Video përmbajtja në gazetari: trend, mundësi a nevojë

17.07.2020. / 14:41
Autor/ica
Share
Video ilustracija
Video
Video ilustracija

Deri në vitin 2020 82% e përmbajtjes në internet do të jetë video përmbajtje.

Kështu thoshin hulumtimet dhe parashikimet.

E dijmë të gjithë se ndryshimet në gazetari (dhe jo vetëm në gazetari) së pari shkaktohen nga ndryshimet e lexuesve, dhe pastaj nga ndryshimet teknologjike. Për gjeneratat më të reja video përmbajtja është më e afërt sesa teksti, andaj edhe e konsumojnë më shpesh.

A ka mundësi që redaksitë, për shkak të kërkesave të publikut, të sjellin në redaksi detyrime, shkathtësi, vegla e pajisje shtesë?

Videoja është një prej mediave më të shtrejta në gazetari. Për xhirimin e përmbajtjeve më të gjata, gazetarët planifikojnë storie, zhvillojnë intervista, xhirojnë video, redaktojnë, krijojnë versionet finale dhe në fund e transmetojnë përmbajtjen në platforma të caktuara.

Përveç faktit se ky proces merr kohë, ai kërkon edhe shkathtësi, pajisje dhe vegla të cilat nuk janë edhe aq të lira.

A u duhen patjetër mediave videot e shtreja?

Trendi i pivotimit në video në shumë media në botë ka filluar në vitin 2014.  Kjo kryesisht për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm dhe analitikës së shkëlqyer të cilën e shtynte përpara kompania Facebook. Shumë media filluan të shtyheshin se cili do të prodhonte video përmbajtje për Facebook. Kryesisht bëhet fjalë për klipe shumë të shkurta të cilat edhe reklamuesve u pëlqenin, e të cilat kishin mbulueshmëri të hatashme në Facebook.
Renesansa zgjati deri në vitin 2016 kur Wall Street Journal raportoi se statistikat e Facebook-ut për matjen e shikueshmërisë së video përmbajtjes janë të fryra artificialisht, dhe kjo shumë mediave u solli probleme. Si rrjedhojë, siç raportoi në vitin 2018 revista The Atlantic, nga puna u pushuan me qindra gazetarë që është edhe një tregues se sa e brishtë është industria e gazetarisë.
Vendimet afariste të sjelljes së një numri të madh video përmbajtjesh në kalendarët editorialë nënkuptonin shpenzime të mëdha për prodhimin dhe plasimin e përmbajtjes, por edhe për punësimin e një numri të madh video gazetarësh. Shpenzimet u shkurtuan me përjashtimet nga puna kur u pa se mediat nuk do të mund t'i përballojnë e as t'i arsyetojnë shpenzimet e prodhimit të përmbajtjeve të shtrenjta.

Përse të sillet edhe një format i ri i përmbajtjes

Video përmbajtja nuk kërkohet ekskluzivisht për shkak të lexuesve të cilët janë mësuar me këtë apo atë lloj të përmbajtjes. Videoja mund të përçojë porosinë të cilën s'mund ta përçojë asnjë format tjetër. Por, duhet pasur parasysh se nuk e meriton çdo porosi e çdo lajm të shpaloset në video format.
"Pjesë e problemit është se ekzistojnë video përmbajtje shumë të këqija" thotë Christopher Waddell, profesor i Shkollës së Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin Carleton në Otavë. "Vetëm ngaqë njerëzit lëvizin apo duket se lëvizin në fotografi nuk do të thotë se videoja ia vlen të shihet".
Nathalie Malinarich, redaktore e formateve mobile dhe atyre të reja në BBC News parashikonte se në video gazetari do të ketë kalim nga xhirimet e shkurta identike, të prodhuara në masë drejt video përmbajtjeve më të detajuara e më cilësore.
"Nëse në Facebook ndiqni numër të madh të mediave, gjasat janë se do ta shihni videon e njëjtë së paku 20 herë.  Dallimi do të jetë vetëm te ngjyrat, madhësia dhe fontet e teksteve në ekranin tuaj e që është e pakuptimtë meqë mediat nuk mund të shtyhen asisoji. Nëse vendosni të krijoni video përmbajtje – çka do t'i jepni, çka do t'i sillni publikut, si do të dalloheni?"
Video përmbajtjet cilësore në makinën e dytë më të madhe të kërkimit, Youtube, mund t'i ndihmojnë mediumit të tërheqë publik të ri. Disa storie dhe porosi për shkak të vlerave të tyre universale që mund të zgjasin më shumë se një ditë meritojnë video format i cili stories do t'i sjellë një dimension të ri dhe do t'ia zgjasë jetën.  
Nëse i qasemi strategjikisht sjelljes së videove në përmbajtjet e mediumit, përveç storieve të mira dhe publikut të ri, kjo mund të sjellë edhe fitime përmes reklamave që shkojnë me këtë lloj formati.  

Kur të përdorni video në gazetari

Siç thoshte Jeremy Copeland, profesor në Western Ontario University in London, videoja është forma më e fuqishme e rrëfimit dhe mënyra për t'u lidhur emocionalisht me njerëzit është vizualiteti, përmes shikimit (të njerëzve) dhe përjetimit të gëzimit, dhimbjes e hidhërimit të tyre".
Thamë më parë se nuk ka nevojë që çdo informatë të jetë në formën e videos. Me siguri e keni pyetur veten se si të vendosni për informatat që e meritojnë këtë, dhe në ç'rast arsyetohen shpenizmet për krijimin e video përmbajtjeve.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep teksti në Rrjetin Ndërkombëtar të Gazetarëve ku thuhet se videoja nevojitet:
Kur kemi storie të pasura me të dhëna dhe statistika të cilat duhen humanizuar. Shembulli i shkëlqyer i aplikimit të video përmbajtjes mu për këto tema është Data gazetaria në Balkanmedia.org ku në një seri videoklipesh shpjegohet qartë dhe thjeshtë se si të shfrytëzohen të dhënat në gazetari.
Storiet tekstuale për papunësinë, zhvendosjen, pasojat e pandemisë COVID-19 e kështu me radhë zakonisht janë të zorshme për t'u kuptuar nëse janë të shkruara vetëm në formë teksti. Videoja është mënyrë e shkëlqyer për të rritur peshën e stories dhe qartësinë e porosisë.
Kur ekzistojnë shumë të dhëna dhe ato duhen lidhur logjikisht. Disa çështje janë tejet të ndërlikuara, e kur mediat i tregojnë me tekste të dendura pa elemente vizuale ato bëhen edhe më të paqarta. Në këto raste videoja mund të përçojë informatat kryesore në formatin të cilin shumica e njerëzve e kupton.
Kur e gjeni personazhin e jashtëzakonshzëm me zë të fortë. Personazhet unike apo të jashtëzakonshme mund të humben në zërin e rrëfyesit, prandaj është më mirë që t'i lëmë ta tregojnë storien e tyre me fjalët e tyre.
Kur storia ka elemente zanore apo vizuale të cilat humbin nëse shpalosen me shkrim. Ky shembull vlen për një varg storiesh mbi katastrofat natyrore, protestat dhe shumëçka tjetër.  Shembuj të këtillë mund të jenë pjesë e shkëlqyer e storieve më të gjata për të cilat kemi shkruar në tekstin mbi gazetarinë e ngadaltë. Me muaj të tërë në mediat boshnjake kemi lexuar për aferat dhe keqpërdorimet e politikanit boshnjak Nedžad Branković e të cilat ndër të tjera ishin edhe në shënjestër të hulumtimeve të Qendrës për Gazetarinë Hulumtuese.  Kulmi i stories është videoja me (tanimë) deklaratën antologjike "banesa sipas ligjit".
Sikur gazetari ta kishte shkruar deklaratën pa videoklipin përcjellës, a mendoni se kjo deklaratë do ta kishte po këtë jehonë në publik?

Nëse e keni pyetur veten se sa e rëndësishme është videoja në gazetari dhe ç'vend zë aty teksti, shpjegimin më të mirë e ka dhënë Edward-Isaac Dovere për Huffington post: "Duket se njerëzit si lajm duan përmbajtjen e cila u ndihmon të kuptojnë se ç'po ndodh aktualisht dhe pse kjo është e rëndësishme. Këtë videoja nuk mund ta bëjë vetë. Kjo do të thotë se gazetaria e shkruar nuk është tejkaluar. Përkundrazi, sot është mbase më e rëndësishme se kurrë. Vetëm se ajo duhet t'i përshtatet hapësirës dhe kohës së re në peisazhin e ndryshueshëm medial".

 

Ocijenite kvalitet članka