Twitter hap verifikimin e llogarisë me udhëzime të reja

27.05.2021. / 10:12

Programi i verifikimit në Twitter u lansua në vitin 2009, derisa atëbotë vetëm të zgjedhurit mund të kërkonin verifikim dhe të merrnin simbolin e kaltër si tregues që profili i tyre është i vërtetë. Kjo praktikë zgjati deri në vitin 2016 kur ajo iu mundësua të gjithë përdoruesve. Por, në vitin 2017 pasi që rrjeti Twitter u akuzua për diskriminim për shkak të mënyrës së dhënies së simboleve të kaltra, ata ndalën procesin e verifikimit dhe kjo shumë njerëzve u pamundësoi marrjen e konfirmimit se proflii i tyre nuk ishte i rremë.  

Katër vjet pas kësaj ndërprerjeje, Twitter bën me dije vazhdimin e verifikimit ndërsa mund të paraqiten të gjithë përdoruesit e Twitterit që plotësojnë kushtet që ky rrjet ka publikuar në faqen e vet.

Jane Manchun Wong, inxhiniere dhe blogere, postoi këtë informatë në llogarinë e saj në Twitter, duke deklaruar se Twitter do të kontrollojë pretendimet për verifikim nga burime të shumta, dhe se planifikon të lansojë një formular të ri kërkese.

Meqenëse nuk dihet ende zyrtarisht se si do të duket kjo, nëse pohimet e Wongut janë të sakta, procesi i ri i verifikimit do t'u lejojë përdoruesve të zgjedhin llojin e llogarisë së verifikuar për të cilën aplikojnë dhe të paraqesin materiale identifikimi përmes një formulari të ri të kërkesës. 

Për t'u kualifikuar për verifikim, përdoruesit e Twitterit duhet të plotësojnë kriteret e njërës nga gjashtë kategoritë e mëposhtme:

  • Qeveria
  • Kompanitë, brendet dhe organizatat
  • Organizatat mediale dhe gazetarët
  • Show biz
  • Sportet dhe lojërat
  • Aktivistët, organizatorët dhe personat e tjerë me ndikim

Këto kategori janë vetëm fillimi, thonë në Twitter. Më vonë këtë verë verifikimi do të zgjerohet edhe për shkencëtarët, akademikët dhe udhëheqësit fetarë.

Vlen të theksohet se udhëzimet për marrjen dhe mbajtjen e statusit të konfirmuar në Twitter nuk ndryshojnë.

Si të aplikoni për verifikim në Twitter

Para fillimit të verifikimit, profili juaj duhet të jetë publik dhe duhet të ketë të gjitha informatat e kërkuara që kërkohen në regjistrin biografik, siç janë emri dhe mbiemri, data e lindjes, fotografia e profilit, numri i vlefshëm i telefonit dhe adresa elektronike. Ky është minimumi i kërkesave.

Procesin e verifikimit mund ta filloni duke klikuar në profilin tuaj në Më shumë> Parametrat dhe Privatësia> Informatat e llogarisë> pastaj do të duhet të shkruani përsëri fjalëkalimin> dhe të klikoni në Kërkesën për konfirmim.

Sipas asaj që ka shpalosur Wong, formulari i ri i kërkesës fillon me pyetjen se për çfarë lloji të llogarisë së verifikuar po aplikoni. 

Më pas duhet të zgjidhni metodën e kualifikimit. Opsionet thuhet se përfshijnë artikuj në Google Trends, faqet në Wikipedia, lajmet ose faqet zyrtare të lidershipit nëse aplikoni si kompani. Duhet të dërgoni link nga tre burime të vlefshme që korrespondojnë me metodën e përzgjedhur të kualifikimit.

Më pas, do të duhet të dëshmoni identitetin tuaj me dokument identifikimi shtetëror (patentë shoferi ose pasaportë) ose me adresë zyrtare ose me uebfaqe që lidhet me emrin e domainit të llogarisë suaj në Twitter. Twitter do të shqyrtojë aplikacionin tuaj pasi ta dorëzoni, dhe ju do të njoftoheni menjëherë pas kësaj. Nëse kërkesa juaj pranohet, ju do të merrni simbolin e dëshiruar, e nëse jo, mund të prisni 30 ditë dhe të paraqitni kërkesë të re, derisa nuk ka asnjë kufizim se sa herë mund të aplikoni.

Twitter thotë se do të vazhdojë të përditësojë dhe rishikojë politikat e tij ndërsa përparon me aplikacionet publike të verifikimit dhe funksionet e tjera të reja.

"Njerëzit vijnë në Twitter për të lexuar se çfarë po ndodh me ngjarjet aktuale që ndodhin në një larmi temash dhe interesash. Simboli i kaltër i verifikimit u ofron personave në Twitter më shumë kontekst se me kë po komunikojnë. Ata mund të vendosin nëse përmbajtja është e besueshme dhe të marrin vendimet e tyre në lidhje me burimet që ata zgjedhin të ndjekin, e që ne besojmë se çon në biseda më të shëndetshme dhe më të informuara", tha B Byrne, udhëheqës i produktit i Twitterit i fokusuar në identitet.
Ata kanë njoftuar se verifikimi do të rihapet nga mesi i këtij viti, dhe mbetet të presim lansimin e tij që të kemi më shumë detaje rreth mënyrës se si do të duket dhe si do të funksionojë kjo në praktikë.

Ocijenite kvalitet članka