Transparenca është objektiviteti i ri në gazetari

10.09.2021. / 08:56
Autor/ica
Share
fsgsf
fsgsf

Besimi në media është në rënie vit për vit, por edhe kjo nuk është më risi.

Përmbajtjet e sponsorizuara, gjuetia e klikimeve, lajmet e rreme, sensacioni janë vegla për mbijetesë në tregun medial, por ato kanë bërë që publiku të mos i marrë seriozisht as mediat as përmbatjen.

Sipas raportit të Fondacionit Knight për besimin në media, transparenca është faktori kyç për kthimin e besimit.

Si të kthejmë besimin në epokën e artë të burimeve të paemër dhe dëshmitarëve anonimë?

Objektiviteti dikur dhe sot

Charlie Beckett, drejtor i Polisit, qendrës kërkimore për gazetari të Shkollës Londineze të Ekonomisë, thotë: "Ka ekzistuar traditë e gjatë që gazetaria duhet të përpiqet të tregojë storie të bazuara në fakte, pa anshmëri personale të autorit, por ajo po bëhet gjithnjë e më subjektive jo vetëm sipas mënyrës qysh krijohet por edhe sipas konsumit të përmbajtjes".

Interneti dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar shprehitë e publikut dhe mënyrat se si konsumojnë përmbajtje nga mediat. Kanë ndryshuar edhe nevojën për informata krejtësisht objektive. Sot njerëzit vetëm duan të vijnë në përfundim në bazë të fakteve që u shpalosin mediat. Andaj është bërë tejet e rëndësishme të shpalosen faktet e papërpunuara dhe të pacensuruara. Mediat që e kanë kuptuar këtë me kohë kanë zhvilluar marrëdhënie të mirë me publikun e vet.

Mathew Ingram, shkrimtar shumëvjeçar në Fortune e ka komentuar këtë kësisoji: "Dua gjëra të ndryshme në kohë të ndryshme. Nganjëherë dua objektivitet, por në disa raste mbase dua subjektivitet të plotë – ta zëmë, kur kërkoj informata nga dikush që është në vendin e ngjarjes".

Dikur mediat objektive shkonin në vendin e ngjarjes dhe raportonin për ngjarjen duke përdorë rregullin e artë të zanatit – 5W. Sot, kjo më nuk mjafton ngase publiku pret që mediat t'u përcjellin emocionet e njerëzve të prekur nga ngjarje të caktuara.

Ku shkoi ters

Shkencëtarët Andrew Schnackenberg dhe Edward Tomlinson kanë propozuar që transparenca në organizata përbëhet nga tri pjesë:

  1. zbulimi – informatat publikohen në kohën e duhur
  2. saktësia – informatat janë të sakta
  3. qartësia – informatat janë në kontekst të kuptueshme për krejt publikun

Për të kuptuar më lehtë se si ky përkufizim i transparencës u ndihmon organizatave mediale, do të përmendim shembullin e një raportit medial pa përdorur të tri elementet.

Të nxitur me zbulimin se në faqen e almanakun të Virgjinias për vitin 1984 ishte fotografia e një njeriu me fytyrë të zezë, USA Today publikoi një storie për racizmin në almanakët e fakulteteve.

Për nevojat e stories gazetarët shfletuan mbi 900 almanakë nga 120 fakultetet dhe universitetet, të publikuara në dekadat e fundit. Storia që ata shkruan përshkruan përhapjen e fotografive raciste në almanakët e universiteteve.

USA Today gjithashtu publikoi një storie e cila qëndron mbrapa  stories për racizmin, qëllimi i së cilës ishte "të jemi sa më transparentë në atë që kemi zbuluar". Në artikullin shtesë u përshkrua procesi i identifikimit dhe analizës së fotografisë.

Në storien shtesë shkruan: "Fotografitë e dyshimta i gjetëm pothuajse gjithandej ku shikuam – që paraqiste mosdurimin e përditshëm, të zakonshëm në faqet që ilustronin jetën e përditshme në kampuse. Shumë fotografi nuk kishin mbishkrime, që në disa raste e bënte të vështirë të kuptohej se për çka bëhej fjalë. Ka mundësi që disa prej tyre të kenë qenë nga shfaqja e shkollës apo kishin shpjegime të tjera. Por, ne e hartuam raportin tonë në bazë të fotografive që kishin pak apo nuk kishin aspak dykuptimësi".

Storia plotësuese është përpjekje për ofrimin e qartësisë lidhur me storien kryesore, duke i ndihmuar lexuesit të kuptojë motivimin dhe procesin e shkrimit të stories fillestare.

Por, storia shtesë nuk ofroi qartësi të plotë.

Nëpër almanakë nuk ka fotografi fyese në kontekstin e tyre të gjerë. Po kështu, stories plotësuese i mungon shpalosja, e nuk ka as listë të hollësishme të 900 almanakëve dhe 120 shkollave të analizuara.

Duket se aplikimi i procesit i cili do të sillte transparencën në praktikë nuk ishte shumë i qartë dhe nuk u bë në mënyrën më të mirë. Kjo krijon probleme sepse publiku vërshohet me informata shtesë të cilat nuk janë precize, e qëllimi i tyre nuk është krejt i qartë.

Qartësia (shembujt në kontekst) dhe shplaosja e të dhënave (lista e burimeve) mund t'u mundësojnë lexuesve që vetë të verifikojnë të dhënat që përmenden në storie.

Kur mungon transparenca e qartë, publiku vihet në situatë të dyshimit më të madh. 

Autoriteti, kredibiliteti, besimi

Komisioni Knight për Besim, Media dhe Demokraci në raportin e fundit ka dhënë 10 rekomandime për kthimin e besimit në media dhe demokraci. Një nga këto rekomandimet është:

"Ushtroni transparencën radikale. Mediat do të duhej të zhvillonin standarde vullnetare në industri për të zbuluar mënyrat se si mblidhen, raportohen dhe përhapen lajmet".

Kësisoji do të ndërtohej kredibiliteti dhe autoriteti i mediumit dhe njerëzve që punojnë në atë medium sepse, përveç të qenët objektivë dhe transparentë, publiku gjithashtu do të mund të shihte se si dhe sa objektivë e transparentë janë dhe sa përkushtohen për krijimin e storieve të mira të cilat duhet t'i shohë publiku.

Zgjidhja për objektivitetin e keq është të tregohet hapur e vërteta e vështirë dhe të mos përdoren më eufemizma të përpunuara të cilat duken të paanshme, i pëlqeu kjo publikut apo jo.

Shembullin e një praktike të këtillë në tekstin e saj e dha Erin Merkel: "Në vend se të themi 19-vjeçari i vrarë në të shtëna në Boston ku u përfshi edhe policia, më mirë të themi: Policia e Bostonit qëlloi 19-vjeçarin.  

I pari është objektiv, por i paqartë dhe i shkruan dobët qëllimshëm për të shmangur fajësimin e policisë. I dyti është i saktë dhe i vërtetë, edhe nëse kjo do të thotë se do të shqetësojë publikun pro policisë".

Transparenca mediale ka të bëjë me aspektin e zbulimit të plotë.

Duhet kthyer vëmendjen te gjërat që do të mund të ndikonin te puna e gazetarit/es, si:

  • të shkruarit për sponsorin e projektit të ndonjë mediumi,
  • biografia e gazetarëve që kanë angazhim të caktuar në komunitet apo lidhje familjare

Kjo ide e të kuptuarit se nga vjen gazetari ishte temë e postimit të David Weinbergerit në vitin 2009 me titullin Transparenca është objektiviteti i ri. Ai shkroi:

"Ajo në të cilën dikur besonim sepse mendonim që autori/ja ishte objektiv/e, sot besojmë sepse përmes shkrimeve të autorit/es mund të shohim burimet dhe vlerat që çuan deri te kjo. Transparenca i jep lexuesit informatat falë të cilave mund të largojë disa efekte të padëshiruara që gjithmonë janë të pranishme tek anshmëria. Transparenca na çon te besueshmëria ashtu siç ishte objektiviteti".

Përfundimi

"Të supozojmë se askush nuk klikon asgjë. Objektiviteti është diçka që bëni kur supozoni se njerëzit nuk klikojnë në linkë a referenca që ju i keni përmendur në storien tuaj", ka thënë Mathew Ingram.

Transparenca është të tregosh procesin dhe mënyrën se si e bëni këtë dhe të publikoni atë që juve, si njeri, si profesionist dhe si organizatë (medium), vërtet ju ka shtyrë të veproni pikërisht ashtu.

Ocijenite kvalitet članka