Heroina jonë Marijana Bojaniq ka shkruar tekstin për këngën e parë kundër luftës që u kushtohet fëmijëve të Ukrainës

23.03.2022. / 08:49
Share
marijana bojanic nase heroine
Marijana Bojanić, Ilustracija Lejla Ahmedspahić
marijana bojanic nase heroine

Heroina jonë Marijana Bojaniq, drejtoreshë ekzekutive e televizionit Daily press në kuadër të të cilit vepron edhe e përditshmja Vijesti dhe portali Vijesti, e shtyrë nga lufta në Ukrainë ka shkruar këngën e parë kundër luftës që u kushtohet fëmijëve të Ukrainës. Kënga tashmë ka shënuar sukses të madh në mbarë rajonin, e siç tregon Marijana ajo tashmë është përkthyer në dhjetë gjuhë.

Me rastin e publikimit të kësaj kënge, kemi dashur të bisedojmë me të për motivimin që ajo si gazetare të shkruajë një tekst të këtillë.

“Vijesti” është medium malazez i cili sigurisht spikatet edhe përtej kufijve nacionalë me qasjen e vet dhe aksionet humanitare që organizon për nevoja të ndryshme. Kështu edhe për luftën në Ukrainë, ata kanë organizuar një mbrëmje donatorësh për të grumbulluar të holla për fëmijët e Ukrainës. Krejt këto ishin arsye për të biseduar me të, si dhe për të na treguar mendimin e saj se si mediat do të duhej të raportonin për luftën dhe sa ka ndryshuar sot qasja e raportimit medial, gjegjësisht a është e mundur edhe sot të mbetesh neutral.

Balkansmedia: Ju keni shkruar tekstin për këngën e parë kundër luftës që u kushtohet fëmijëve të Ukrainës. A mund të në tregoni pak më shumë rreth procesit kreativ dhe motivimit tuaj për të shkruar këtë tekst?

Marijana Bojaniq: Imazhet e luftës, fëmijëve që mbesin pa më të afërmit e tyre, shtëpitë e rrënuara, kolonat e refugjatëve, vdekjet dhe pasiguria në mua kanë zgjuar trishtim të thellë, por edhe dëshirën për të bërë diçka, bile pak, që do ta kuptonin të gjithë njerëzit dashamirë dhe të ndërmarrin ndonjë veprim.

Imazhet e tmerrit më janë kthyer dhe m'i kanë zgjuar kujtimet e asaj që ne në hapësirat e ish-Jugosllavisë kemi përjetuar në vitet e nëntëdhjeta kur edhe fëmijëria ime e qetë dhe përrallore u ndërpre me llahtarinë e luftës.

Nga ana tjetër, në vetë rrënjën e lindjes së mediave në të cilat unë punoj është aktivizmi kundër luftës – që nga Monitori, gazeta, televizioni, portali Vijesti dhe Qendra për Gazetarinë Hulumtuese – themeluesit gjithmonë kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive dhe agresionit të të fortëve. Krejt kjo ka bërë që këngën ta shkruaj pothuajse me një frymë, derisa me kolegët dhe kolegët po përgatisja aksionin e ndihmave për fëmijët e Ukrainës. Këngën menjëherë e kompozoi Danijel Alibabiq, aranzhimin e bëri Dejan Bozhoviq, fëmijët Milica Radan dhe Komnen Vukoviq me shumë emocione e kënduan atë bashkë me krejt korin D mol. Vetëm disa ditë më vonë xhiruam edhe klipin i cili tashmë po "sillet" në vendet e rajonit, ndërsa vullnetarët të cilët duan që ky apel për paqe të dëgjohet sa më larg deri më tani e kanë përkthyer atë në më shumë se dhjetë gjuhë.

Balkansmedia: Javën që shkoi, "Vijesti" organizuan një mbrëmje donatorësh dhe grumbulluan 10.000 euro ndihmë për Ukrainën.  Sa është e rëndësishme që mediat të përfshihen në situata të këtilla dhe të ngjashme?

Mediat, sipas natyrës së vet, janë organizata me përgjegjësi shoqërore të cilat me raportim profesional e etik i kontribojnë zhvillimit demokratik dhe mundësive të barabarta për të gjithë, propagojnë paqe dhe luftojnë kundër dezinformatave. Kështu bëjnë mediat profesionale. Por, Vijesti shkojnë një hap tutje dhe organizojmë ndihma saherë që kjo është e mundur dhe i ftojmë edhe të tjerët të na bashkohen. Kur ndodhi tërmeti në Kroacinë fqinje, grumbullonim ndihma për fëmijët dhe i dërgonim në Petrinje, dhuruam të gjitha të ardhurat nga tirazhi i vitit të ri të publikimeve Vijesti si ndihmë për të goditurit nga tërmeti. Qytetaret dhe qytetarët e Malit të Zi u përgjigjën masivisht dhe redaksia jonë u vërshua nga paketa ndihme për fëmijët, kompanitë dërgonin para, lexuesit blinin edhe nga dhjetë kopje të Vijesti vetëm për t'u ndihmuar sa më shumë të pafatëve. Zëri i mediave profesionale dëgjohet më shumë dhe më larg, ndërsa besimi që njerëzit kanë te ne ka rezultuar me një aksion të madh, njerëzor, të ngrohtë për fqinjët tanë.

Meqë Ukraina është larg dhe nuk është e thjeshtë të organizohen ndihma me artikuj ushqimorë, kemi vendosur të organizojmë një mbrëmje donatorësh ku u ftuan përfaqësues diplomatikë, afaristë, politikanë e figura publike. Deshëm që ajo mbrëmje t'i kushtohej tërësisht Ukrainës dhe gjetëm edhe bashkëqytetarë të mrekullueshëm me origjinë nga Ukraina të cilët për atë natë përgatitën specialitete ukrainase. Atë mbrëmje u mblodhën 10.000 euro ndihma dhe vërtet jemi shumë krenarë me rezultatin dhe jehonën e aksionit, si dhe me krejt njerëzit e mirë që iu përgjigjën thirrjes.

Balkansmedia: Kujt i keni kushtuar këto mjete të ndihmës, popullatës së Ukrainës në përgjithësi apo organizatave mediale në veçanti.

Ndihma u kushtohet fëmijëve të Ukrainës dhe mjetet e grumbulluara i kemi transferuar në xhirollogarinë e ambasadës së Ukrainës në Mal të Zi me dëshirën që ata, të cilët më mirë i dijnë nevojat e bashkëqytetarëve të tyre, t'i shpërndajnë ato.

Balkansmedia:  A planifikoni të organizoni edhe ndonjë ngjarje tjetër dhe a ka lëvizje të tjera për t'i ndihmuar Ukrainës të cilat do të mund t'i ndanim me vizitorët e portalit Balkansmedia.org?

Me shpresën që lufta të ndalet shpejt, dhe vuajtjeve t'u vijë fundi – do të përpiqemi të organizojmë edhe aksione të tjera të ndihmës varësisht nga zhvillimet e mëtejme, mundësitë dhe nevojat. Aktualisht, për shkak të interesimit të njerëzve dashamirë, kemi bërë publik vazhdimin e aksionit të grumbullimit të mjeteve.

Balkansmedia: A keni ndonjë këshillë për mediat në rajon që ka të bëjë me raportimin për luftën në Ukrainë, por edhe me mënyrat se si ato mund të ndihmojnë dhe të ofrojnë mbështetje?

Para së gjithash, raportimi me kohë, me saktësi dhe me vërtetësi për të gjitha ngjarjet që lidhen me luftën në Ukrainë dhe krizën e refugjatëve. Kjo është kohë kur çdo qytetar i planetit që ka internet mund të bëhet "lajm". Neve na takon që çdo lajm ta vërtetojmë tri herë para se ta publikojmë. Kjo nuk është punë e lehtë por është e rëndësishme për shoqërinë dhe përgjegjësia jonë është e madhe. Në garë me kohën nuk bën të rrezikojmë dhe të publikojmë diçka që më vonë mund të dalë të jetë lajm i rremë, xhirim i sajuar, diçka që shkakton panik apo është produkt i ndonjë ndikimi të keq e të rrezikshëm. Andaj është i rëndësishëm fact-checkingu i cili nuk është i thjeshtë në kohë lufte dhe në një kohë kur vërshimi me dezinformata është i rrezikshëm sa edhe pandemia. Redaktorët duhet të jenë në vijën e parë të mbrojtjes së profesionalizmit dhe etikës dhe të luftojnë për informata të sakta, e jo vetëm për ato të shpejta. Andaj duhet të theksoj se gazetarët dhe redaktorët e televizionit, gazetës dhe portalit Vijesti edhe në këtë kohë krize po e arsyetojnë emrin e redaksisë dhe mediave në të cilat qytetaret dhe qytetarët e Malit të Zi kanë më së shumti besim, me shikueshmërinë dhe lexueshmërinë më të madhe të cilat vetvetiu, pa besim, nuk janë të mjaftueshme për vlerësimin e cilësisë së një mediumi.

Do të ishte mirë që mediat nga hapësirat tona gjuhësore të bëhen bashkë e të krijojmë një aksion të madh të përbashkët që nuk do të nënkuptonte vetëm ndihmë financiare, por edhe fuqinë humane të mediave në përpjekje për të dërguar mesazhin e paqes dhe solidaritetit.  

Balkansmedia: Tash e disa dekada vihet në pah objektiviteti dhe neutraliteti si rregulla të gazetarisë. Në ç'masë ka ndryshuar kjo qasje në dekadat e fundit dhe a është e mundur të jesh neutral sot?

Në thelb është me rëndësi t'u përmbahesh standardeve më të larta etike të gazetarisë dhe të jesh profesional. Vetëm kështu mund të kontribojmë që mediat profesionale të jenë të rëndësishme dhe stabile. Në çastin kur interneti dhe rrjetet sociale u bënë pjesë e përditshmërisë, kjo nuk është e lehtë sepse pseudoredaksitë sot "mbijnë" nëpër dhoma ndeje, nga divanet, nëpër parti politike a qendra serioze pushteti. Është zor që në këtë pyll dezinformatash qytetarëve të thjeshtë t'u bëhet e qartë se ç'është me interes publik e ç'është interesante për publikun. Këto dy nocione janë të ndryshme dhe ne nuk bën të ecim në cep vetëm për të pasur shikueshmëri dhe lexueshmëri ekskluzive. Krejt këtë e "paguan" shoqëria ndërsa fatura e dezinformatave nuk është aspak punë hajgare në asnjë komunitet. Pluralizmi medial, siç mendohet shpesh, nuk është thjesht shifra e mediave të ndryshme.  Pluralizmi medial nuk ekziston nëse nuk ekzistojnë redaksi të forta profesionale në të cilat punojnë redaktorë "me format" dhe gazetarë që i njohin standardet etike dhe u përmbahen atyre. Qytetaret dhe qytetarët i "ndërrojnë kanalet", vizitojnë portale të ndryshme por, në fund, u besojnë atyre të cilat kurrë nuk i kanë mashtruar.

Ocijenite kvalitet članka