkthimit mund t'ju zmbrapsë nga përdorimi i këtij opsioni, nëse planifikoni me kohë titrimin dhe ndani hapësirë për punë, besojmë se edhe kjo pritje do të shpaguhet në fund.