Videoja interaktive në gazetari

27.03.2023. / 09:58
Autori
interactive video
interactive video

Edhe pse me zhvillimin e teknologjisë dhe teknikës roli i videos në gazetari ka ndryshuar, që në fillet e veta ajo njihet si vegël e fuqishme për t'u lidhur me publikun. Krahas funksionit të vet informativ, shpalosja e një storieje përmes videos mund të kontribojë në zgjimin e interesit të publikut për përmbajtjen, por edhe në ruajtjen e vëmendjes së tyre – gjë që është bërë një nga sfidat më të mëdha që transformimi digjital i ka sjellë gazetarisë siç e kemi njohur dikur.

Shumë më mirë e mbajmë mend përmbajtjen të cilën mund ta shohim. Për rëndësinë e përmbajtjes vizuale si dhe për video përmbajtjen në gazetari kemi shkruar edhe më parë. Është e qartë se video përmbajtja nuk do ta zëvendësojë kurrë plotësisht gazetarinë e shkruar. Po ashtu, është e qartë se ajo po bëhet gjithnjë e më shumë një nga mënyrat bazë për të arritur deri te publiku dhe për t'i angazhuar ata.

Por, as videoja nuk është imune ndaj trendit të “instant” lajmeve, nevojës dhe dëshirës së publikut për të marrë sa më shumë informata në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Mu për këtë, lindi nevoja për të gjetur mënyra për ta bërë video përmbajtjen më interesante dhe për të zëvendësuar shikimin pasiv me pjesëmarrjen dhe angazhimin aktiv të publikut.

Ç'është videoja interaktive?

Videoja interaktive është një nga mënyrat me të cilat mund të plotësohet nevoja e shikuesit për përfshirje aktive në zhvillimin e stories. Ajo që e veçon videon interaktive nga video përmbajtjet tjera është mundësia e shpalosjes së përmbajtjes komplekse në një mënyrë e cila do të jetë më interesante për shikuesit. Arsyeja kryesore për këtë qëndron në faktin se ata vetë mund të zgjedhin rrjedhën e zhvillimit të stories, këndin nga i cili duan të dëgjojnë storien, informatat shtesë që duan t'i dinë për pjesë të caktuara që janë pjesë përbërëse e stories, apo të lënë jashtë pjesë që ata nuk i konsiderojnë të nevojshme për të kënaqur nevojat e tyre për informata specifike. Përfshirja e publikut në këtë mënyrë e bën videon interaktive superiore karshi mënyrës së zakonshme të përdorimit të video materialit në raportim, pavarësisht temës apo llojit të gazetarisë në të cilin përdoret.

Siç sugjeron edhe emri i saj, videoja interaktive u mundëson shikuesve të ndërveprojnë me përmbajtjen. Interaktiviteti mund të nënkuptojë disa gjëra: një skedë të klikueshme që shfaqet pranë fundit të një videoje për më shumë informata (siç është videoja në YouTube), kuize ose sondazhe të personalizuara dhe storie të degëzuara. Çdo video që ofron mundësi për të bashkëvepruar me përdoruesin mund të konsiderohet interaktive.

Mënyra më e shpeshtë për ta kthyer video materialin standard në material interaktiv është shtimi i "pikave të nxehta" dhe degëzimi i stories. Pikat e nxehta (hotspots) janë zona të klikueshme që çojnë në më shumë informata, ndërsa degëzimi u mundëson shikuesve të zgjedhin drejtimin e rrëfimit. Veçoritë kryesore të këtij lloji të video përmbajtjes që e bëjnë atë interaktive janë zonat në video, pikat e nxehta, të cilat mund të klikohen për të siguruar qasje në më shumë informata. Ekzistojnë dy lloje të këtyre pikave, e ato janë:

  • Pikat e nxehta statike që shfaqen në mënyrë statike në ekran në një zonë fikse;
  • Pikat e nxehta ngjitëse (sticky hotspots) që shfaqen të ngjitura për një objekt në ekran. Kështu, këto lloj pikash të nxehta mund të shfaqen pranë një personi të caktuar në ekran dhe t'i "ngjiten" atij. Në këtë rast, nëse personi lëviz, pika qendrore do të mbetet e mbërthyer në afërsi të tij/saj. Pikat e nxehta ngjitëse sigurojnë angazhim më të madh të publikut sesa ato statike dhe rekomandohen të përdoren sa herë që është e mundur.

Këto pika të nxehta kanë disa funksione bazë:

  • Degëzimi (branching): Term që përdoret për të përshkruar kur një shikues mund të klikojë në një pikë të nxehtë për të kaluar në një skenë të zgjedhjes së tyre.
  • Sigurimi i informatave shtesë: Kur klikoni në një pikë të nxehtë, mund të shfaqet një mbivendosje që ofron informata shtesë.
  • Ridrejtimi në një URL të caktuar: pikat e nxehta përdoren për të ridrejtuar trafikun nga videoja juaj në faqen ku dëshironi të përfundojnë shikuesit.

Aplikimi i videos interaktive në gazetari

Mundësitë e aplikimit të këtij lloji të videove në gazetari janë pothuajse të pakufizuara. Video intervista e gjatë mund të bëhet shumë më interesante për shikuesit nëse atyre u mundësoni të "lëvizin" nëpër të sipas nevojave dhe interesave të tyre. Pyetjet tuaja mund të bëhen tituj të pikave të nxehta që do t'i fusni në video material. Duke shtuar shtresa që ofrojnë informata mbi personin të cilin po e intervistoni (biografia, jeta personale, sukseset në biznes, etj.), përdoruesve u ofroni mundësinë të zgjedhin se në cilën "dritare" dëshirojnë ta shohin storien. Po ashtu, videoja interaktive mund të jetë zgjidhje e shkëlqyer për shpalosjen e storieve hulumtuese të cilat zakonisht përfshijnë një sasi të madhe të dhënash dhe informatash që duhet t'u shpalosen përdoruesve. Rrjedha e hulumtimit, rezultatet kryesore, analizat dhe të dhënat e nxjerra nga hulumtimi mund të bëhen pikat kryesore të videos suaj të ardhshme interaktive.

Duke aplikuar një qasje të rrëfimit shumështresor, prodhuesit e videove kanë kombinuar fakte, video dhe burime shtesë të informatave në një paketë, duke zgjeruar shtrirjen e videos stories së zakonshme. Që në vitin 2013, The Wall Street Journal ka publikuar një video interaktive të quajtur "Prescribed", e cila shpjegon sistemin e kujdesit shëndetësor në SHBA, të njohur si Obamacare. E treguar nga perspektiva personale e personit i cili xhiron me një kamerë të montuar në kokë, videoja u mundëson përdoruesve të eksplorojnë aspekte të ndryshme të stories, si grafika, artikuj dhe video të lidhura. Një nga autorët e videos, Neal Mann, ish-redaktor i inovacionit multimedial në The Wall Street Journal dhe shefi aktual i transformimit në Anomaly, tha për journalism.co.uk: "Interaktiviteti shton një shtresë tjetër dhe është vërtet shumë interesant sepse në lajme, sidomos në video lajme, ne zakonisht përmbledhim çështje shumë komplekse në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ajo që na e mundëson interaktiviteti është ta zgjerojmë atë dhe t'u mundësojmë shikuesve të zgjerohen në zonat ku mund të kenë nevojë për disa detaje shtesë të sfondit".

Si të përdorim video interaktive në gazetari

Kur punoni me një storie, pavarësisht temës, mediumit në të cilin do të shpaloset ajo, gjatësisë, llojit dhe veçorive të tjera, përpara se të filloni punën në të duhet të keni qëllim të qartë se çka doni të arrini me atë storie. Prandaj, jini sa më precizë dhe krijoni një ide të qartë të asaj që dëshironi t'i paraqitni publikut. Hapi i radhës është të krijoni një hartë të opsioneve interaktive që dëshironi t'i përfshini në videon tuaj. Bëjini vetes këto pyetje:

  • Çfarë storie do të tregojë videoja?
  • Sa momente interaktive dëshironi të përfshini?
  • Nëse përdorni degëzimin, si do të ndryshojë narrativa e stories varësisht nga ajo që ju zgjidhni?

Krijimi i hartës është i domosdoshëm nëse planifikoni të përdorni degëzimin në videon tuaj. Çdo opsion, çdo skenar dhe drejtim i mundur i stories në të cilin shikuesit do të mund të lëvizin brenda videos kërkon analizë të kujdesshme dhe krijimin e një dege.

Hapat e tjerë që janë pothuajse të njëjtë edhe me krijimin e videos së zakonshme, nënkuptojnë shkrimin e skenarit, krijimin i storyboardit, xhirimin e videos, dhe në fund përpunimin e videos dhe shtimin e elementeve interaktive dhe testimin e opsioneve.

Cilën platformë online të zgjedhim

Aktualisht ekziston një numër i madh softuerësh të cilët mundësojnë krijimin e përmbajtjeve interaktive. Ndër më të njohurit është Vimeo i cili përdoruesve u ofron mundësinë e krijimit të pikave të prekshme interaktive në formë pikash të nxehta ngjitëse dhe shtresash informative, si dhe degëzimin e stories që shikuesve t'u mundësoni të zgjedhin rrugëtimin e vet nëpër videon tuaj.

Përveç kësaj, Verse është platformë multimediale e cila mundëson krijimin e video përmbajtjeve mbresëlënëse të cilat mund të publikohen në cilëndo platformë pa kodim. Disa nga video materialet më të njohura interaktive që kanë lindur në bashkëpunim me Verse mund t'i shihni këtu. Shembujt e cekur, përveç përmbajtjes tejet interesante, tregojnë edhe se sa i gjerë është spektri i fushave në të cilat mund të përdoret videoja interaktive.

Po ashtu, ekzistojnë edhe platforma të tjera online si Kultura, Cinema8, dhe Eko që ofron shpjegime të hollësishme se si të krijoni video interaktive duke përdorur mundësitë që i ofron kjo platformë.

Vendimi se cilën platformë do ta zgjidhni gjithsesi varet nga nevojat tuaja, dhe lloji i stories në të cilën punoni. Pavarësisht vendimit që do ta merrni, kujdesuni që storia juaj të mbulojë sa më shumë pika nga të cilat do të rrjedhë ajo dhe të cilat do të mund ta orientojnë rrjedhën e saj të mëtejme. 

Vlerësoni cilësinë e artikullit