RAPORTIMI PËR KONFLIKTET E LUFTËS DHE REFUGJATËT PA MBËSHTETJEN E REDAKSIVE TË MËDHA: Përvoja nga kufiri polako-ukrainas

02.08.2022. / 11:57
Share
Ratni reporteri
Canva.com
Ratni reporteri

Raportimi për konfliktet e luftës, sidomos për jetët e njerëzve dhe pasojat që lënë luftërat nuk është aspak i thjeshtë. Shpesh është e vështirë të përcillet storia asisoji që dikush atje larg konfliktit ta ketë të qartë se ç'po ndodh vërtet dhe si ndikon ajo në jetët e njerëzve. 

Gazetari/ja duhet të jetë i/e ndjeshëm, të njohë historinë e konfliktit, të jetë i/e vetëdijshëm për dallimet kulturore dhe në fund t'i vendosë njerëzit përpara stories.
Nga ana tjetër, lind pyetja: si mund dhe si duhet të përgatiten gazetarët për të raportuar nga terrene të pasigurta dhe të kapluara nga lufta, dhe si të mbulohen të gjitha sfidat që lidhen me logjistikën, akomodimin dhe gjetjen e bashkëbiseduesve. 

Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kemi biseduar me gazetaren dhe redaktoren e portalit E-trafika.net, Vanja Stokic. Me të filluar lufta në Ukrainë, Vanja vendosi të paketonte çantën dhe pajisjet e saj dhe të shkojë në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, më saktë në kalimin kufitar Medika (Medyka).

Vanja na tregon përvojën e saj të punës nga terreni, si dhe flet për këshillat të cilat mund të jenë të dobishme për çdo gazetar/e me rastin e udhëtimit, por edhe për mënyrat se si t'i qasemi raportimit për refugjatët.

Ishe në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë, në vendin ku arrijnë refugjatët nga zona ukrainase e kapluar nga lufta. A mund të na tregosh më shumë se ç'duhet të kenë parasysh gazetarët por edhe redaksitë me rastin e udhëtimit për një angazhim të këtillë? Cilat janë punët përgatitore?

Së pari, duhet të flasin me kolegët të cilët tashmë kanë qenë atje. Unë i njihja disa punëtorë të mediave të cilët kishin shkuar para nesh, dhe dëgjova përvojat e tyre. Po ashtu, kur e bëra publike në rrjetet sociale se po shkoja, m'u lajmëruan disa kolegë të cilët kishin qenë atje, dhe kishin ca këshilla apo kontakte të gazetarëve nga Sllovakia dhe Polonia, dhe u ofruan të na lidhnin. Ky shkëmbim përvojash dhe kontaktesh është shumë i rëndësishëm. 

Si çdo terren tjetër, pavarësisht se sa informohemi dhe përgatitemi, situata mund të ndryshojë shumë shpejt. Duhet të jemi të përgatitur se do të jemi të stërlodhur, të papastër, të uritur, nervozë... Se nuk po shkojmë për pushime dhe se do të punojmë edhe nga 15 orë në ditë. Në Poloni kam biseduar me kolegë nga vende të tjera, disa prej tyre më thanë se kishin ardhur me tema të parapërgatitura të cilat dëshironin t'i shtjellonin, por se në terren kishin parë se kishin gabuar dhe se ato tema nuk mund të shtjellohen. Pastaj u detyruan të improvizonin dhe të bënin tema të reja. Kjo është shumë e vështirë kur keni kohë të kufizuar që mund ta kaloni atje. 

Ç'është e rëndësishme sipas teje, dhe ç'mund të jetë e dobishme edhe për gazetarët e tjerë gjatë qëndrimit në terren, sidomos në territoret e kapluara nga konflikti dhe lufta?

Siguria është mbi të gjitha dhe duhen përpiluar protokolle, nëse ato nuk ekzistojnë. Ta zëmë, unë kam krijuar një grup të posaçëm në viber me dy kolegë nga redaksia të cilëve çdo disa orë u dërgoja lokacionin tim dhe kontaktet e akomodimit ku po qëndronim. Nëse na ndodh diçka, të dijnë nga të nisen. Mendoj se çdo redaksi duhet ta praktikojë këtë, pavarësisht se ku është terreni. 

Përveç faktit se duhet të jemi të kujdesshëm me njerëzit të cilët i xhirojmë – sepse të gjithë ata kanë kaluar nëpër traumë dhe ne nuk bën ta keqpërdorim apo ta zmadhojmë atë – ne gjithashtu duhet të kujdesemi edhe për shëndetin tonë mendor. Disa skena janë shumë të vështira për t'i shikuar. E rëndësishme është që ato t'i lirojmë nga vetja, të mos grumbullojmë gjëra të tilla. Unë kam parë disa situata në kufirin me Ukrainën kur kam qenë në prag të thyerjes për shkak të gjërave që kam parë apo dëgjuar. Krejt këto i kam ndarë me kameramanin i cili më shkonte pas, kjo më ndihmoi. I lejoja vetes edhe të qaj. Fakti se jemi gazetarë nuk do të thotë se nuk kemi emocione dhe se duhet t'i përpijmë ato.

Besoj se nuk ka nevojë të arsyetohem se është e rëndësishme të mos i besojmë verbërisht çdo gjëje që dëgjomë e shohim, t'u besojmë informatave dhe të përdorim më shumë burime, si dhe të punojmë në interesin e përhapjes së të vërtetës dhe jo propagandës, pavarësisht se nga cili burim vjen ajo. Këto janë gjërat të cilat duhet të na nxisin gjithmonë, dhe jo vetëm me rastin e raportimit nga zonat e luftës. 

Cilat ishin sfidat e logjistikës, akomodimit, gjetjes së bashkëbiseduesve në terren?

Ishte e vështirë të gjeje akomodim – kjo ishte sfida jonë më e madhe. Przemysl është qytet polak në kufi me Ukrainën, pranë kalimit Medyka, ku vijnë më së shumti refugjatë.  Ishte e logjikshme të zgjedhnim pikërisht këtë qytet, sepse ishte më i frekuentuari. Por, ky është qytet i vogël, me rreth 60-70,000 banorë, në të cilin vërshonin me mijëra refugjatë, vullnetarë, media, pjesëtarë shërbimesh e organizatash të ndryshme. Aty qëndruam rreth shtatë ditë, ndërruam akomodim katër herë. Nuk arrinim të gjenim akomodim për më gjatë sepse gjithçka ishte e rezervuar. Akomodimin e parë e gjetëm para se të arrinim, të tjerat – direkt atje. Dy netët e fundit i kaluam në një fshat nja 20 kilometra larg qytetit, në një shtëpi rurale ku ishin vendosur edhe gazetarë nga Gjermania dhe Spanja. Në atë qytet pothuajse askush nuk fliste anglisht, dhe prandaj ishte e vështirë të komunikoje me njerëz.

Problemi i dytë më i madh ishte vetë biseda me refugjatët. Shumica e tyre nuk flisnin anglisht, e ata që flisnin anglisht shpesh ishin të painteresuar ose të stërlodhur për të biseduar me ne. Ia dilnim mbanë në mënyra të ndryshme. Ndodhte që fëmija i familjes të fliste anglisht dhe ai përkthente atë që thoshte nëna. Në fund angazhuam një përkthyes i cili ishte me ne për disa orë në terren dhe i cili na ndihmoi të bisedonim me njerëz. 

Si është të mos kesh mbështetjen e një redaksie të madhe? Cilat janë sfidat shtesë të redaksive të vogla të cilat megjithatë shkojnë në terren dhe raportojnë?

Jashtëzakonisht e papërshtatshme. Redaksia ime ka vetëm dy të punësuar. Për ne është shpesh luks të udhëtojmë për më gjatë se dy ditë sepse një person edhe shkruan edhe redakton edhe paguan fatura edhe komunikon me donatorë edhe udhëheq administratën edhe plason postime në rrjetet sociale... E para, rruga deri te kufiri me Ukrainën ishte dëshira ime dhe e kameramanit Ajdin Kamberit me të cilin punon redaksia ime. Ne nuk kishim nga të merrnim para për këtë, dhe kështu vetë e financuam udhëtimin dhe gjithçka që ai mbart me vete. eTrafika nuk ka ndonjë projekt me të cilin do të mund ta mbulonte udhëtimin, e Ajdini është freelancer. Kështu, morëm kursimet tona dhe i shpenzuam për karburant, pagesa rrugore, akomodim, ushqim... Kushton shumë të shkosh kudo për 15 ditë. Para udhëtimit, nuk donim t'u lajmëroheshim redaksive të tjera dhe t'u ofronim storie nga kufiri – por këtë e bëmë me të arritur dhe me ta parë gjendjen atje. Nuk dinim se çka do të hasnim dhe nuk donim të premtonim kot së koti. Pastaj përgatitëm disa storie për media të tjera për të mbuluar së paku një pjesë të shpenzimeve. Por pjesën e madhe të udhëtimit megjithatë e paguam me paratë tona. Dhe me gjithë këtë, filluan të lajmërohen edhe redaksi të tjera, të na lusnin t'u dërgonim fotografi nga kufiri, e ata do ta citonin burimin. E ç'na hyjnë në punë ato citime?

Ne nuk kemi ekip të madh për të ndarë përgjegjësitë. Në të njëjtën kohë, na duhej të mendonim si për logjistikën ashtu edhe për gazetarinë. Është e lehtë të humbesh në krejt këtë. Dhe pastaj e humb veten në punë kur kthehesh në redaksi, sepse çdo gazetar normal e shikon dhe e përpunon materialin pas terrenit, e ne duhet të kryejmë edhe punë të tjera, kryesisht administrative, të cilat na janë grumbulluar në ndërkohë e të cilat s'ka kush t'i bëjë. 

A ke ndonjë këshillë dhe sugjerim të dobishëm për gazetarë të tjerë të cilët vendosin të shkojnë dhe të raportojnë për luftën në Ukrainë, qoftë nga pikat e refugjatëve apo direkt nga zonat e luftës?

Duhen një apo dy ditë të mësoheni me punën në rrethana të reja – thjesht të shihni se çka dhe si funksionon. Pra, duhet ndarë kohë, si për të qëndruar atje ashtu edhe për vetë udhëtimin. 

Derisa ishim në kufi, rregullat lidhur me xhirimin ndryshonin nga dita në ditë, varësisht se cilët policë dhe ushtarë ishin në kufi. Disa lejonin të xhirohej gjithçka, disa vendosnin vijën të cilën nuk mund ta kalonit fizikisht. Nevojitet t'u përshtateni shumë situatave. 

Do të ketë edhe përpjekje të sabotimit të punës suaj. Ne kishim probleme me disa vullnetarë, të cilët shumë hapur përpiqen t'u pengojnë gazetarëve t'i xhirojne refugjatët. Ta theksoj – u pengojnë t'i xhirojnë në hapësira publike, derisa ecin apo i ndalin dhe u kërkojnë intervistë. Ky grup njerëzish u futen gazetarëve në kamera, i mbulojnë me dorë dhe qëllimisht u dalin në kuadër. Konsiderojnë se ne jemi grabitqarë që kanë ardhur të ushqehen me fatkeqësinë e tjetrit dhe se kështu po i shpëtojnë refugjatët. Vullnetarët e tjera janë krejt OK dhe janë burim i vlefshëm informatash, kanë storie interesante për të ndarë. 

Meqë ti kryesisht ke biseduar me refugjatë, a ekziston ndonjë mësim që kolegët gazetarë duhet t'i kenë parasysh kur bisedojnë me refugjatët?

Kur bisedojmë me refugjatë, duhet gjithmonë ta kemi parasysh se bëhet fjalë për njerëz me stres dhe traumë. Pyetjet tona ndoshta mund të zgjojnë disa kujtime të këqija tek ata. Mua kjo më ndodhi në kampin Vucjak. E pyeta një djalë se cilat ishin kujtimet e tij më të mira të shtëpisë? M'i nguli sytë dhe nisi të qante. Kurrë nuk mund ta dijmë se çka zgjojmë te tjetri. Ka aty edhe shumë dilema morale – a duhet dhe si duhet të xhirojmë diçka. Kolegia nga Franca, të cilën e takuam në kufi me Ukrainën, na tha se në dy ditët e para nuk xhiroi asgjë sepse e pyeste veten vazhdimisht a kishte të drejtë t'i fotografonte njerëzit teksa vuanin. Pastaj i thoshte vetes se dikush duhet të përcjellë atë që po ndodh dhe t'i rrëfejë tregimet e tyre. Në fund, u mësua t'i pyeste në ukrainisht se si quheshin dhe t'u kërkonte leje për xhirim, dhe në fillim bisedonte pak me ta para se t’i xhironte.
 

Ocijenite kvalitet članka