Liria e shprehjes në rrezik në rajonin e Ballkanit Perëndimor

31.08.2023. / 10:01

Të shtunën, më 26.8.2023, hynë në fuqi ndryshimet e Kodit Penal të Republikës Srpska me të cilat në këtë entitet boshnjak kriminalizohet shpifja.

Forumin e sivjetëm medial USAID BMAP Forward i cili u mbajt në Sarajevë nga 10 deri më 11 maj, më shumë se 100 profesionistë të mediave nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia morën pjesë në diskutime dhe prezantime me qëllim që të mendojnë për të ardhmen në një kohë disrupsioni.

Një nga disrupsionet më të mëdha që po ndodh sot në rajonin e Ballkanit Perëndimor është cënimi i lirisë së shprehjes. Kjo është edhe arsyeja pse paneli i parë i Forumit iu kushtua kërcënimit të lirisë së shprehjes në rajon. Në panel morën pjesë ekspertët/et nga rajoni:

  • Vesna Alaburic, avokate dhe eksperte e së drejtës së mediave nga zyra e avokatisë Alaburic në Zagreb,
  • Slobodan Kremenjak, avokat, ekspert i së drejtës së mediave nga zyra e avokatisë Samardzic i Zivkovic, Beograd, 
  • Frane Maroevic, kryetar i International Press Institute nga Vjena, dhe
  •  Jovana Kisin Zagajac, avokate dhe eksperte e së drejtës së mediave nga zyra e avokatisë Jovana Kisin Zagajac, Banja Luka.

Pasojat e pritshme për mediat në Republikën Srpska

Jovana Kisin Zagajac mu në fillim shpjegoi pasojat që mund të priten për gazetarët, mediat dhe të gjithë qytetarët në Republikën Srpska, por jo vetëm në këtë entitet por edhe më gjerë, siç tashmë e ka shpjeguar në një diskutim me ne Vesna Alaburic, e cila ka realizuar edhe një analizë të pavarur të propozimeve të këtyre ndryshimeve për programin BMAP Forward. 

"Vetë paralajmërimi i dënimeve të këtilla u ka krijuar ndjenjë të pakëndshme të gjithë atyre që ushtrojnë profesionin e gazetarisë. Kriminalizimi i shpifjes dhe kriminalizimi i fyerjes si vepër penale. Përveç problemit që ato po kriminalizohen, ato gjithashtu janë të vendosura dhe të përkufizuara shumë keq, gjegjësisht nuk janë të përkufizuara fare".

Kisin Zagajac ka shtuar se dënimet me burg nuk janë deklarativisht të përcaktuara në Kod. "Por, dënimet (monetare) janë aq të larta, e kush e njeh kodin tonë të procedurës penale, e di se kush nuk mund ta paguajë gjobën shkon në burg".

Në fund, Kisin Zagajac ka shpjeguar se çka mbetet pasi të miratohet ligji. 

E drejta e kujt është më e fortë?

E atij që e ka të drejtën të shprehet lirshëm apo e atij që e ka të drejtën ta mbrojë reputacionin dhe nderin?

Vesna Alaburic i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke shpjeguar shkurtimisht gjenezën e ndryshimeve në vendimmarrje të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me lirinë e shprehjes në 20 vitet e fundit. Ajo e ka përshkruar momentin e atij ndryshimi kur Neni 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) dhe Neni 10 (Liria e shprehjes) i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut fillojnë që "në shkallën hierarkike të të drejtave të njeriut të gjenden në të njëjtin nivel". Por, ajo ka shtuar se ky ndryshim nuk është kriteri më i rëndësishëm, dhe tutje ka shpjeguar se cili është "kriteri i tretë dhe absolutisht më i çmuar" i cili duhet të merret parasysh edhe kur liria e shprehjes duhet të jetë prioritare.

Rreziku nga masat represive në Serbi

Gjendja e lirisë së mediave dhe kontrollit të mediave në rajon është më e keqe në Serbi e cila është e pozicionuar në vendin 91 të Indeksit Botëror të Lirisë së Mediave, sidomos në kontekstin e situatës në të cilën gjenden mediat e pavarura. 

Për shkak të ngjarjes tragjike e cila ndodhi në Serbi në fillim të majit, Slobodan Kremenjak në fillim shpjegoi se si disa media kanë vepruar në mënyrë joetike duke ngarendur pas klikimeve, dhe se një situatë e tillë sigurisht se do të sjellë edhe më shumë masa represive.

"Të gjithë ne, për fat të keq, i kemi përcjellë mediat në ato dy ditë, dhe ka qenë e tmerrshme. Mungesa e dhembshurisë, gjahu i llojit më të keq për klikime në momentin kur kjo absolutisht nuk e kishte vendin. Unë mendoj se nuk ka standard profesional i cili nuk është shkelur gjatë atyre ditëve. Edhe nga ato redaksi prej të cilave presim një gjë të tillë, dhe me çka tashmë jemi mësuar, por fatkeqësisht edhe nga disa të tjera. Kjo duhet të prodhojë ndonjë reagim. Rregulla bazë është – o rregulloje vetë kopshtin dhe profesionin tënd, o do të vijë dikush nga jashtë të ta rregullojë. Dhe këtë do ta bëjë pa shumë mirëkuptim për problemet dhe interesat e njëmendtë të profesionit. Se a do të ndodhë kjo shpejt dhe cilat do të jenë përmasat – kjo mbetet të shihet".

Pyetjes se pse ligji i mediave në Serbi, i cili konsiderohet si një nga ligjet më të mira, nuk po zbatohet, Kremenjak iu përgjigj:

"Ekziston ligji, por ai nuk ka shumë peshë".

Kremenjak thotë se arsyet për zbatimin apo mungesën e zbatimit të ligjeve të caktuara, sado të mira apo të këqija, në pjesë të madhe varen nga vullneti politik.

Tutje, me këtë pyetje ai u ndërlidh me ndryshimet e Kodit Penal në Republikën Srpska sivjet dhe me atë se cili është problemi kryesor i tyre.

Në videon në vazhdim mund të shihni se cilat janë rreziqet për lirinë e shprehjes në rajon si dhe përgjigjet e pyetjeve që i ka parashtruar publiku. 

 

Vlerësoni cilësinë e artikullit