Veglat YouTube OSINT për gazetarët: Si të kërkoni më thellë dhe ta kuptoni video platofmën online 

30.10.2023. / 08:09
Autori
youtube osint
youtube osint

YouTube ka mbi 2.70 miliardë përdorues aktivë mujorë, duke e bërë atë pjesë të domosdoshme të peisazhit online dhe kanalin kryesor për qasje në informata. Me praninë e vet masive globale, YouTube siguron qasje të shpejtë dhe të gjerë në informata për një të katërtën e popullsisë botërore që e përdorin atë çdo muaj. Kjo është tejet e rëndësishme për gazetarët hulumtues sepse u siguron një bollëk informatash dhe dëshmi potenciale kyçe për storiet e tyre. Duke pasur parasysh përdoruesit e shumtë dhe shumëllojshmërinë e video përmbajtjeve tematike, gazetarët hulumtues mund të përfitojnë nga platforma YouTube për të bërë kërkime të thella dhe për të dokumentuar ngjarjet dhe për të gjetur informata dhe dëshmi relevante. Kjo përmirëson ndjeshëm aftësinë e tyre për të raportuar dhe analizuar ngjarjet aktuale.

Duke pasur parasysh fuqinë e saj për të mbuluar numër të madh audiencash, potenciali i platformës YouTube ka qenë prej kohësh i njohur në botën e gazetarisë. Për këtë rol tashmë kemi foluar në tekste të shumta ku, ndër të tjera, kemi shpjeguar se pse mediat duhet ta përdorin më shumë YouTubein, se si mediat në Ballkan e përdorin YouTubein për të shpërndarë përmbajtje, për të tërhequr audienca dhe për të monetizuar përmbajten, por edhe potencialin e saj për përmirësimin e gazetarisë digjitale në fushën e kulturës.

Për gazetarët, YouTube ka qenë prej kohësh një nga veglat më të rëndësishme të OSINT-it (Open Source Intelligence), potenciali i të cilit është njohur në krijimin e storieve, kryerjen e hulumtimeve dhe kuptimin më të mirë të asaj që po ndodh në botë. Por, sasia e madhe e video përmbajtjeve të publikuara çdo ditë në këtë platformë mund ta bëjë të vështirë gjetjen e përmbajtjes që do të plotësojë storien hulumtuese me të dhëna për të cilat gazetarët vërtet kanë nevojë.

Për të lehtësuar këtë hulumtim, janë zhvilluar vegla dhe teknika të ndryshme OSINT për të rritur dhe lehtësuar kërkimin në YouTube. Për atë se si të përmirësojmë mënyrën se si funksionojnë kërkimet në YouTube, si të përfitojmë nga teknikat e kërkimit tashmë në dispozicion në këtë platformë dhe si të përmirësojmë rezultatet e kërkimit me vegla të tjera OSINT për këtë qëllim do të bëhet fjalë në vazhdim. 

Teknikat e avancuara të kërkimit në YouTube

Platforma YouTube ofron një varg mundësish që synojnë të lehtësojnë rrugën drejt përmbajtjes me interes. Teknika e parë, më themelore dhe më e përdorur e kërkimit është përdorimi i fjalëve dhe frazave kyçe. Kërkimi sipas emrit të kanalit, emrit të autorit, titullit të videos ose përshkrimit të përmbajtjes mund të jetë shumë efektiv, por vetëm kur e dini saktësisht se çka po kërkoni. Në të kundërtën, kërkimi juaj do të rezultojë në një sasi të madhe përmbajtjeje që mund të mos ju ofrojë informatat që ju nevojiten për të arritur qëllimin tuaj të kërkimit. Një mënyrë për ta kapërcyer këtë është përdorimi i thonjëzave brenda të cilave do t'i fusni fjalët kyçe dhe të kufizoni rezultatet e kërkimit vetëm në atë varg fjalësh. Përveç kësaj, YouTube mbështet operatorë të ndryshëm kërkimi. Për shembull, mund të përdorni "AND" për të kërkuar video që përmbajnë të dy termat, ose "OR" për të kërkuar video që përmbajnë cilindo term. Po ashtu, mund të përdorni "-" për të përjashtuar terma të caktuar nga rezultatet e kërkimit.

Sigurisht, alternativa më e thjeshtë për të përqendruar rezultatet e kërkimit është përdorimi i filtrave në dispozicion. Këto opsione të avancuara të kërkimit, siç paraqitet në Figurën 1, ju mundësojnë t'i filtroni rezultatet bazuar në datën e publikimit (ora e fundit, sot, këtë javë, këtë muaj, këtë vit), llojin e kërkimit (video, kanal, playlistë, film), kohëzgjatjen (nën 4 minuta, 4/20 minuta, mbi 20 minuta), karakteristikat e video përmbajtjes. Gjithashtu mund të zgjedhim renditjen sipas së cilës duam të shfaqen rezultatet tona të kërkimit ose t'i rendisim ato sipas rëndësisë, datës, numrit të shikimeve ose vlerësimit.

Slika 1 – Screenshot YouTube Search filters
Figura 1 – Filtrat e kërkimit në YouTube

Kërkimi në YouTube me veglat OSINT

Teknikat e kërkimit që janë të integruara në platformën YouTube shpesh mund t'ju ndihmojnë të gjeni rezultatet që dëshironi. Por, gazetarët hulumtues shpesh përballen me nevojën për t'u zhytur më thellë në bollëkun e video përmbajtjeve në dispozicion për të zbuluar informatat e vlefshme që u nevojiten. Aktualisht ekzistojnë një numër veglash OSINT që mund ta lehtësojnë këtë proces dhe është shumë e rëndësishme të dimë se ku dhe si t'i gjejmë ato, për çka kemi folur më parë. Sot, do t'i veçojmë disa prej tyre.

Webinari me titull OSINT Techniques for Video Sharing Platforms (Teknikat OSINT për platforma të shpërndarjes së videove), i organizuar nga Skopenow, organizatë e themeluar në vitin 2016 për t'u ndihmuar organizatave të tjera të kuptojnë dhe aplikojnë fuqinë e OSINT-it, sjell njohuri për veglat dhe teknikat më të përdorura të OSINT-it.

Një nga këto vegla është Aware Online, e cila mundëson kërkimin e thjeshtë të përmbajtjes në YouTube (Figura 2). Kjo vegël përdor manipulimin e URL-ve për t'u mundësuar përdoruesve të kërkojnë fjalë kyçe brenda platformës YouTube, videove, kanaleve, playlistave dhe elementëve të tjerë.

Slika 2 – screenshot Aware Online YouTube search tool
Figura 2 – Vegla e kërkimit Aware Online

Po kështu, OSINT Toolkit ju mundëson të kërkoni duke përdorur të njëjtën metodë të manipulimit të URL-së, megjithëse ndonjëherë mbështetet në variacione të ndryshme të URL-së. Siç thuhet në këtë faqe, për të përdorur disa nga veglat, duhet të dini emrin e kanalit të subjektit që dëshironi ta hulumtoni. Për të identifikuar emrin e kanalit në YouTube, duhet të ngarkoni profilin e subjektit tuaj në YouTube dhe të klikoni me butonin e djathtë në faqe dhe të zgjidhni "Shfaq burimin e faqes" nga lista e opsioneve. Në faqen me burim, shtypni CTRL+F dhe kërkoni frazën: "channelId" content=", emri i kanalit të subjektit do të jetë pas asaj fraze.

Në rast se dëshironi ta kufizoni kërkimin në një zonë ose vendndodhje specifike, MW Geofind është vegël që mund t'ju ndihmojë ta bëni këtë. Kjo vegël u zhvillua për të zbuluar videot e bazuara në vendndodhje në YouTube dhe më vonë u përshtat për të kërkuar video përmes kanaleve specifike dhe fjalëve kyçe të lidhura me temën. Duhet të keni parasysh se të gjitha videot në YouTube nuk përmbajnë informata mbi vendndodhjen dhe se këto informata duhet të interpretohen vetëm si të dhëna të raportuara mbi vendndodhjen. YouTube u mundëson përdoruesve të zgjedhin vendndodhjen për videot e tyre. Tutje, teknologjia e përdorur për të maskuar vendndodhjen po bëhet më efikase dhe më e qasshme.

Megjithatë, kërkimi i video materialeve sipas vendndodhjes së interesit duke përdorur këtë vegël mund të jetë shumë i dobishëm në gazetarinë hulumtuese, pasi mund t'ju çojë në përmbajtje që përndryshe nuk do ta kishit gjetur thjesht duke shkruar fjalë kyçe në makinën e kërkimit YouTube.

Siç shihet në Figurën 3, kërkimi mundësohet duke shkruar adresën ose duke gjetur vendndodhje në hartë për të gjetur përmbajtje brenda një rrezeje të caktuar të vendndodhjes së zgjedhur (duke shkruar numrin e kilometrave në fushën e dhënë).

Slika 3 – screenshot MW Geofind
Figura 3 – Geofind MW

Metadatat e video përmbajtjes

Metadatat e përmbajtjes në YouTube mund të ofrojnë informata në lidhje me kanalet, video përmbajtjet, por edhe shumë informata të tjera të dobishme dhe të rëndësishme. MW Metadata është vegël që mbledh detaje në lidhje me një video material në YouTube dhe autorin e tij, playlistën dhe autorin ose kanalin e tij. Këto të dhëna mund t'i gjeni thjesht duke shkruar linkun ose ID-në e video përmbajtjes, playlistës ose kanalit.

Një vegël tjetër që mund të jetë e dobishme për nxjerrjen e të dhënave nga video materialet është DataViewer, vegël e zhvilluar nga Amnesty International. Kjo vegël ofron informata të detajuara rreth videove të postuara në YouTube dhe është shumë e lehtë për t'u përdorur. Mjafton ta kopjoni dhe ngjitni URL-në e videos për të cilën duan më shumë informata dhe DataViewer do të bëjë pjesën tjetër të punës.

Është e qartë se YouTube ofron një bollëk informatash që mund të jenë të dobishme për gazetarët hulumtues. Përdorimi i teknikave të avancuara të kërkimit, kombinimi i fjalëve kyçe, frazave dhe filtrave të avancuar mund të lehtësojë ndjeshëm procesin e gjetjes së informatave relevante. Po ashtu, këto vegla OSINT janë vetëm disa nga mënyrat kyçe për të kërkuar përmbajtje më të thellë dhe më të përqendruar në këtë platformë. Prandaj, është thelbësore të bëhen përpjekje për t'u njohur me këtë dhe për të gjetur vegla shtesë për të maksimizuar potencialin e YouTubeit në gazetarinë hulumtuese. Pavarësisht se cilën nga teknikat dhe veglat e kërkimit i përdorni, është e rëndësishme t'u përmbaheni parimeve etike të përdorimit të përmbajtjes në YouTube. Kushtojini vëmendje mbrojtjes së privatësisë së përdoruesve, respektimit të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, të drejtave të autorit dhe pronësisë intelektuale, por edhe sigurimit të transparencës me burime të theksuara qartë dhe citimit të informatave të marra nga kjo platformë.

Vlerësoni cilësinë e artikullit