Wave.video: Përpunuesi, hostingu dhe live streamingu për video

20.09.2022. / 12:58
Autor/ica
Share
video
video

Sot për çdo gazetar/e është shumë me rëndësi të jetë në hap me kohën dhe me zhvillimin e teknologjisë. Prodhimi i përmbajtjes digjitale, kryesisht të formatit video, sot është një nga mënyrat më efikase për promovimin e produktit apo për tërheqjen e publikut. Andaj, secila vegël që mund t'i kontribojë krijimit më të lehtë, më profesional por edhe më të shpejtë të video përmbajtjes është shumë me rëndësi për gazetarin/en.

Veglat e tilla gazetarëve u ofrojnë mundësi kreative për shpalosjen e përmbajtjes mediale, kursejnë kohën e kaluar për montazh dhe hapin një varg mundësish për shpalosjen e përmbajtjes në platforma të ndryshme.

Në periudhën e shkuar kemi shkruar për dhjetëra vegla për përpunimin dhe montazhin e videove, dhe të gjitha këto mund të jenë të dobishme për gazetarët, varësisht nga nevojat e tyre.

Sot po ju paraqesim edhe një aplikacion të tillë i cili sigurisht mund të jetë shumë i dobishëm për gazetarët.

Wave.video softueri për krijimin e videove

Wave.video është softuer për hosting dhe përpunim të videove në cloud i cili ofron vegla për krijimin, përpunimin dhe shpërndarjen e videove përmes platformave të rrjeteve sociale, emailit dhe mënyrave të tjera. Ky softuer u mundëson organizatave të ngjisin klipe të ndryshme, të shtojnë tekst apo vula, të krijojnë gifë apo etiketa të animuara dhe të presin video përmes funksionit të tërheqjes dhe lëshimit. Vegla mbështet edhe mundësinë e transformimit të teksteve në video dhe dizajnimin e përmbajtjes promocionale për postimet në Instagram, Stories, Facebook, dhe shumë më shumë. Gjithashtu u mundëson përdoruesve të incizojnë mesazhet zanore dhe të shtojnë nëntituj, tituj ose incizime zanore në video.

Wave.video mundëson integrimin e platformave me aplikacione të ndryshme të palëve të treta, si Google Drive, HubSpot, YouTube, Facebook, Dropbox, Twitter. Softueri gjithashtu u ndihmon përdoruesve të instalojnë video në faqet e internetit ose postimet në blogë dhe u siguron një kalendar të përmbajtjes sociale për të rekomanduar ide për postime të reja.

Wave.video ofron një varg të gjerë të videove të gatshme për përdorim me stile të ndryshme për nevoja të ndryshme dhe mund të jetë frymëzim i madh për t'iu përshtatur nevojave tuaja. Shabllonët e gatshëm mund t'i përdorni ashtu siç janë apo t'i ndryshoni dhe t'i përshtatni me kërkesat tuaja.

Nëse përpunoni video për faqen tuaj të internetit dhe nuk doni që YouTube të ndërpresë videon tuaj me reklama, këtë mund ta shmangni duke i ruajtur videot në video hosting në cloud. Me Wave.video hosting, ju do t'i keni të gjitha videot tuaja në një vend dhe t'i integroni ato për faqen tuaj përmes kodeve. Kështu, videot tuaja do t'i përshtaten automatikisht çfarëdo ekrani dhe kjo nuk do të ndikojë në shpejtësinë e hapjes së lokacionit në internet.

Po ashtu, mund ta përshtatni video playerin që t'i përshtatet përsosmërisht stilit dhe qëllimeve tuaja. Mund ta ngjyrosni përmes paletës së brendit tuaj dhe t'i ndryshoni kontrollorët për t'u siguruar që shikuesit tuaj të kenë përjetimin më të mirë të shikimit.

Përparësia e posedimit të një përpunuesi dhe hostingu në një vend ju mundëson të përmirësoni videot e integruara sa herë që ju nevojitet një gjë e tillë.

Fillimi i punës me këtë softuer

Me disa hapa mund të krijoni llogarinë tuaj në softuerin Wave.video. Këtë mund ta bëni përmes emailit apo profilit të Facebookut. Nëse tashmë jeni brenda mailit apo Facebookut, me një klik në njërën prej këtyre dy mundësive do të krijoni profilin tuaj dhe do të hyni në ekranin fillestar.

Aty do t'ju ofrohet mundësia të krijoni video nga e para apo të merrni ndonjë nga shabllonët ekzistues, apo të klikoni për të krijuar video live.

Ne kemi klikuar për të krijuar video nga e para dhe ky është ekrani i parë që shfaqet para jush.

wave

Edhe kur klikoni për të krijuar video boshe, siç mund të shihni në anën e majtë, ju mund të zgjidhni Templates dhe të shtoni ndonjërin prej shabllonëve ekzistues.

Po ashtu, mund të shtoni më shumë se një video dhe të punoni me to. Sikurse te shumica e veglave për video, edhe këtu mund të shtoni një varg efektesh, fonte të ndryshme, të ndryshoni sfondin, të shtoni kalime të ndryshme nga videoja në video, t'i prisni në vende të caktuara që ju përshtaten.

avw

Pasi të finalizoni gjithçka, klikoni në Publish për të publikuar videon tuaj.

Në versionin falas mund ta ruani videon në cilësinë 720p, apo ta publikoni drejtpërdrejt në YouTube, Facebook, Instagram, Twitter, Vimeo dhe rrjete të tjera.

Sigurisht, në versionin falas do të keni vulën wave.video, të cilën në versionet me pagesë do të mund ta zëvendësoni me vulën tuaj.

Se si duket shembulli i një videoje, shikoni në vijim.

Çmimi

Wave.video ofron abonim mujor dhe vjetor që ju mundëson të kurseni deri në 20%.

Nëse dëshironi të eksploroni opsionet e platformës Wave.video, mund të filloni me versionin falas. Ky version ju mundëson përpunimin e videove nga 15 sekonda dhe kontrollimin e të gjitha opsioneve për përpunim. Mund të bartni deri në 5 video në Wave.video dhe t'i integroni në faqen tuaj për të eksploruar opsionet e hostingut.

Ajo që ofron versioni falas është:

  • Kufizimi i përpunimit deri në 15 sekonda

  • Shpërndarjet e pakufizuara origjinale në rrjetet sociale

  • Player marke Wave.video

  • Qasja deri në 2 milionë klipe dhe video falas

  • 1 brend të paravendosur

  • 5 integrime të videove falas

  • Titrimi i kufizuar automatik (5 minuta në muaj)

Me planin Creator do të mund të krijoni video 15-minutëshe dhe t'i shkarkoni në kompjuterët tuaj. Do të keni mundësinë të integroni deri në 20 video në faqen tuaj dhe të bëni që video playeri të duket si i juaji. Është i shkëlqyer për mediat e vogla dhe të mesme sepse ju ndihmon të prodhoni numër të pakufizuar video reklamash, video për rrjetet sociale, video shpjegime apo video të tjera që lidhen me tema të ndryshme.

Këto janë mundësitë e planit Creator:

  • Kufizimi i përpunimit deri në 15 minuta

  • Shpërndarjet e pakufizuara origjinale në rrjetet sociale

  • Titrimi automatik

  • Video playeri i adaptueshëm

  • Shkarkimi në formatin mp4

  • 5 milionë klipe dhe fotografi falas

  • Shablloni vizual i brendit tuaj (logo apo ndonjë simbol tjetër) me 20 integrime në video

Plani Creator kushton 24 dollarë në muaj.

Plani i tretë që ofron Wave.video është Plani Business.

Me të do të mund të prodhoni numër të pakufizuar videosh të shkurtra dhe të gjata. Do të keni qasje në mbi 100 milionë klipe dhe fotografi falas dhe do të mund të shtoni fonte të përshtatura. Po ashtu, me planin e biznesit, mund të shtoni automatikisht titra në videot tuaja dhe t'i dizajnoni ato me stile të ndryshme.

Këto janë opsionet që ofron ky plan:

  • Kufizimi i përpunimit deri në 30 minuta

  • 100 milionë klipe dhe fotografi falas

  • 50 brende të paravendosura

  • Titrimi i pakufizuar automatik

  • Leximi i fonteve vetanake

  • Shpërndarjet e pakufizuara origjinale në rrjetet sociale

  • Shkarkimi në mp4

  • Pasqyra Whitelabel

  • 200 integrime të videove falas

  • Video playeri i adaptueshëm

  • Video të mbyllura me kod

Plani Business kushton 48 dollarë në muaj.

Titrimi automatik është në dispozicion në të gjitha planet, duke përfshirë edhe atë falas, por titrat janë të kufizuara në gjatësi, dhe në planin falas do të mund të shfrytëzoni 5 minuta falas për të krijuar titra automatike. Vlen të theksohet se ende nuk ekziston mundësia e titrimit automatik në boshnjakisht, maqedonisht apo shqip. Por, ju mund të shtoni dokumentin tuaj në formatin .srt me titra të gatshme për videon tuaj. Po ashtu, ekziston mundësia që videon e cila është në anglisht, spanjisht, frengjisht, italisht, rusisht, turqisht e kështu me radhë ta përktheni në BHS, shqip dhe maqedonisht. Përkthimi është mjaft i mirë, mbase do t'ju duhet të shtoni e të përmirësoni disa fjalë – por përgjithësisht është opsion mjaft funksional.

Softueri Wave.video aktualisht nuk ekziston për versionin mobil, gjë që me siguri mund të jetë kufizuese për disa gazetarë të cilët janë mësuar t'u qasen videove të tyre me çfarëdo pajisje.

Provoni të eksploroni paketën falas dhe shihni nëse kjo është vegla e cila do t'u përshtatet nevojave tuaja, dhe në bazë të këtyre nevojave mund të vendosni nëse ju mjafton versioni falas apo do të paguanit për ndonjë paketë më të mirë.

Ocijenite kvalitet članka