

Një prej detyrave themelore të çdo gazetari edhe sot e kësaj dite lidhet me marrjen e deklaratave të bashkëbiseduesve rreth një teme të caktuar. Përderisa është mirë të keni shkathtësi të stenografisë për të shkruar shpejt atë që na thonë bashkëbiseduesit, qoftë nëse bëhet fjalë për konferencë për shtyp, intervistë a deklaratë për një storie, që nga shfaqja e diktafonëve kjo shkathtësi po bëhet gjithnjë e më pak e nevojshme. Megjithatë, ende na nxjerr punë transkriptimi i përmbajtjes. Edhe pse përhapja e mediave të reja i ka dhënë peshë përmbajtjes audiovizuale, ne përsëri mbështetemi në tekstin e shkruar në gazetari dhe nganjëherë kërkohet ta transkriptojmë materialin e incizuar apo të xhiruar. Edhe kur përgatisim ndonjë video për shkak të qasjes së përmbajtjes është me rëndësi të mund të krijojmë titra për t'u mundësuar personave me probleme të dëgjimit ta përcjellin bisedën. Në shpalosjen e kaluar të Voice Record Pro e madje edhe të aplikacionit Headliner jemi përpjekur t'i japim rëndësi këtij funksionaliteti, por fatkeqësisht shumica e këtyre programeve më mirë përshtatet për transkriptim në anglisht, frëngjisht e në gjuhë të tjera më të mëdha, e shumë rrallë në shqip, boshnjakisht, malazezisht, kroatisht, maqedonisht e serbisht. Në ndihmë gazetarëve të cilët shkruajnë, incizojnë e raportojnë në këto gjuhë u vjen Vocalmatic – aplikacioni i cili me sukses transkripton së paku në disa prej gjuhëve të lartcekura. Fatkeqësisht, ky aplikacion ende nuk ofron mbështetje zyrtare për shqip dhe maqedonisht, por shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti. Gjuhët rajonale të cilat ofrohen janë: kroatisht, serbisht dhe sllovenisht. Dy gjuhët e para mjaftojnë për ta mbuluar pjesën e madhe të nevojave të gazetarëve në vendet e rajonit, andaj kemi vendosur t'ju shpalosim mundësitë e këtij aplikacioni të bazuar në internet.
Çka ofron Vocalmatic
Kjo është një vegël e thjeshtë onlinë që u mundëson podcast-erëve dhe gazetarëve t'i transkriptojnë audiot dhe videot e tyre. Vocalmatic u mundëson përdoruesve që videot dhe audiot e tyre t'i shndërrojnë në tekst me disa hapa të thjeshtë.
Para së gjithash nevojitet të keni fajlin në MP3, WAV, MP4, WEBM apo MOV të cilin mund ta ngarkoni në këtë platformë, e pasi ta zgjedhni gjuhën e fajlit mund të zgjedhni nëse dëshironi që transkriptimi të jetë në fajlin e thjeshtë tekstual apo të jetë i transkriptuar për titra në formatin SRT. Më pas, vetëm duhet të klikoni submit dhe të prisni derisa të ju vijë mesazhi me email për të parë se sa i sukseshëm ka qenë fajli.
Rezultatet e testimit
Ajo që kemi vërejtur në tekstet tona është se Vocalmatic bën transkriptim më të mirë kur nuk ka zhurmë përreth, por edhe me zhurmën përreth pjesa e madhe e tekstit transkriptohet mirë dhe me disa ndryshime fajli shumë shpejt mund të jetë i gatshëm si titra apo për të kopjuar pjesë të caktuara në tekstin tuaj të ri derisa redaktorët të fillojnë të pyesin përse po vonoheni.
Vocalmatic nuk është plotësisht falas, por për fillim ju ofrohen 30 minuta falas për të parë nëse ky aplikacion ju ofron atë që po kërkoni tash e një kohë. Opsionet e transkriptimit të mëtejmë ofrohen me blerjen e orëve shtesë, me 15 dollarë për orë, apo me blerjen e numrit të pakufizuar orësh për 65 dollarë në muaj. Për gazetarët e pavarur opsioni me orë mbase është më përshtatshëm derisa redaksive të mëdha më shumë u përshtatet opsioni mujor. Një mangësi e këtij aplikacioni apo SaaS është se nuk ka identifikim automatik të bashkëbiseduesit, por ky është detaj i vogël.
Provojeni aplikacionin Vocalmatic dhe na tregoni përvojat tuaja. Mos keni gjetur ndoshta vegël më të mirë? Deri atëherë, ne do të testojmë edhe vegla të tjera që ju mundësojnë transkriptimin automatik të audiove dhe videove tuaja.