Reporters Shield: Programi për mbulimin e kostove të mbrojtjes ligjore dhe gjyqësore të mediave dhe organizatave

02.08.2023. / 11:02

Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP) janë forma e re e sulmit ndaj gazetarëve. Mënyrat e sulmit ndaj gazetarëve nuk janë më vetëm fizike, por ato përfshijnë ngacmime të ndryshme që shpesh marrin formën e padive që shterojnë kapacitetet njerëzore dhe financiare të mediave dhe gazetarëve.

Për shkak të këtij lloji të sulmeve, gazetaria e sotme është e paimagjinueshme pa një ekip ligjor që do të sigurojë mbështetje në procesin e krijimit dhe verifikimit të informatave, por edhe mbrojtjen dhe paditë e mundshme që mund të ndodhin pas publikimit të storieve hulumtuese. Shpesh, paditë janë të pabazuara dhe shërbejnë si mjet për të ngacmuar dhe për të tentuar t'i heshtin mediat që të raportojnë për temat me interes publik, por proceset e gjata gjyqësore çojnë në shterimin e kapaciteteve të mediave.

Prandaj mbështetja për media në këtë proces është shumë e rëndësishme, dhe fondet për të mbuluar shpenzimet ligjore dhe gjyqësore lehtësojnë shumë punën e përditshme të mediave dhe bëjnë të mundur që përkundër padive, ato mund të vazhdojnë të merren me atë që bëjnë paralelisht – raportimin në interes publik.

Së fundmi, USAID ka hapur një program të quajtur Reporters Shield, i cili mbron gazetarët hulumtues dhe aktivistët e shoqërisë civile duke ofruar mbulimin e përgjegjësisë për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes kundër shpifjes, fyerjes dhe padive të tjera që synojnë heshtjen e raportimit të tyre.

“Paditë SLAPP ngrihen për t'i shteruar financiarisht gazetarët dhe mediat. Prandaj mbështetja financiare është tejet e rëndësishme. Reporters Shield do të thotë se gazetarët nuk do të duhet të shqetësohen se a do të jenë në gjendje t'i paguajnë avokatët, shpenzimet gjyqësore dhe kostot e tjera", tha Bojana Jovanovic, zëvendëskryeredaktore e Rrjetit për Hulumtimin e Krimit dhe Korrupsionit – KRIK.

Me rastin e fillimit të këtij programi të rëndësishëm, i cili është padyshim shumë i nevojshëm për mediat në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh se ato çdo ditë përballen me përpjekje të ndryshme për të heshtur dhe kufizuar mbulimin medial, ne biseduam me Peter Noorlanderin, drejtorin e programit të start-upit Reporters Shield.

Balkanmedia: Ç'është programi Reporters Shield? A mund të na tregoni më shumë rreth idesë që qëndron pas këtij programi? Ku dallon ky program nga mbështetja e zakonshme ligjore që ekziston në mbarë botën?

Reporters Shield është program anëtarësie që mbron gazetarinë hulumtuese në mbarë botën kundër kërcënimeve ligjore. Programi u dedikohet mediave të shkruara/online dhe organizatave joqeveritare që merren me raportimin në interes publik. Reporters Shield do të identifikojnë avokatë të kualifikuar të cilët do t'u përgjigjen kërcënimeve ligjore dhe padive dhe do të paguajë për përfaqësimin ligjor deri në një kufi të paracaktuar, i cili varet nga vendi ku është selia e publikimit.

Ideja lindi nga puna e Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ata pranojnë një numër të madh të padive ligjore dhe kërcënimeve për shkak të raportimit të tyre, dhe mbrojtja kundër këtyre padive ushtron presion të madh mbi burimet e tyre. Ata janë të vetëdijshëm se shumë media të tjera hulumtuese vuajnë nga i njëjti problem, i cili prek mbarë sektorin. Prandaj, ata punuan me avokatë nga Qendra për Drejtësi Ndërkombëtare Cyrus R. Vance, me ndihmën dhe mbështetjen e ekspertëve të sigurimeve, për të zhvilluar Reporters Shieldin.

Ai dallon nga mekanizmat ekzistues të mbështetjes ligjore sepse është i bazuar në anëtarësi dhe sepse mund të ofrojë ndihmë deri në një kufi më të lartë financiar - deri në 500.000 dollarë në vendet si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Balkanmedia: Për kë është hartuar programi dhe cilat lloje organizatash mund të përfitojnë më shumë prej tij? Programi është i bazuar në anëtarësi. A mund të na thoni më shumë për këtë? Kërkesa për anëtarësim zhvillohet në faza? Cilat janë kriteret e përgjithshme të pranimit, sa zgjat procesi dhe kur bëhet aktiv?

Aktualisht jemi të hapur për aplikime nga organizatat me seli në Evropë, Azi Qendrore dhe Amerikë (përveç Karaibeve).

Organizatat/mediat mund të marrin pjesë nëse:

  • janë të regjistruara
  • fokusi i tyre është kryesisht në lajme, interes publik dhe/ose gazetari hulumtuese
  • publikojnë vetëm në shtyp dhe/ose media online
  • kanë status jofitimprurës ose pronësi transparente
  • kanë pavarësi redaktoriale dhe u përmbahet standardeve profesionale redaktoriale
  • janë të pavarura nga ndikimi a ndërhyerja politike, komerciale apo tjetërfare
  • kanë udhëheqësi transparente, profesionale financiare
  • bëjnë dallim të qartë mes opinionit dhe raportimit medial

Ne kemi një proces të kontrollit të rreptë gjatë aplikimit, dhe meqë kemi një numër të madh aplikimesh procesi zgjat së paku gjashtë javë.

Balkansmedia: Organizatat do të paguajnë anëtarësi vjetore. A ka dallime në çmime kur flasim për organizatat më të vogla kundrejt organizatave më të mëdha, vendndodhjen e tyre dhe në rastet e jurisdiksioneve të shtrenjta?

Tarifa varet nga vendi, numri i raporteve të publikuara dhe profili i rrezikut të tyre, si dhe qarkullimi i organizatës. Pasi një organizatë bëhet anëtare, ajo do të ketë qasje në një rishikim ligjor përpara publikimit të materialeve me rrezik të lartë (kjo është e kufizuar në storiet që pretendojnë sjellje të pahijshme kundër dikujt të lidhur me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën ose ndonjë juridiksion tjetër të shtrenjtë). Ato mund të kërkojnë ndihmë për t'iu përgjigjur kërcënimeve sa herë që ato paraqiten.

Balkanmedia: A do të shqyrtoni zgjerimin e anëtarësimit edhe për gazetarët freelance?

Aktualisht jemi të fokusuar në lansimin e këtij modeli. Puna e freelancerëve mbulohet kur ata publikojnë një shkrim në një mediumi që është anëtar i Reporters Shieldit.

Balkanmedia: Çfarë lloj mbështetjeje është në dispozicion brenda Reporters Shieldit? A ka ndonjë kufizim në mbështetje dhe a ka gjëra apo situata që fondi nuk mund t'i mbulojë?

Anëtarët fitojnë qasje në mbështetje ligjore për t'iu përgjigjur kërcënimeve/pretendimeve të bëra në lidhje me përmbajtjen që ata kanë publikuar. Ekziston një kufi financiar, shuma e të cilit varet nga vendi, por sillet mes 100.000 dhe 500.000 dollarëve amerikanë. Fondi nuk mund të mbulojë ndjekjen penale për akuza që nuk lidhen qartë me raportimin, siç janë pretendimet për evazion fiskal.

Balkanmedia: Si do të organizohen trajnimet për anëtarët dhe cilat tema do të trajtohen?

Trajnimet fillimisht do të kufizohen për t'u mundësuar anëtarëve të identifikojnë publikimet potencialisht të rrezikshme.

Më poshtë, dëgjoni një prezantim mbi programin Reporters Shield të realizuar si pjesë e USAID BMAP FORWARD Media Forum të svijetshëm nga Drew Sullivan, bashkëthemelues dhe publikues i OCCRP-së, drejtor i programit Forcimi i Transparencës dhe Llogaridhënies përmes Programit të Raportimit Hulumtues (STAIR).

 

Vlerësoni cilësinë e artikullit