Forumi vjetor medial USAID BMAP Forward: Të shikosh përpara në kohën e shkëputjeve

17.05.2023. / 09:55

SARAJEVË, 10-11 maj, 2023 – Më shumë se 100 profesionistë të mediave nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u mblodhën në forumin vjetor të USAID-it BMAP Forward 2023 në Sarajevë. Ngjarja dyditore shtjelloi tema të rëndësishme që prekin mediat e pavarura në rajon, duke përfshirë kërcënimet ndaj fjalës së lirë, trendet e reja në media dhe tregjet e reklamave në rajon, modelet e reja të biznesit dhe evolucionin e botueshmërisë së drejtuar nga publiku. Folësit ishin ekspertë ligjorë nga rajoni dhe përfaqësues të projektit të USAID-it Media Viability Accelerator dhe Reporters Shield, SmartOcto, International Press Institute, I&F Group, FilmAid dhe donatorë e investitorë ndërkombëtarë, duke përfshirë Media Development Investment Fund (MDIF), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GiZ), European Endowment for Democracy dhe National Endowment for Democracy

Konferencën e hapi ambasadori amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë Michael J. Murphy. Në fjalën e tij të hapjes, ambasadori amerikan në BeH tha: "Jemi krenarë që mbështesim Programin e Asistencës së Medias në Ballkan (BMAP) – e që është arsyeja pse jemi të gjithë këtu sot – me çka forcohet rrjeti i mediave të pavarura në rajon. Ky program u ndihmon mediave të përmirësojnë modelet e tyre të biznesit dhe të profesionalizojnë punën e tyre, për shembull duke u ndihmuar mediave të shkruara të kalojnë në platforma online dhe të kenë qasje në teknologjinë më të fundit të mediave. Mbështetja jonë u ndihmon të arrijnë qëndrueshmëri financiare që të mund të mbeten të pavarura, të rrisin publikun e tyre dhe të mbajnë ritmin me mjedisin medial në ndryshim e sipër. Po ashtu, siguron hapësirë për bashkëpunim, duke përfshirë këtë forum, duke u mundësuar mediave nga mbarë rajoni të punojnë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme që shtrihen përpara".

Duke përsëritur mbështetjen e SHBA-së për lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe media të pavarura, ambasadori amerikan shprehu gjithashtu shqetësim rreth mbylljes së hapësirës për gazetari të pavarur në Bosnjë dhe Herzegovinë dhe në tërë rajonin, duke thënë: "Do të ishte e kuptueshme të hiqni dorë, të vendosni se rreziqet që kërkohet të ndërmerrni nuk ia vlejnë. E megjithatë, puna juaj nuk mund të jetë më e rëndësishme apo më kuptimplotë për të ardhmen e BeH dhe të këtij rajoni se që është sot".
 
Pjesëmarrësit e konferencës raportuan se kërcënimet ndaj fjalës së lirë janë trend shqetësues, jo vetëm për shkak se ato po rriten, por edhe për shkak të rolit kritik që mediat e lira kanë në shoqëritë e rrezikuara. Ata gjithashtu ranë dakord se modelet e reja të monetizimit, qëndrueshmëria e mediave të pavarura, barazia dhe përfshirja gjinore, mbrojtja e gazetarëve dhe solidariteti mes gazetarëve dhe bashkëpunimi i donatorëve janë tema të rëndësishme që duhet të mbeten në fokusin e komunitetit të mediave në rajon.

Si pjesë e Media Forumit të sivjetëm, pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën Glass Room Misinformation Edition të krijuar nga Tactical Tech, një intervenim publik që synon çmitizimin e teknologjisë përmes ekspozitave mbresëlënëse që provokojnë të menduarit dhe nxisin të mësuarit.
 

Ocjenite kvalitet članka